Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka darkuar dje me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, me të cilin ka diskutuar në lidhje me mundësinë e dërgimit të vendit në zgjedhje të reja.
Të ftuar në takim ishin edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAk-së, Ramush Haradinaj, por të dy këta refuzuan ftesën.
Në rakimin Kurti – Krasniqi u diskuta për shkarkimin apo dorëheqjen e qeverisë Kurti, para se e njëjta ta përfundojë mandatin e saj të plotë katër-vjeçarë.
Ky takim mori kritika të shumta në opinion, derisa ndaj Krasniqit pati akuza se po ia bën “argatin” Kurtit për ta shpëtuar nga kompromiset në dialogun me Serbinë, siç është rasti i asociacionit etj.
Në lidhje me këtë temë për gazetën “Bota sot”, foli publicisti Dedë Preqi, i cili theksoi se mospjesëmarrja e LDK-së dhe AAK-së në takimin me Kurtin tregon se këto dy subjekte nuk janë të interesuara për asgjë tjetër përpos pushtetit.
“Opozita e vendit tonë po shfaqet pa të «brendshme» karshi unifikimit përballë Serbisë, dhe sikur nuk po ndodh asgjë me çështjet madhore të këtij vendi, duke vazhduar në botën e tyre të çuditshme, janë shfaqje që e humbasin përkujdesjen dhe përpjekjen që e forcojnë thelbësisht aftësinë e ruajtjes dhe mirëqenies së qytetarit të këtij vendi.
Nuk është aq edhe interesante, apo diçka e re më atë që opozita nuk u përgjigj ftesës së kryeministrit Albin Kurti, për të diskutuar për një unitet të përbashkët përballë çështjeve madhore të këtij vendi, përveç PDK-së, ndërsa LDK dhe AAK, e refuzuan një ftesë të tillë, duke vendosë një ekuilibër në mes arsyes dhe instinkteve të tyre, të cilat pa dyshim tregojnë se nuk janë të interesuara për asgjë, vetëm për të ardhur në pushtet”, u shpreh Preqi.
E sipas tij, mungesa e unitetit politik vazhdon ta dëmtojë Kosovën.
“Ky zhvillim i sojit të tillë nuk qon përpara këtë vend, kur qëndrimet në mes njëri-tjetrit apo pozitë-opozitë, janë të kundërta, apo të vetëkënaqura me një situatë të tillë përballë Serbisë, e cila Kosovën, e konsideron akoma në Kushtetutën e vet, perceptime që qojnë deri në ndonjë eskalim dhe luftë të mundshme, kur janë gjasat të ndihmohet edhe nga qarqet e fuqive të mëdha, siç është Rusia me aleatët e vet, që kanë strategji dhe plane për ta trazuar Ballkanin perëndimor.
Edhe pse ftesës së kryeministrit Kurti, i përgjigjet vetëm kryetari i opozitës nga PDK, Memli Krasniqi, kishte për qëllim të marr «bajraktarllakun» , që shton dhe shtynë përpjekjet e një vijimi të njëjtë me përvojat e kësaj ndërmarrje, që veprohet përmes ndjesive të intuitës së një organizimi të njëjtë për ta përmbysur pushtetin aktual, dhe realizimi i kësaj ftese bëhet me plane e qëllime të tilla për t’i caktuar sa më parë zgjedhjet e parakohshme, por duke pranuar kryeministri Kurti, vetë dorëheqje”, potencon ai.
Tutje, publicisti thekson se opozitës nuk po i intereson mirëqenia qytetare e këtij vendi.
“Në këto rrethana opozita, po del pa të «brendshme» e cila po shihet nga larg para opinionit të vet dhe pa fije turpi, sepse nuk po i intereson mirëqenia qytetare e këtij vendi, dhe sikur deri këtu nuk kemi bërë asgjë lidhur me të arriturat e këtij vendi dhe mirëqenien e kësaj popullate, por në një mënyrë apo tjetrën, pushteti duhej të ishte më i rëndësishëm, ashtu sikur po e ëndërron dhe çmon kjo opozitë.
Në këtë atmosferë të brishtë do të fitojnë gjithmonë kundërshtarët dhe armiqtë e Kosovës, dhe pse kundërshtitë e brendshme politike pozitë-opozitë, mund të merren parasysh dhe si të shëndetshme ndonjëherë, por ato në veçanti kur bëhet fjalë për kauza madhore dhe në favor të vendit, nuk duhet të lejohen të kalojnë në ngërçe politike dhe strategjike me pasoja të rënda, të cilat kërkojnë kurim të mundshëm, por pa rënë në «vdekje klinike», ku ekzistenca njerëzore vihet në pikëpyetje, thekson Preqi.
Në fund analisti potencoi se, në asnjë qeveri të mëhershme qëllimet bazë dhe kriteret e vlerësimit nuk kanë qenë më të favorshme dhe më realiste në kuptimin e krahasimit me qeveritë e kaluara.
“Zgjedhjet e parakohshme janë e nuk janë opsion i përshtatshëm për t’u realizuar në Kosovë, apo ti quajmë si jetike dhe themelore e rregullim jetësor të besueshëm, përkundrazi, mendojmë se ka diçka, që nuk shkon brenda saj, por të kemi kujdes edhe pse brenda kësaj qeverie ka mangësi të natyrave të ndryshme të qeverisjes, por në asnjë qeveri të mëhershme qëllimet bazë dhe kriteret e vlerësimit nuk kanë qenë më të favorshme dhe më realiste në kuptimin e krahasimit me qeveritë e kaluara”, përfundoi analisti.