“Është një kurth i çuditshëm, rajoni është në prag konflikti”, ndizet alarmi pas akuzave ndaj Kosovës

Politika

“Është një kurth i çuditshëm, rajoni është në prag konflikti”, ndizet alarmi pas akuzave ndaj Kosovës

Nga: P.Rudi Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 09:58
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Mediumi i njohur botëror “The Guardian”, pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, ka shkruar se Kosova po akuzohet për rritje të tensioneve ndëretnike duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, teksa ka përmendur akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kundër rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

E lidhur më këtë për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

“Gjithë këto ditë Kosova në një anë është sulmuar dhe në anën tjetër ka marrë mbështetje. Britanikët dhe gjermanët e kanë mbështetur dhe po e mbështesin, ndërkohë që ata kanë dënuar shumë më ashpër veprimet destruktive të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Por nga ana tjetër Kosova dhe sidomos qeveria e kryeministri i saj janë qortuar, akuzuar për destabilizim dhe madje kërcënuar për shkak të zbatimit të rregullores së BQK dhe eliminimit të institucioneve paralele serbe në territorin e Kosovës”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, ndërkombëtarët po vazhdojnë me qasjen e gabuar ndaj Serbisë, duke e akuzuar padrejtësisht Kosovën.

Të jem i sinqertë. Unë e dija se institucione paralele ka vetëm në katër komunat e veriut të Kosovës. Nuk e dija se këto institucione, si qendra të rekrutimit me para, për mobilizim kundër Kosovës gjenden edhe në Dragash, Pejë dhe thuajse të gjitha rajonet e tjera të vendit. Akoma më pak kam besuar se ka evropianë dhe amerikanë që i marrin në mbrojtje këto institucione si dhe monedhën serbe të dinarit në Kosovë. Ambasadori Hovenier kërcënoi direkt. Ndërsa ministria e Jashtme e Francës dhe ambasadori francez në Kosovë, sillen njësoj si Ivica Daçiq e Aleksandër Vuçiq kundër Kosovës, qeverisë dhe institucioneve të saj. Këta duan që edhe më tej të ketë institucione të Serbisë fashiste në territorin e Kosovës dhe që Serbia të jetë hisedare edhe në shkelje të kushtetutës në Republikën e Kosovës”, deklaron profesor Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Por unë shoh një kontradiktë të çuditshme! Christofer Hill deklaron nga Beogradi se “Serbia po i zbaton me korrektësi Marrëveshjen e Brukselit si dhe aneksin e Ohrit“! Ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë kërkon që në shkelje të atyre marrëveshjeve të bëjë protektoin e institucioneve paralele e të dinarit serb në Kosovë. Është kjo një alibi, apo dëshmon faktin se Serbia nuk e zbaton marrëveshjen e shkurtit 2023 të Brukselit?! Atëherë ose Hill, ose Hovenier kanë të drejtë. Njëri prej tyre gënjen. Se nëse Serbia e zbaton Marrëveshjen e Brukselit, atëherë nuk do të duhej të kishte institucione paralele në territorin e Kosovës, as dinari serb nuk duhet të jetë monedhë shkëmbimi mallrash, por valutë si gjithë të tjerat”, shton Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Britania dhe Gjermania po e mbështesin fuqishëm Kosovën në vendosjen e masave kundër strukturave paralele serbe.

Kjo është njëra anë. Ana tjetër ka të bëjë me dilemën, pse britanikët dhe gjermanët i mbështesin, madje fuqishëm, masat sovrane të Kosovës, ndërkohë që francezët dhe amerikanët i kundërshtojnë e madje kërcënojnë?! Ne e kemi pare Emmanuel Macron se si erdhi në Tiranë tetorin e vitit të kaluar dhe e kërcënoi qeverinë e Kosovës në sy të Edi Ramës dhe ky i fundit qeshte me gojën vesh më vesh prej gëzimit të madh që i shkaktonte arrogance anti-kosovare e presidentit francez. Kjo shfaqje dha përshtypjen atëherë sikur kreu i shtetit të Francës kishte ardhur në kryeqytetin shqiptar vetëm që të kryente ritualin e kërcënimeve për Kosovën. Tani ambasadori francez bën të njëjtën gjë. Këta po i thonë Kosovës, ose bën atë që themi ne dhe pranoje Serbinë hisedare në sovranitetin e Kosovës, ose do të ndëshkojmë me tërheqjen e njohjeve”, thekson profesor Bytyçi.

“Nuk ka domethënie tjetër kjo. Kjo po motivohet me akuzën se “Kosova provokon konflikt”! Dhe SHBA e Franca janë kundër këtij konflikti. Mua më lind dyshimi dhe them se ky nuk është motivi i kundërshtive franceze e amerikane. Pse Britania e Madhe dhe Gjermania nuk paskan shqetësim për stabilitetin e rajonit tonë?! Si ta kuptojmë që Berlini e Londra nuk shqetësohen, ndërsa Uashingtoni e Parisi janë madje të brengosur?! Unë e di se këto vende kanë marrëveshje të shkëmbimit të informacioneve e për pasojë nuk mund të besohet se njëra palë ka info, të cilat pala tjetër nuk i paska”.

Më tej, Bytyçi shprehet se në vend të sanksioneve ndaj Serbisë, ato po i vihen Kosovës.

Ndërkaq, sa kohë që disa europianë dhe disa diplomatë amerikanë tallen me atë që ndodhi në Banjskë, pra sa kohë nuk i publikojnë faktet që provojnë se në atë akt terrorist është përfshirë presidenti i Serbisë, aq kohë ata do të vazhdojnë ta ndihmojnë Serbinë dhe ta ndëshkojnë Kosovën për hatër të Serbisë. Banjska u përdor thjesht për një lloj presioni ndaj presidentit të Serbisë, por jo për të dhënë drejtësi. Retorika ishte në favor të Kosovës, qëndrimet politike e diplomatike ndëshkojnë Kosovën. Në vend të sanksioneve ndaj Serbisë, ato i vihen Kosovës. Është një kurth diplomatik e politik i çuditshëm. Ky kurth synon të godasë të dobëtin dhe t’i imponohet Kosovës dhe ta përkëdhelë të fortin”, deklaron Bytyçi, sipas të cilit, në këto kushte pozita e Kosovës është e vështirë.

Miqtë tanë që i dhanë asaj lirinë, në vend që ta lehtësojnë këtë pozitë, po e vështirësojnë edhe më shumë. Po ashtu Shqipëria e Rilindjes. Më së paku kjo konsiderohet përçarje e faktorit perëndimor në raport me Kosovën dhe nevojën e saj imediate për të konsoliduar përfundimisht shtetësinë e saj. Më 17 shkurt ajo feston 16 vjetorin e pavarësisë. Por po ikin dy dekada dhe akoma kjo pavarësi nuk është sanksionuar në protokollet e OKB-së. Dhe kjo në masë të madhe vjen nga fakti se katër Fuqitë e Mëdha të Perëndimit janë të përçara, nuk janë unike. Njëherë njëra palë thoshte le të ndahet Kosova, e tjetra (Merkel e BM) thanë JO! Tani njëra palë bëhet protektore e sovranitetit serb në Kosovë e pala tjetër është kundër. Qeveria e Edi Ramës si gjithnjë është me politikën franceze”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, ai thotë se mos unifikimi i qëndrimeve të këtyre Fuqive, është shkaku kryesor pse Kosova lëngon nga provokimet serbe dhe rajoni është në prag konflikti.

“Nëse Uashingtoni e Parisi presin që Beogradi të bëhet pjesë e NATO-s, atëherë do të duhet të presin edhe një shekull. Por mbas një shekulli nuk do të kishte më Kosovë. Prandaj dhe qeveria e institucionet e Kosovës janë në vështirësi. Vjosa Osmani përpiqet të krijojë një lloj ekuilibri, ndërkohë që Kurti bën të fortin. Megjithatë konfliktin midis vendeve të fuqishme perëndimore e vuajnë qytetarët e Kosovës”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat