Kosova ka ende, karta të padjegura

Politika

Kosova ka ende, karta të padjegura

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 gusht 2016 Në ora: 17:47
Kuvendi i Kosovës

“Ne e dimë që Kosova nuk ka shumë mundësi për ta kushtëzuar Serbinë, mirëpo ka ende disa karta të padjegura. E para ka të bëjë me kushtëzimin e bashkësisë ndërkombëtare që pa njohje të Kosovës nuk ka BE për Serbinë dhe e dyta ka të bëjë me ndalimin e importimit të mallrave serbe, po që se ajo vazhdon të vendos barriera për integrimin e Kosovës në mekanizmat e ndryshëm. Shteti ynë duhet të kushtëzojë përmes formës diplomatike, marrë parasysh se edhe përkrahja ndërkombëtare nuk mungon”, ka thënë analisti Albrim Badallaj.  

Kosova nuk do të duhej të futej në bisedime me Serbinë para se ajo ta njihte Kosovën si shtet.  Të paktën, sipas analistëve të politikës. Duke e marrë parasysh se starti i bisedimeve, ka qenë me kushte minimale, Serbisë i është lënë  një hapësirë  e mjaftueshme,  që në vazhdimësi  t’i rrisë kërkesat dhe oreksin e vet  strategjik ndaj Kosovës.  Analistët politikë vlerësojnë se në vazhdën e bisedimeve, për t’u zhvilluar ato ndërmjet dy shteteve, është dashur të kërkohen dëmshpërblimi e kërkim falja për krimet e luftës, kthimi i dokumenteve të regjistrit civil dhe kadastral, si dhe shuarja e strukturave paralele serbe që veprojnë në Kosovë, e më pas edhe një formatim të ri për bisedime. Sipas tyre, Kosova ka qenë tejet e dobët në përfaqësim diplomatik, duke bërë kompromise karshi palës serbe, e nga ana tjetër ende nuk e ka fituar një status të definuar për shtetin dhe sovranitetin e integritetin territorial.  Ata po ashtu pohojnë, se gjatë gjithë këtyre bisedimeve nuk ka pasur reciprocitet, marrë parasysh faktin se asnjëherë nuk është trajtuar me seriozitet çështje e Luginës së Preshevës, ashtu siç është trajtuar pjesa veriore e Kosovës.

Blerim Grainca deputet nga LDK-ja, ka thënë se bisedimet me Serbinë po zhvillohen me ndërmjetësimin e Brukselit dhe si të tilla duhet të kenë edhe afate për zbatimin e marrëveshjeve. “Serbia është e njohur për vonesat e qëllimta dhe kjo duhet të vihet parasysh dhe ti bëhet presion dhe kushtëzime nga Brukseli. Kosova normalisht se duhet të kërkoj dhe insistoj për implementim të marrëveshje dhe varësisht nga rrethanat dhe mundësit edhe të insistoj tek Brukseli”, ka thënë Grainca.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Enjten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat