“Ballkani mund të ndizet”/ Alarmi që erdhi nga SHBA – Analistët: Kosova duhet të jetë e gatshme

Politika

“Ballkani mund të ndizet”/ Alarmi që erdhi nga SHBA – Analistët: Kosova duhet të jetë e gatshme

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 13 mars 2024 Në ora: 16:00
Policia e Kosovës

Dy ditë më parë, agjencitë amerikane të zbulimit thanë se SHBA në përgjithësi po përballet me një “rend botëror gjithnjë e më të brishtë”, të tensionuar nga konkurrenca e fuqive të mëdha, sfidat ndërkombëtare dhe konfliktet rajonale.

Në atë zbulim, si situatë e brishtë përmendet edhe Ballkani Perëndimor, e në veçanti Kosova, dhe rasti i fundit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, ku mbet i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Në atë zbulim thuhet se “ky rajon ndoshta do të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024”.

“Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të acarojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të nxisin dhe shfrytëzojë dallimet etnike. për të zgjeruar ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal, ose për të penguar integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në BE ose në institucionet euroatlantike”, thuhet në raport.

Pos Kosovës, aty përmenden edhe veprimet provokuese të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

Mehazi: Udhëheqësit nacionalistë serbë Dodiku, Vulini e Vuçiqi acarojnë tensione lufte në Kosovë e Bosnjë-Hercegovinë

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, këto deklarime janë të vërteta sepse SHAB po përballet me një rend të ri botëror.

Sipas tij, me këtë situatë, luftimet aktuale e kanë ndarë botën në katërshe.

“Deklaratat e agjencive amerikane të zbulimit janë më se të vërteta "se SHBA-ja përballet me një "rend botëror gjithnjë e më të brishtë", që sfidon rëndë administratën amerikane për të zvogëluar ndikimet e saja botërore.

Konfliktet e ashpra ruse- ukrainase, palestineze- izrailite kanë ndarë botën më katërshe: Botën sllave-ruse ortodokse në njërën anë, botën perëndimore evropiane në anën tjetër dhe botën religjioze islame dhe rabinë - izrailite  në anën tjetër, jo vetëm kaq por këto ndarje ideologjike, fetare, nacionaliste, gjeostategjike e politike janë duke mbjellë eskalime luftërash globale.

Këto lëvizje tensionuese ruse, evropiane, izrailite e kineze rrezikojnë SHBA-në e cila kohëve të fundit është nën hijen e këtyre fuqive të mëdha që sfidojnë ndërkombëtarisht SHBA-në e cila duket sikur ka mbetur e vetmuar para konkurrentëve ruse, kineze, evropiane e izrailite, sikur SHBA-të janë dorëzuar. Sa më shumë që zgjaten përballjet luftarake në Palestinë e Ukrainë aq më shumë apetitet luftarake do përhapen dhe më gjerë, neglizhenca e SHBA-ve ndaj ekstremizmave ruse e izrailite do i kushtojë shtrenjtë, nëse SHBA-të nuk reagojnë për paqe atëherë jo që nuk do jetë e aftë të ndalojë çmendurinë luftarake ruse e izrailite, por do dobësonte ndikimet e saja amerikane në botë”, shprehet ai.

Kurse, sa i përket Ballkanit thotë se kjo nuk është e rastësishme sepse Vuçiq, Vulin dhe Dodik po acarojnë tensione lufte në Kosovë dhe në Bosnjë.

Andaj, ai bënë thirrje që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të lidhen fort me SHBA-në, sepse Serbia e sheh se me mposhtjen e Kosovës, mposhtet edhe ndikimi i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

“Jo rastësisht zbulimet amerikane përmendin edhe Ballkanin Perëndimor se udhëheqësit nacionalistë serbë Dodiku, Vulini e Vuçiqi acarojnë tensione lufte në Kosovë e Bosnjë-Hercegovinë për të mbrojtur ndikimet serbe-ruse, nga gjashtë shtetet të Ballkanit Perëndimor vetëm Kosova është pro-amerikane, gjersa shumica e këtyre shteteve janë proruse, me mposhtjen e Kosovës nga Serbia mposhtet dhe ndikimi i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, prandaj si e qysh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të lidhen fortë me SHBA-në, po edhe të SHBA-së të shprehin besnikëri ndaj Kosovës, nëse nuk ndodh kështu atëherë Kosova do jetë në rrezikshmëri permanente nga ndikimet serbo-ruse”, përfundon ai për “Bota sot”.

Qarri: Kosova duhet të jetë e gatshme, në çdo moment, për mbrojtjen e territorit të saj

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri potencon se kjo ishte paralajmëruar më herët nga Janusz Bugajski, njohës i Ballkanit, por që tani edhe Amerika përballet me një "rend botëror gjithnjë e më të brishtë", duke që kjo të parandalohet qoftë edhe me forcë “Udhëheqësit nacionalistë” si Millorad Dodik, Aleksanër Vuçiq, Aleksandër Vulin etj.

“Në fakt edhe analisti politik dhe njohësi i mirë i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Janusz Bugajski, ka kërkuar në mënyrë të qartë, një mobilizim serioz mbrojtës të NATO-s kundër shtrirjes së shtuar të ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë, kurse ministrat e mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Polonisë, Norvegjisë etj, thuhet se kanë filluar edhe hartimin e planeve emergjente për mbrojtje nga një përshkallëzimi i mundshëm i një konflikt të nxitur nga Rusia, ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Për aq më tepër, përderisa edhe agjencitë amerikane të zbulimit thonë se SHBA përballet me një "rend botëror gjithnjë e më të brishtë", të tensionuar nga konkurrenca e fuqive të mëdha, sfidat ndërkombëtare dhe konfliktet rajonale, do të ishte mirë që SHBA si fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake bashkë me NATO-në, në botë, të parandalojnë qoftë edhe me forcë "Udhëheqësit nacionalistë" si Millorad Dodik, Aleksanër Vuçiq, Aleksandër Vulin etj, që për avantazhin e tyre politik, dhe mbrojtjen e interesave të Rusisë, në rajon, ti acarojnë tensionet, në Ballkanin Perëndimor.

Vetëm angazhimi paraprak dhe veprimi me kohë nuk do tu lejonte hapësirë as aktorëve të jashtëm, si Rusia, që përmes Serbisë, Dodikut, Vulinit etj, të nxisin dhe shfrytëzojë dallimet etnike, për të mbrojtur ndikimin e tyre rajonal, duke zgjeruar konfliktet, e penguar integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në BE dhe institucionet euroatlantike”, deklaron ai.

Ai thotë se Vuçiq shfaq ambiciet e tij okupuese dhe synimi i tij i hapur është krijimi i Serbisë së madhe dhe se Kosova duhet të jetë e gatshme, në çdo moment, për mbrojtjen e territorit të saj, me të gjitha mjetet dhe mundësitë, nga përsëritja e ndonjë sulmi të papritur terrorist serb.

Qysh në janar të vitit të kaluar, edhe analisti tjetër dhe profesori i mirënjohur amerikan në Universitetin John Hopkins, Daniel Serëer, në një prononicim mbi situatën në Ballkan dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kritikonte ashpër pushtetin në Serbi se, anonte publikisht, jo drejt BE-së, por në drejtim të Moskës dhe Pekinit, duke akuzuar direkt presidentin autokrat serb, Aleksandër Vuçiqin, se ai ndërkombëtarisht, është orientuar më tepër drejt Rusisë dhe Kinës, ndërsa brenda vendit ka krijuar autokraci.

Vuçiq për shfaqjen e ambicieve të tij okupuese dhe synimin e hapur, për krijimin e Serbisë së madhe, apo të ashtuquajturës "bota serbe" përdor si tellall të vetin, udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, i cili qysh në fund-prillin e vitit 2023, paralajmëronte botërisht shkëputjen e "Republikës Sërpska" nga Bosnja e Hercegovina dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Për aq më tepër, Dodik deklaron publikisht, se gjoja "ky është shekull i serbëve" dhe askush nuk do të mund të na ndalojë që të jemi një shtet, sepse i takojmë një kombi dhe është e drejta jonë , kurse përgatitjet e Dodikut për ndarjen e të ashtuquajturës "republika srpska" nga Bosnja e Hercegovina, vazhdojnë edhe sot.

Ky akt do të nxiste shpërthimin e luftimeve të përgjakshme në një hapësirë, shumë më të gjerë se sa Bosnja, përfshirë Malin e Zi, e pa dyshim edhe Kroacinë e Kosovën, andaj përderisa në raport përmendet edhe Banjska, Kosova duhet të jetë e gatshme, në çdo moment, për mbrojtjen e territorit të saj, me të gjitha mjetet dhe mundësitë, nga përsëritja e ndonjë sulmi të papritur terrorist serb, apo edhe përpjekje e Serbisë për okupimin e ndonjë pjese të vendit tonë me agresion ushtarak!”, thotë ai.

Në fund, Qarri emisarët e SHBA-ve duhet t’i ushtrojnë trysni të madhe Serbisë dhe jo vetëm Kosovës, sepse Kosova nuk kërcënon askënd e as nuk sulmon askënd.

“E përveçse sulmi terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, në raport, me brengosje edhe më të thellë, përmenden veprimet provokuese të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili kërcënon qartazi, duke deklaruar hapur,  se nuk ka iluzione as kërcënim, që mund ta ndalojë Republikën Sërpska, për të formuar shtetin e vet, sepse ne nuk duam të jetojmë në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që është paralajmërim publik, se sa afër një konflikti të gjerë ushtarak, realisht gjendemi, nëse ndarja nga Bosnja, e të ashtuquajturës "republika srpska" që ai përmend, vërtetë ndodhë me forcë.

Andaj, nëse emisarët e SHBA-ve si Eskobar dhe zëdhënësit e shtetit amerikan, ushtrojnë trysni kaq të jashtëzakonshme dhe aspak të balancuar edhe për gjëra aq banale dhe fare të parëndësishme në kontestin rajonal, si dinari serb, vetëm mbi Kosovën, e cila nuk sulmon, as kërcënon askënd dhe përpiqet, vetëm të ruaj sovranitetin e saj territorial e shtetëror, nga të njëjtit agresor në rajon, por nuk veprohet praktikisht kundër tendencave luftënxitëse të Aleksandër Vuçiqit, Aleksandër Vulinit dhe Milorad Dodikut që me shkaktimin e gjakderdhjeve të reja dhe përsëritjen e gjenocidit e të vrasjeve masive kundër popujve përreth, ta bëjnë krijimin me forcë të Serbisë së madh, është tërësisht e sigurt se “zbulimi” i agjencive amerikane, qëndron në plotëni dhe se të gjithë ne, jemi shumë pranë një situate të rrezikshme ‘eskaluese’, e cila shkaku i ambicieve të sëmura të Vuçiqit dhe Dodikut, nëse fillon në Bosnjë do të zgjerohej në gjithë Ballkanin Perëndimor”, përfundoi ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat