Demarkacioni bën bashkë përsëri Vetëvendosjen, AAK-në e Nismën

Politika

Demarkacioni bën bashkë përsëri Vetëvendosjen, AAK-në e Nismën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 korrik 2016 Në ora: 14:25
Foto arkiv

Ende nuk dihet nëse Kosova do të humbasë mundësitë e ofruara për integrime evropiane. Ndonëse Kryesia e Kuvendit ditë më parë, vendosi  që të mbajë një seancë parlamentare pas datës 3 gusht rreth çështjes së demarkacionit, ende nuk dihet se kur do të zhvillohet kjo seancë dhe nëse aty do të jenë të pranishëm të gjitha palët, pasi ky takim u caktua pikërisht në kohë pushimesh.  Kohë më parë nga zyrtarë të kuvendit është bërë e ditur se pushimet nuk do të fillojnë pa përfunduar gjitha punët, duke përfshirë edhe ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion.

Ndërsa ky debat ka bërë që përsëri të bashkohen partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK e Nisma të cilat të kontaktuar nga gazeta “Bota sot” kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë debat.

Sipas tyre, ato do të jenë çdo herë pjesë e debateve që kanë të bëjnë me çështjen e demarkacionit.

Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së AKK-së ka thënë se nëse debati do të jetë ashtu siç është kërkuar,  debat shkencor e profesional për demarkacionin, atëherë AAK-ja do të marr pjesë.

“ Por nëse ndokush provon të luaj me këtë nismë,  sigurisht se nuk do të jemi pjesë e saj”, ka thënë Nitaj.

Ndryshe Time Kadrijaj deputete nga AAK-ja ka thënë se por sipas informatave ashtu siç e kanë cenuar dhe degraduar këtë proces  qeveria ka filluar ofensivë me pseudo ekspertë dhe me ekspert të shitur dhe të shantazhuar që ata të deklarohen pro këtij demarkacioni.

 “Ne si AAK, çdo vendim e marrim në organet e partisë dhe me koalicionin. Ky veprim do të merret konform vendimeve paraprake të partisë. E sa për proceset evropiane këtu fajin e kanë qeveria, pasi ata janë përgjegjësit kryesore që vendin e kanë sjellë në situatë të tillë”, ka thënë Kadrijaj.

Zafir Berisha deputet nga Nisma ka thënë se në mbledhje ku trajtohet kjo çështje sigurisht se do të marrim pjesë, sepse kjo është kauzë e jona e jo dhunë, sepse nuk kemi përdorur deri tash, e as në të ardhmen nuk do të përdorim.

Ai ka thënë se Kosova veç e ka të humbur mundësinë e shpejtë për integrime në BE dhe NATO sepse në krye të institucioneve është krimi i organizuar.

“ Jo rastësisht në gjitha raportet ndërkombëtare por edhe gjatë vizitave të zyrtarëve të lartë perëndimor folët për luftimin kundër krimit të organizuar dhe depolitizimin e institucioneve të pavarura që jetë teje mase të politizuar”, ka thënë deputeti  Berisha.

Deputeti i VV-së Rexhep Selimi pa dashur të jep më shumë sqarime rreth kësaj çështje ka thënë se VV- çdo herë do të marr pjesë në takime e debate sa i përket çështjes së demarkacionit.

“Për demarkacion cdo herë jemi të gatshëm të marrim pjesë, në çdo kohë dhe kudo qofshim”, ka thënë deputeti Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat