Veriu, një betejë e fituar e Albin Kurtit kundër bandave kriminale serbe

Politika

Veriu, një betejë e fituar e Albin Kurtit kundër bandave kriminale serbe

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 11 prill 2024 Në ora: 14:13
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Sipas organizatës joqeveritare “International Crisis Group”, e cila ka mision parandalimin e konflikteve në botë, Kosova është duke fituar betejën për kontrollin e pjesës veriore, e cila është me shumicë serbe.

“Kosova po e fiton betejën për kontrollin e veriut të saj rebel, me shumicë serbe, ndërkohë që shpresat për normalizim mes Prishtinës dhe Beogradit po shuhen. Institucionet e mbetura serbe në territorin e Kosovës, të cilat i mbijetuan luftës së vitit 1999 dhe pavarësisë së Kosovës në 2008, po shpërbëhen si pasojë e një operacioni paraushtarak të mbështetur nga Serbia në shtator 2023. Ndërsa rezistenca e kufizuar e dhunshme mbetet e mundshme, Kosova veriore, e cila shpresonte për autonomi apo bashkim me Serbinë, po i nënshtrohet pa dëshirë autoritetit të Prishtinës. Këto janë ditë të vështira për minoritetin serb, e ardhmja e të cilit është jetike për afrimin mes Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet mes tjerash në raportin e “International Crisis Group”.

Se Kosova po korr sukses në pjesën veriore të vendit, e thonë edhe analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, të cilët fajtor për situatën në veri e bëjnë edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila po vazhdon ta mbajë nën sanksione shtetin tonë. 

Po ashtu, faktori ndërkombëtar nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndaj Serbisë, ani pse kjo e fundit në vazhdimësi po kërcënon me luftë Kosovën.

“Bota serbe” e Aleksandër Vuçiqit

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri thotë për “Bota sot” se Serbia synon që ta përfshijë veriun e Kosovës brenda “botës serbe”.

Image
Gani Qarri

Se okupimi i veriut, ishte pjesë e agjendës së rrezikshme ekstremiste të nacionalistëve serb, për krijimin e Serbisë së madhe, apo të ashtuquajturës "botë serbe", e cila ka filluar që me 1989 dhe vazhdon me të njëjtin intensitet edhe sot, nuk është më kurrfarë fshehtësie, por se edhe 25 vite pas çlirimit të Kosovës, do të gjenden kaq shumë shqipfolës të cilët tradhtojnë hapur vendin e vet dhe mbështesin në mënyrë aq perfide një politikë tepër abuzive dhe cinike të ish okupatorit të vendit tonë si Serbia, e cila ka për qëllim ndryshimin e përbërjes etnike dhe spastrimin etnik, nga popujt jo-serb, të tokave tona autoktone, që Vuçiq synon t`ia bashkojë "botës serbe", përfshi edhe spastrimin e veriut të Kosovës dhe okupimin e tij nga Serbia, këtë vërtetë, nuk do ta kishte besuar kush”, shprehet Qarri.

Sipas tij, Vuçiq po synon krijimin e Serbisë së Madhe me copëtimin e Kosovës dhe shuarjen e Bosnje Hercegovinës.

“Pas konfliktit që inicioi Serbia në veri të Kosovës, nëse Vuçiq arrin t`ia imponojë vendit tonë edhe "zajednicën" një etnike serbe, paralajmërimet për shuarjen e shtetit të Bosnjës e copëtimin definitiv të Kosovës, janë agjendë për krijimin e Serbisë së Madhe, apo të ashtuquajturës "botës serbe", për të cilat Vuçiqi duket se gëzon të njëjtën simpati dhe mbështetje siç e kishte edhe për serbizimin komplet të udhëheqjes shtetërore dhe legjislative të Malit të Zi, madje jo vetëm të ambasadorit Kristofer Hill, por veçanërisht të emisarit Gabriel Eskobar, Mirosllav Lajçakut dhe të Josepp Borllit, pra tani edhe për Serbinë e Madhe. Përndryshe sa i takon veriut të Kosovës, faktori ndërkombëtar dhe udhëheqjet e institucionet më të larta evropiane, ishin të informuara shumë mirë  dhe plotësisht të vetëdijshme për veprimtarinë kriminale të grupeve terroriste serbe në veri, si dhe mbi rrezikun e konfliktit në Kosovë, por përveç ndonjë vërejtje protokollare dhe thirrjeve tërësisht amorfe burokratike, për mos "përshkallëzim" të gjendjes, nuk u ndërmor kurrë asgjë, madje siç dëshmoi edhe sulmi terrorist serb, më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjë të Zveçanit, kriminelët e Milan Radojçiqit, duket se patën edhe përkrahjen formale dhe mbështetjen "operative" nga disa pjesëtarë të forcave "paqeruajtëse" në Kosovë, me ndihmën e të cilëve përveçse futën gjithë atë arsenal armësh dhe automjetesh ushtarake, ata edhe u tërhoqën pa therë në këmbë, në Serbi, sikur të kishin zhvilluar, ndonjë ndeshje futbolli në veri të Kosovës”, shpjegon Qarri.

“Duke qenë se Kosovës nuk iu ofrua asnjëherë mbështetje e mjaftueshme dhe përkrahje e sinqertë për parandalimin e grupeve terroriste serbe dhe vendosjen e rendit e të ligjit në veri, mungesa e rezultateve nga strategjia "paqësore" dhe përpjekjet e hapura të Serbisë, që përmes organizatave terroriste "mbrojtja civile" dhe e ashtuquajtura "brigadë e veriut", të krijonte një formë të aparteidit, duke spastruar të gjithë veriun nga shqiptarët, ku vetëm serbët do të mbeteshin sundues faktik të këtyre territoreve, Kosova u detyrua që të ndërmerrte hapat e nevojshëm, duke shpallur organizmat e lartcekura të Vuçiqit, të cilat rrezikonin hapur paqen e sigurinë dhe vet territorin e Kosovës,  si organizata terroriste dhe ndaluar veprimtarinë e tyre në Kosovë gjë që zhvillimet e më pastajme, vërtetuan katërçipërisht se Qeveria e Kosovës kishte plotësisht të drejtë në ndërmarrjen me kohë, të këtyre masave parandaluese”, shton analisti Gani Qarri.

Më tej, ai thotë se qeveria Kurti ishte e detyruar që të ndërmarrë veprime në veri të Kosovës, pasi atje u stacionuan bandat kriminale serbe.

“Andaj pas veprimeve të pareshtura kriminale dhe akteve të përsëritura terroriste, që kriminelët dhe grupet terroriste serbe, ndërmerrnin herë pas here në veri, me bllokimin e rrugëve, sulmeve të armatosura kundër Policisë së shtetit dhe organeve të rendit, dëmtimit të pasurive, uzurpimit të objekteve shtetërore dhe dominimit të krimit dhe terrorit në gjithë pjesën veriore të shtetit të pavarur të Kosovës, Qeveria Kurti u detyrua, që organizatat problematike, të cilat rrezikonin ndarjen e vendit, okupimin e veriut dhe aneksimin e kësaj pjese jetike të shtetit tonë, Serbisë fashiste, ti shpallte organizata terroriste, ndalonte veprimtarinë e tyre në Kosovë dhe shpallte në kërkim udhëheqësit dhe pjesëtarët e këtyre organizatave, të cilat nuk përbëheshin vetëm nga ndonjë minoritar lokal serb, por shumica prej tyre, thuhet të kenë qenë pjesëtarë të rryer të terrorit dhe kriminel të regjur serb, që kanë kryer vrasje dhe krime të rënda edhe në Bosnjë e Kroaci, të cilët Serbia i kishte mbledhur nga atje dhe vendosur në veri të Kosovës, në shtëpitë dhe apartamentet më komode, me misionin që ata të kryenin akte kriminale dhe terroriste, se herë që ato i kërkonte, Aleksandër Vuçiqi prej tyre”.

Ashtu siç shkroi edhe "International Crisis Group", edhe Qarri thotë se Kosova po e fiton betejën në veri.

“Andaj, pas rivendosjes së rendit e të ligjit dhe shtrirjes së shtetësisë së plotë, në gjithë veriun e vendit tonë, sot edhe sipas "International Crisis Group", Kosova definitivisht është duke e fituar betejën për kontrollin në veri dhe shtrirjen e sovranitetit të vet, të plotë shtetëror edhe në këtë pjesë të vendit të vet, në kohën kur, nga krimineli Aleksandër Vuçiq, vazhdon të zhvillohet, njejtë si në vitet e 90-ta, sado që me metoda tjera, politika monstruoze e aparteidit, duke filluar nga Bosnja me tendencat e Dodikut, për ndarjen e të ashtuquajturës "republika srpska" dhe shuarjen e shtetësisë së këtij vendi, me përjetimet më të përgjakshme dhe numrin më të madh të viktimave njerëzore, deri në Mal të Zi, ku Serbia ka serbizuar komplet udhëheqjen shtetërore e legjislative të këtij vendi dhe sot Vuçiqi dhe Rusia edhe atje kontrollojnë çdo gjë, ani pse, tash e sa vite, shtet anëtar i NATO-s!”, përfundon analisti Gani Qarri.

Merita e Kurtit

Kurse analisti Faton Mehmeti deklaron se kryeministri Kurti ka një meritë historike për vendosjen nën kontroll të Kosovës, të pjesës veriore të vendit.

Image
Faton Mehmeti

“Albin Kurti ka meritë historike  për veriun, praktikisht i ndare deri në vitin 2021. Këto tri vite Kosova ka shtrirë sovranitetin atje,  ka arritur që terroristët të largohen dhe të shuhen strukturat paralele. Kjo e bën edhe Kosovën më shumë të sigurt dhe mundësitë për dhunë janë më të vogla. Gjithsesi, ajo pjesë e vendit edhe për shkak të kufirit me Serbinë është vatër e nxehtë rreziku dhe si e tillë duhet të trajtohet”, shprehet Mehmeti.

“Ndaj, besoj se edhe ICG ka të drejtë kur thotë se "Kosova po fiton betejën për veriun", faktikisht kjo është faktike. Mirëpo, ende rreziku ekziston, terroristët e Radojiçiqit janë gati për hakmarrje për disfatën e 24 shtatorit, kështu që duhet të jemi vigjilentë për çdo skenar”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat