DPA: BE-ja po përpiqet ta ruajë ndërmjetësimin mes Kosovës dhe Serbisë

Politika

DPA: BE-ja po përpiqet ta ruajë ndërmjetësimin mes Kosovës dhe Serbisë

Më: 24 janar 2017 Në ora: 20:21
Foto arkiv, bisedimet Kosovë- Serbi

Agjencia Gjermane e Lajmeve “DPA” , sot i ka kushtuar një artikull interesant nisjes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Për vite me radhë Brukseli ndërmjetëson mes Serbisë dhe Kosovës, por nga shumë kompromise nuk u zbatua pothuajse asgjë dhe tani marrëdhëniet kanë ardhur në pikën zero, shkruan DPA.

Krerët e shteteve të BE-së kanë ftuar në Bruksel liderët e qeverive të Serbisë dhe Kosovës, për të ruajtur sadopak suksesin e ndërmjetësimit që ka mbetur deri më tani midis dy fqinjëve. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, takon në mbrëmje në Bruksel, kreun e shtetit serb, Tomisllav Nikoliq dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiq dhe homologët e tyre të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

Marrëdhëniet mes dy ish-vendeve jugosllave janë për momentin shumë të ftohta. Kosova kishte penguar një tren propagandues serb, për të kaluar kufirin. Kurse, Beogradi për këtë rast ka kërcënuar me përdorimin e ushtrisë.

Problemi kryesor: Kosova e banuar ekskluzivisht nga shqiptarët është shkëputur në vitin 2008 nga Serbia dhe tashmë është njohur nga më shumë se 100 shtete, si një shtet i pavarur. Beogradi e konsideron ish-krahinë, për shkak të shumë manastireve mesjetare dhe fushëbetejave si dhe të pakicës serbe, si territor të saj.

BE-ja ka ndërmjetësuar nga viti 2013 kompromise të shumëllojshme të vogla, pa trajtuar këto problemet kryesore në mënyrë thelbësore. Përveç kësaj, edhe marrëveshjet e vogla ne pjesën më të madhe nuk u zbatuan.

Problemet kryesore dhe të pazgjidhura, si dhe marrëveshjet e paplotësuara, sipas kësaj agjencie të lajmeve, janë këto:

– Të drejtat e pazgjidhura pronësore, për shembull, miniera “Trepça” ose Brezovica në Kosovë

– Furnizimi ndërkufitar i energjisë elektrike dhe ujit

– Lëvizja e lirë e qytetarëve

– Krijimi i “Shoqatës së komunave serbe”, që ka për qëllim perceptimin e interesave të pakicës në Kosovë

– Tërheqja e Republikës së Serbisë nga veriu i Kosovës, ku pakica serbe përbën shumicën lokale

– Sistemi gjyqësor në veri të Kosovës

– Hapja e urës simbolike dhe të qëndrueshme mbi lumin Ibër, në qytetin e ndarë të Mitrovicës

– Ekstradimi i ish-udhëheqësve të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë për shkak të një urdhër-arresti serb.

Por, sipas kësaj agjencia, Brukseli mban në dorë një mundësi presioni.

“Në Kosovë është duke punuar misioni më i madh i vendeve të BE-së (EULEX) dhe aty është forca e udhëhequr nga NATO, KFOR, e cila ofron siguri. Kurse, kandidati i BE-së, Serbia, do të hapë kapituj të mëtejshëm për pranim, derisa Kosova dëshiron të arrijë liberalizim të vizave”, shkruan DPA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat