"Lufta e shtrigave", kujt po i konvenon mbajtja e Haradinajt në Francë?!

Politika

"Lufta e shtrigave", kujt po i konvenon mbajtja e Haradinajt në Francë?!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 janar 2017 Në ora: 12:10
Ramush Haradinaj duke hyrë në Gjykatë në Francë

“Për mos lirimin e Ramush Haradinajt nga Francë që është shtet mik i Kosovës, me një fletarrest të Serbisë, kur dihen krimet dhe gjenocidet e kryera nga Serbia, duhet pyetur autoritetet e Francës pse ai nuk po lihet i lirë që të kthehet në Kosovës. Por, ajo çka mund të themi ne për këtë rast është se ky është një lloj i abuzimit me ligjin nga disa qarqe e njerëz, krejt kjo për interesa politike të dikujt që i konvenon mos prezenca e z.Haradinaj në Kosovë” thotë Lekaj për “Bota sot”.

Po bëhet pothuajse një muaj që nga arrestimi i kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë si pasojë e një fletarresti të bërë nga Serbia.

Ish kryeministri, Ramush  Haradinaj ishte liruar vetëm me kusht, ndërsa procesi për lirimin e plotë të tij ende nuk është paralajmëruar.

Ndaj zvarritjes së procesit për Haradinajn, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte shprehur zhgënjimin e saj.

AAK-ja është shprehur e dëshpëruar me komoditetin e autoriteteve franceze të gjyqësisë, që sipas tyre po lejojnë që Serbia , të luajë me parimin e jurisdiksionit universal dhe t’i zvarrisë sa më shumë të jetë e mundur procedurat kundër Haradinajt, e të cilat në fakt nuk janë asgjë tjetër përpos lojës politike me Haradinajn dhe me Kosovën.

Abuzim me ligjin

Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, thotë se arsyen pse nuk lirohet ende Haradinaj duhet pyetur autoritetet franceze.

Sipas Lekajt, ky rast është një lloj abuzimi me ligjin nga disa qarqet e njerëzve për interesat politike.

“Për mos lirimin e Ramush Haradinajt nga Francë që është shtet mik i Kosovës, me një fletarrest të Serbisë, kur dihen krimet dhe gjenocidet e kryera nga Serbia, duhet pyetur autoritetet e Francës pse ai nuk po lihet i lirë që të kthehet në Kosovës. Por, ajo çka mund të themi ne për këtë rast është se ky është një lloj i abuzimit me ligjin nga disa qarqe e njerëz, krejt kjo për interesa politike të dikujt që i konvenon mos prezenca e z.Haradinaj në Kosovë” thotë Lekaj për “Bota sot”.

Lekaj  shprehet se është tepruar me këtë situatë, prandaj kërkon nga ata që janë të përfshirë në këtë, duhet të heqin dorë.

“Ne theksojmë se është tepruar me këtë situatë dhe edhe në këto momente i bëjmë thirrje të gjithëve që janë përfshirë në këtë maskarad në emër të ligjit, që të heqin dorë nga "lufta e shtrigave" dhe t'i mundësohet ish-kryeministrit Haradinaj të kthehet në vendin e vet, pranë familjes e qytetarëve të vet” potencon Lekaj.

Arrestimi i Haradinajt i lidhur me Gjykatën Speciale!

Që nga arrestimi i Ramush Haradinajt nga autoritet, në shumë qendra të Kosovës dhe jashtë saj, mbështetës të tij kishin  protestuar  duke kërkuar lirimin e tij. 

Në një prej protestave të organizuara në Prishtinë, ka qenë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani.

Hasani kishte dalë në protestë bashkë me familjen e tij, ndërsa kishte thënë se nuk duhet toleruar më këto arrestime.

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani arrestimin e Haradinajt e ka lidhur me Gjykatën Speciale.

 “Çështja e Ramush Haradinajt është tash një çështje politike edhe e Serbisë edhe Gjykatës Speciale, këtë gjykatë e ka miratuar kuvendi i Kosovës” shprehet Hasani.

Sipas Hasanit, kjo çështje ka qenë, është dhe do të jetë politike.

“Kjo çështje ka qenë, është dhe do të jetë politike. Gjykata Speciale është krijuar për ta gjykuar luftën tonë, luftën e UÇK-së për ta barazuar gjenocidin. E, tash e gjithë lufta do të përballet me Gjykatën Speciale kinse për krimet e luftës dhe këto akuza i bëjnë vetëm prokurorët serb që vijnë nga shteti kriminal” potencon Hasani.

Ai nuk dëshiroi të komentonte se përse në Slloveni, Haradinaj është liruar brenda dy ditësh e kjo gjë nuk ndodh në Francë, mirëpo sipas tij duhet liruar Haradianj ashtu siç nuk duhet dyshuar në luftën e pastër të UÇK-së.

“Nuk dua të komentoj se përse në Slloveni është liruar brenda dy ditësh e në Francë jo, ajo çfarë mund të them është se nuk duhet dyshuar në luftën e pastër të UÇK-së dhe Haradinaj duhet të lirohet” pohoi Hasani.

Franca nën ndikim të Serbisë

Ndërsa, ish ushtari i UÇK-së tashmë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi, thotë se vërehet qartë që Haradinaj është duke e u mbajtur padrejtësisht dhe është i ndaluar politikisht nga organet e drejtësisë franceze.

“Mendoj se tashmë vërehet qartë se z.Haradinaj po mbahet padrejtësisht dhe politikisht si i ndaluar nga organet e drejtësisë franceze. Ne të gjithë jemi dëshmitar se z.Haradinaj është akuzuar nga Gjykata e Hagës, për krime lufte dy herë është përballur me drejtësinë ndërkombëtare dhe në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat” shprehet Qeriqi.

Ai thotë se shteti i Francës nuk është dashur t’i zbatojë këto urdhër-arrestet e Serbisë sepse janë të pabaza dhe të qëllimshme.

“Shteti i Francës, shtet ky shtet ky mik i Kosovës, nuk është dashur t’i zbatojë urdhër-arrestet e Serbisë, sepse këto urdhër- arreste janë të pabaza dhe të qëllimshme, vetëm për ta njollosur luftën e UÇK-së dhe eprorët e saj. Të gjithë jemi dëshmitar se kush ka kryer krime në Kosovë,është makineria e ushtrisë dhe policisë serbe të cilat kryen masakra, djegje dëbime masive, gjenocid e deri te spastrim etnik të popullatës shqipëtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të drejtë dhe të pastër” pohon Qeriqi.

Ai shpreh habinë e tij se si një shtet sikurse Franca bie në ndikim të Serbisë që akuzon njerëz pa ndonjë bazë apo provë.

“Të gjithë jemi dëshmitar se shteti Serb kishte akuzuar dhe dënuar shumë liderë botërorë nëse nuk gaboj edhe ish Presidentin francez, a thua edhe këta liderë paskan kryer krime, nuk po mundem ta kuptoj as vetë se si një shtet si Franca bie në ndikim të Serbisë e cila akuzon njerëz pa asnjë bazë dhe me prova të fabrikuara. Të gjithë e dimë se me këto urdhër arreste të Serbisë ka pasur ndalesa të ish eprorëve të UÇK-së, në shtetet e tjera, mirëpo me procedura të përshpejtuara janë liruar të gjithë ata eprorë” shprehet Qeriqi.

Qeriqi shton se zvarritja e rastit për ndalimin e Haradinajt është i qëllimshëm i padrejtë dhe politikë, prandaj kërkon lirimin e tij.

“Zvarritja e rastit të ndalimit të zotit Haradinaj nga organet e drejtësisë franceze është i qëllimshëm i padrejtë dhe politikë. Kërkesa e ynë drejtuar shtetit mik francez dhe drejtësisë atje është që ta lirojnë Gjeneralin Ramush Haradinajn, sepse nuk kanë asnjë pikë arsye që ta vonojnë më shumë” përfundon Qeriqi.

Ramush Haradinaj është ndaluar në Francë më 4 janar, ndërsa është liruar me kusht më 12 janar, lirim ky që ia kufizon lëvizjet, ai duhet të qëndrojë në Francë dhe të paraqitet dy herë në javë në policinë franceze./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat