Krasniqi: Thaçi dhe Veseli, ideuesit e krimit dhe korrupsionit

Politika

Krasniqi: Thaçi dhe Veseli, ideuesit e krimit dhe korrupsionit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 gusht 2016 Në ora: 17:17
Foto ilustrim nga "Bota sot"

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë planifikuesit dhe ideuesit e krimit dhe korrupsionit, ndërsa Adem Grabovci është thjeshtë ekzekutues. Këtë e ka pranuar edhe vetë Grabovci. Dorëheqja e tij nënkupton edhe pranimin e fajit. Tash, nuk ka kuptim që të mos japin dorëheqje edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli”, ka thënë sekretari i VV-së, Frashër Krasniqi.  Ai shton, se nuk mund të ketë luftim të krimit e korrupsionit në Kosovë, e as brenda PDK-së, pa u larguar së paku këta dy njerëz.

Luftimi i krimit dhe korrupsionit është një nga sfidat më të mëdha në Kosovë. Megjithatë, ato vazhdojnë të jenë të pranishme në mase të madhe, në çdo fushë, e këtë e kanë dëshmuar edhe përgjimet e fundit të publikuara në media. Përgjimet, me personazh kryesor Adem Grabovcin nga Partia Demokratike e Kosovës, tregojnë punësimet që janë bërë bë ndërmarrje të ndryshme publike. E, pas një numri të përgjimeve të publikuara dhe protestave që u bënë dhe do të vazhdojnë nga shoqëria civile, shefi i Grupit Parlamentar të PK-së, i përfshirë në përgjime, Adem Grabovci, dha dorëheqje nga ky post.

Por, në këto përgjime janë të përfshirë edhe njerëz të tjerë të PDK-së, dhe ndaj tyre nuk është ndërmarrë asnjë masë.   Lidhur me këtë, analisti politik Faik Krasniqi, i ka thënë gazetës “Bota sot”, se është e paimagjinueshme që PDK-ja të marrë masa ndaj zyrtarëve që dyshohen për afera korruptive dhe kriminale, duke e ditur se pjesë e këtij klani të involvuar në vepra të pista janë zyrtarët më të lartë të kësaj partie.  “Nëse ata marrin masa, atëherë i bie që ata të fusin në burg vetveten. Por, akoma më të çuditshme po më duken edhe deklaratat e ndërkombëtarëve.

Gjithmonë retorikë e njëjtë e Bashkësisë Ndërkombëtare: Luftojeni korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kujt po i thonë ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar? Atyre që janë përgjegjës për instalimin e korrupsionit. Kemi kryetarë komunash nga PDK-ja që janë të dënuar nga Gjykatat, por të njëjtit vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre thua që s'ka ndodhur asgjë”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, analisti Faik Krasniqi ka përmendur edhe rastin e kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës, që sipas tij, në vend se të japë dorëheqje, ai bën reformatim, duke shkarkuar drejtorë.  “Për të filluar pastrimi i skenës politike në Kosovë, pikë së pari dorëheqje të parevokueshme duhet të japin të gjithë të involvuarit në aferën tashmë të njohur ''Pronto'', dhe të njëjtit të ndiqen penalisht nga organet e drejtësisë.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të shtunën dhe të dielën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat