Përpjekjet e dështuara të Rusisë, flet ish-ambasadori holandez – ja çka thotë për kërkesën për debat në KS mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Politika

Përpjekjet e dështuara të Rusisë, flet ish-ambasadori holandez – ja çka thotë për kërkesën për debat në KS mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Nga: A.M. Më: 29 mars 2024 Në ora: 22:22
Fotografi nga një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rusia dështoi të enjte në përpjekjen për një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohej rreth fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, që i dhanë fund luftës në Kosovë.

Pas dështimit të së hënës për një seancë të tillë, mbajtja e së cilës u pamundësua meqë 12 vende anëtare nuk votuan për kërkesën e Moskës, Rusia sërish shtroi kërkesë për debat me temën "ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë ndërkombëtare".

E në lidhje me këto përpjekje të Rusisë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Image
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Së pari, ai u shpreh se shteti rus po tenton ta rikthej çështjen e bombardimeve të NATO-s, me qëllim që të i justifikoj veprimet e tij ndaj Ukrainës.

Madje, ish-ambasadori tha se kjo as nuk mund të krahasohet, prandaj edhe Rusia nuk gjeti mbështetje për kërkesën e saj.

“Rusia dëshiron që në fund të fundit të gjitha kritikat plotësisht të justifikuara mbi veprimet e tyre në Ukrainë të sjellin histori të vjetra në përpjekje për të provuar se edhe Perëndimi bëri gjëra të gabuara.

Askush nuk dëshiron t'u japë atyre këtë shans, pasi është një vendim i pastër, pasi konfliktet janë të pakrahasueshme. Ukraina nuk e sulmoi Rusinë siç bëri Serbia Kosovën, kështu që sigurisht që kjo nuk kalon, dhe me të drejtë!” – deklaroi Robert Bosch për “Bota sot”.

Më 24 mars u bënë 25 vjet nga nisja e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje, në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka numër shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat