“Ngushtimi i manovrimit të Aleksandër Vuçiqit”| Eksperti me parashikim të errët për presidentin serb

Politika

“Ngushtimi i manovrimit të Aleksandër Vuçiqit”| Eksperti me parashikim të errët për presidentin serb

Nga: N. Sh. Më: 21 maj 2024 Në ora: 23:24
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Analisti politik dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai thotë se, ndërkombëtarët tash e sa kohë e kanë toleruar dhe përkëdhelur Serbinë, duke shtuar se kanë bërë tepër shumë lëshime, e që ato politikat e tyre deri më tani nuk po japin rezultatet e pritura.

Sipas tij, tani e tutje pritet që ndërkombëtarët ta ndërrojnë mënyrën e ndërmjetësimit dhe të jenë më konkret në kërkesat e tyre, që Serbia po e refuzon pajtimin dhe më tutje me qëndrimet e saj, edhe që Kosova po pranon krijimin e Asociacionit në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

“Me deklarimin e Serbisë për mos pranim të draft-dtatutit për Asociacionin po krijohen rrethanat reale dhe të domosdoshme për masa konkrete nga Bashkësia Ndërkombëtare për fillim të ndëshkimit me izolim për regjimin e Aleksandër Vuçiqit, pasi që tani më nuk ka asgjë për të fshehur, por me të gjitha veprimet është duke e dëshmuar se është ai dhe qeveria e tij që po e pamundësojnë ecurinë e dialogut të ndërmjetësuar nga SHBA dhe BE, edhe pse Kosova është pajtuar, madje së fundi zotuar për të vepruar edhe në temën e Asociacionit”, thotë Tërnava.

Ai shton se, Vuçiqi po i ndryshon qëndrimet, dhe ai ka reaguar ndaj deklarimeve të ambasadorit të SHBA-së, sa i përket parimeve mbi të cilat SHBA mbështet themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e që bazohen në ligjet dhe kushtetutën e shtetit të Kosovës.

“Ambasadori amerikan Hovenier duke folur për Asociacionin, ka thënë se ekziston një urgjencë, dhe ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejtë, por vetëm sipas asaj që e garanton dhe siguron Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet ekzistuese. Ai ka thënë se draft-statuti i prezantuar nga Bashkimi Evropian “përputhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, dhe se “nuk krijon autoritete ekzekutive apo kompetenca për Asociacionin”. Po duket se, po shkon duke ju ngushtuar rrethi i manovrimit dhe mashtrimit politik e diplomatit trashëgimtarit të politikës së Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, i cili është toleruar për gjithë këto vite duke mashtruar ndërkombëtarët”, potencon ai.

Eksperti shton se, një veprim i tillë ndërkombëtar do ta vetëdijesonte popullin serb për ndryshime rrënjësore, sepse Serbia me politikat nacionaliste nga udhëheqësit e saj, po vazhdon udhëheqjen dhe me këtë po i dëshmon politikat nacionaliste serbe si në kohën e Millosheviqit, në hasmëri me të gjithë regjionin.

“Kjo politikë e Vuçiqit gjithnjë do të krijojë konflikte shtetërore me shtete të ndryshme e sidomos me shtetet fqinj që është e rrethuar me to, prandaj ndërkombëtarët i kanë të qarta këto politika serbe, sepse luftërat e tëra Ballkanike gjithnjë e kanë pasur gjenezën e tyre te ky shtet i quajtur Serbi. Dhe nëse shtetet me ndikim, bashkësia ndërkombëtare që në të kaluarën kanë investuar më shumë mjete financiare në Serbinë, duhet të vendosin që më të mos investojnë, përkundrazi me kërkua prej Serbisë edhe që tua kthej ato investime, ky ka me qenë shkaku që Serbia do t’i pranojë pastaj të gjitha kërkesat prej ndërkombëtarëve, për një pajtim të mundshëm me Kosovën”, përfundon eksperti Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat