Hidhen dyshime të forta për zhdukjen e shoqes së Liridonës në Suedi, Elezi: Ja si mund të sigurohen provat për vrasjen

Politika

Hidhen dyshime të forta për zhdukjen e shoqes së Liridonës në Suedi, Elezi: Ja si mund të sigurohen provat për vrasjen

Nga: A.Zh Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 10:00
Liridona Ademaj

Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, e vlerëson si shqetësues faktin që deklaratat e para të dhëna policisë nga Naim Murseli, që dyshohet si organizator i vrasjes së gruas së tij Liridona Ademajt, kanë rrjedhur në media.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, eksperti ka thënë se publikimi i këtyre deklaratave, është i dëmshëm dhe do të ndikojë negativisht në procesin e zbulimit të vrasjes së 30-vjeçares. Sipas tij, në këtë formë Murselit i mundësohet ripozicionimi në porositjen e vrasjes.

“Siç e kemi parë, Naim Murseli ka bërë disa deklarime. Në fakt është normale që deklarata e parë dhënë Policisë, në momentin e regjistrimit të ngjarjes është deklaratë jo e detajuar, por që për ne mbetet shqetësim se këto deklarata kishin rrjedhur dhe ishin publikuar në media. Nuk e di nëse qëllimisht janë publikuar këto deklarata, por që në fakt ne konsiderojmë që janë mjaft të dëmshme dhe mendojmë se këto publikime të deklaratave të para dhe jo të deklaratave të cilat janë dhënë pas deklaratës së parë te hetuesit apo prokurori, janë transmetuar për qëllime të caktuara dhe mund të ndikojnë negativisht në proces, sepse në këtë formë Naim Murseli ka mundësi që edhe të ripozicionohet për t’u mbrojtur”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka përmendur një arsye se pse Murseli ka mundur të ndryshojë deklaratën e tij para Prokurorisë.

“Fakti që Naim Murseli ka vetëm një dëshmitar, i cili është jokredibil, për faktin që është i përfshirë në vrasje drejtpërdrejtë, mendoj që e ka bërë edhe Murselin që të ndryshojë deklaratën dhe do të kemi probleme, nëse i njëjti do të sigurohet se pajisjet siç është telefoni i tij dhe bashkëshortes së tij, nuk mund të gjenden prova të tjera, të cilat do ta inkriminojnë në porositjen e vrasjes”, ka theksuar më tej Bedri Elezi.

Ndërsa, deklaratat për motivin e tradhtisë, sipas ekspertit, Murseli i ka bërë vetëm për konsum publik.

“Sa i përket deklaratave që janë bërë në vazhdim në lidhje me tradhtinë, mendoj që kanë qenë për konsumim publik dhe këtë e ka ditur mirë ndoshta Naim Murseli, një profil i cili duket se ka qenë mirë i strukturuar dhe me njohuri të mira sa i përket aktiviteteve të mbrojtjes”.

Ai dyshon edhe në një fakt tjetër, derisa kërkon hetime profesionale për rastin.

“Gjithashtu, më le të dyshoj shumë edhe fakti i organizimit të një diskutimi, të një debati kaq të madh, sidomos përfshirja e familjarëve kur dihet që edhe pjesëmarrësit (në këtë rast njëri nga pjesëmarrësit në vrasje është familjar). Prandaj, mund të them që ne do të kishim nevojë të kemi një hetim më profesional, duke marrë parasysh aktivitetet bashkëshortore para martesës, lidhjet e tyre të mëhershme si dhe aktivitetet e tyre në aspektin e biznesit dhe personat, me të cilët të njëjtët kanë mundur që të kenë aktivitete biznesi”, është shprehur Elezi.

Lexo edhe: “Shqetësim serioz”, eksperti i sigurisë tregon pse Naim Murseli ndërroi deklaratën për vrasjen e Liridonës

Në fund, ai ka përmendur edhe zhdukjen e shoqes së të ndjerës në Suedi, për të cilën ka thënë se nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të.

Si mundësi për zbulimin e provave, ai i sheh telefonat e Murselit dhe të Liridonës.

“Në opinion ka qarkulluar edhe një informacion se një shoqe e Liridonës, një vajzë shqiptare në Suedi është zhdukur, e për të cilën nuk ka më asnjë informacion se çfarë ka ndodhur dhe kjo është edhe një shqetësim, i cili mund të na bëjë të mendojmë se vrasja mund të jetë e organizuar për arsye se e njëjta mund të kishte bartur sekrete. Kjo duket që është një situatë mjaft e vështirë që të kemi në kohë të duhur provat e duhura apo argumentet e nevojshme për të konstatuar motivet e vrasjes, por ndoshta do të ngelën në këtë nivel diskutimesh derisa minimalisht të kemi prova, të cilat janë siguruar nga telefoni i Naim Murselit dhe bashkëshortes së tij, të ndjerës, Liridona Ademaj”, ka shtuar Elezi për gazetën.

Në paraqitjen e tij të fundit para Prokurorisë, Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ka mohuar versionin që e ka dhënë gjatë intervistimit në Polici menjëherë pas vrasjes.

Avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, ka thënë se Murseli ka mohuar edhe raportimet në media për raporte të tensionuara me bashkëshorten dhe aludimet për tradhti./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat