Rreziku për një sulm të radhës nga Serbia/ Zbardhen prapaskenat – Kosovës i kërkohet kujdes në këtë pikë!

Politika

Rreziku për një sulm të radhës nga Serbia/ Zbardhen prapaskenat – Kosovës i kërkohet kujdes në këtë pikë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 prill 2024 Në ora: 20:14
Ilustrim

Situata mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon jetë e tensionuar, në veçanti pjesa e veriut të Kosovës.

Këtë shqetësim e ka shprehur ditë më parë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar sulme të reja nga Serbia.

Ai ka thënë se 400 ekstremistë serbë po trajnohen në kufi me Kosovën dhe janë të gatshëm për sulme me një urdhër të Aleksandar Vuçiq.

Pas kësaj deklarata reagime të mëdha ka pasur nga liderë të shumtë nga vendi, e ndër ta edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, njëherësh anëtar i komisionit për siguri.

Berisha u shpreh se Vuçiq po tenton ta mbajë në tensionim rajonin me përqendrim veriun, që ta pavarësojë atë dhe ta bashkojë Republikën Serbe me Serbinë.

“Vuçiq me çdo mjet e formë politike po provon ta mbajë në tension rajonin me pikë përqendrimi në Veriun e Kosovës, me shkas që në këto tensione, të arrijë një qëllim tjetër, që së paku, ta pavarësojë dhe bashkojë Republikën Serbe me Serbinë, duke e shfrytëzuar situatën e favorshme që po i krijon atje Dodiku, një udhëheqës i ekstremit ultranacionalist i proklamuar tanimë si armik i demokracisë, paqes e lirisë. Prandaj, krejt këto kriza të krijuara në Kosovë, janë vetëm për të kamufluar qëllimin e tij (Vuçiqit) për Bosnjën, sepse Serbia e di se Kosova është e pavarur, dhe e paprekshme”, shprehet ai.

Deputeti theksoi se Kurti së fundi kërkoi shtim të trupave të NATO-s, ndërkohë që thotë se Kosova është e pavarur dhe merr vendime të pavarura.

Shala: Tensionet në rajonin e Ballkanit tani janë të stilit sikur siç e ka bërë Rusia në pjesën e Ukrainës

Image
Drizan Shala

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai thotë se deputeti Berisha ka informacionet relevante dhe se plani i Serbisë tanimë është i qartë pasi e njëjta po tenton të formojë një “Jugosllavi të re”.

“Z. Berisha si anëtar i Komisionit për siguri dhe mbrojtje ne Kuvend të Kosovës ka informacionet relevante të saj që edhe institucionet e sigurisë kanë në vend. Plani i Serbisë tanimë është i qartë në formatin e deklarimit zyrtar që do të tentojnë të formojnë një format të ri juridik i njohur si “Jugosllavia e re”, ku bota serbe do të jetë shtylla kryesore e saj”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë thekson që tensionet në Ballkan janë të stilit të Rusisë që ka bërë në pjesën e Ukrainës.

“Tensionet në rajonin e Ballkanit tani janë të stilit sikur siç e ka bërë Rusia në pjesën e Ukrainës përmes përdorimit të formës hibride që në të kaluarën është njohur si luftë speciale. Targeti opsional sipas gjitha asaj që dihet dhe që mund të nënkuptohet është pengimi i BiH në formëen e atakimit të marrëveshjes së Dejtonit , në Malin e Zi përmes rritjes se sentimentit serb/rusë duke mbajtur ashtu që kur do që pjeken kushtet të kenë mundësi që përmes referendumit ta rimarrin daljen ne Adriatik dhe për këto i duhet domosdo mbajtja nën presion Kosovën në formatin se si është”, u shpreh Shala për “Bota sot”.

Elezaj: Regjimi kriminal i Serbisë nuk ka hequr dorë nga provokimet dhe përgatitjet e grupeve paramilitare serbe afër kufirit me Kosovën

Image
Rexhep Elezaj

Ndërsa që veriu i Kosovës është zonë e rrezikuar nga sulmet e Serbisë e mendon edhe analisti politik, Rexhep Elezaj.

Ai thotë që regjimi i Beogradit nuk kanë lënë mjet dhe metodë shantazhuse pa përdorur që ta destabilizojnë sa më shumë funksionimin dhe shtet-ndërtimin Kosovës së pavarur.

“Veriu i Kosovës, siç dihet, që nga vendosja e forcave franceze të KFOR-it në atë pjesë të Kosovës (12 qershor 1999), të cilat nuk e lejuan kthimin e banorëve shqiptarë në shtëpitë e tyre, ai deri më sot ka ngelur zona më e destabilizuar e Kosovës, kryekëput për shkak të politikës kriminale të regjimit hegjemonist të Serbisë, sidomos që nga ardhja në pushtet e SNS-it (Partisë progresive serbe) në krye me A. Vuçiqin e deri më sot.

Pra, regjimi i Beogradit nuk kanë lënë mjet dhe metodë shantazhuse pa përdorur që ta destabilizojnë sa më shumë funksionimin dhe shtet-ndërtimin Kosovës së pavarur, siç ishte rasti i sulmit të grupit terrorist serb në Banjskë me 24 shtator 2023. I cili i përkrahur nga kreu i shtetit serb, kishte për qëllim okupimin e veriut të Kosovës, por i cili iu dështoi keq, duke e treguar para botës fytyrën kolonialiste të Serbisë ndaj Kosovës, por për të cilin sulm, mjerisht, ende nuk është dënuar asnjë terrorist serb me M. Radojçiqin në krye, por as regjimi i Beogradit nuk është sanksionuar deri më sot”, tha ai.

Analisti më tej shton që Serbia nuk ka hequr dorë nga provokimet dhe përgatitja e grupeve paramilitare serbe në kufi me Kosovën.

Sipas tij, Serbia është e përqëndruar në metodën e provokimit të vazhdueshëm të situatës në veri, duke shkaktuar tensione permanente në Ballkanin Perëndimor.

“Andaj, se regjimi kriminal i Serbisë nuk ka hequr dorë për asnjë çast nga provokimet dhe përgatitjet e grupeve paramilitare serbe afër kufirit me Kosovën, por edhe në kampe tjera ushtarake, në këtë fakt nuk dyshon askush, ngase pretendimet e Serbisë për rikthim të Kosovës nën okupimin e saj, së paku ta shkëpus veriun e Kosovës, kjo politikë dhe ky synim i tyre nuk ndryshojnë kurrë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.

Kështu që, a bëhet fjalë për 400 terrorist serbë që po ushtrojnë afër kufirit me Kosovën, apo për tërë ushtrinë e Serbisë, kjo është pak relevante, ngase po sikur të guxonte nga NATO-ja, presidenti racist A. Vuçiq, moti do ta kishte sulmuar Kosovën, jo vetëm me grupe paramilitare, veçse me krejtë ushtrinë e tij. Por, duke qenë se një agresion të tillë regjimit aktual serb nuk mund ta bëjë ndaj Kosovës, ai është i përqendruar në metodën e provokimit të vazhdueshëm të situatës në veri, duke shkaktuar tensione permanente në Ballkanin Perëndimor, si metodë dhe taktikë provokuese kundër pranisë së forcave të NATO-s në Kosovë dhe Bosnje, gjithnjë në koordinim me Moskën zyrtare, që në një çast ta ndezin një konflikt të ri ushtarak në këtë pjesë të ndjeshme të Evropës”, theksoi analisti.

Në fund, ai thotë që Serbia nuk ka potencial të ballafaqohet asnjëherë me forcat e NATO-s dhe jo vetëm.

“Prandaj, sipas mendimit tim, nuk qëndron pyetja, se a po përgatitë regjimi kriminal i Beogradit në krye me A. Vuçiqin, ndonjë skenar kundër Kosovës, ngase një skenar të tillë ata e kanë të gatshëm qysh kur Kosova është pavarësuar, veçse  pyetja shtrohet, kur mund ta zbatojnë atë në vepër, gjë që unë nuk besoj kurrë, se Serbia fashiste një sulm të tillë ndaj Kosovës mund ta kryejë ndonjëherë, meqë ajo nuk është e aftë dhe as nuk ka potencial ushtarak që të ballafaqohet me forcat e NATO-s, dhe jo vetëm”, përfundoi analisti Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat