Loja me publikimin e financave, fondet e dyshimta të partive politike

Politika

Loja me publikimin e financave, fondet e dyshimta të partive politike

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 30 janar 2017 Në ora: 15:20
Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar raportet financiare, duke i kërkuar KQZ-së që këto pasqyra  të dorëzuara në KQZ të jenë publike.

Këtij publikimi i ka paraprirë një status i Kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, i cili ka deklaruar se LDK-ja është transparente sa i përket çështjes së financave.

Kërkesa e kryeministrit Mustafa

“Një kërkesë shumë e qëlluar që pasqyrat financiare të subjekteve politike të bëhen transparente. Por edhe të auditohen. Si kryetar i LDK-së kam kërkuar nga zyrtarët përgjegjës të LDK-së të kërkojnë zyrtarisht nga KQZ-ja që pasqyrat financiare të LDK-së të dorëzuara në KQZ të jenë publike dhe të qasshme për çdo qytetar. Do të aktivizojmë edhe Webfaqen e LDK-së dhe do të prezantojmë çdo cent të shpenzuar për partinë”.

Mirëpo, Kryeministri Mustafa nuk e ka kursyer thumbimin karshi subjekteve të tjera politike.

“Shpresoj se edhe subjektet të cilat po lavdërohen se i kanë bërë publike pasqyrat e tyre financiare do të pasqyrojnë se me cilat para dhe nga cilat burime është financuar gazi lotsjellës, shishet e molotovit, sferat e qelqit, mekanizmat për rrotullimin e automjeteve, protestat e dhunshme… Burimet e financimit të subjekteve politike dhe shpenzimet e tyre duhet të jenë transparente”, është shprehur ai.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka publikuar raportet e saj financiare.

Në një komunikatë për medie, kjo parti ka bashkëngjitur katër raportet, të ndara në tremujore, për buxhetin e vitit 2015. Sipas afateve ligjore, PDK-ja paralajmëron se do t’i publikojë raportet financiare të vitit 2016 më së largu deri më 31 mars të këtij viti.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i kishin të publikuara këto raporte edhe më herët.

Mllef ndaj Vetëvendosjes

Faton Topalli, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se ishin pikërisht partitë e koalicionit që penguan auditivin e raporteve financiare të tyre.

“Nuk e di pse Kryeministri dhe Kryetari i LDK-ës duhet të kërkoj nga KQZ t’i publikoj raportet financiare të partisë së tij, kur këtë mund ta bëj vet në webfaqen që nuk e ka e që është obligim ligjor ta ketë. KQZ publikon vetëm raportet e audituara, një auditim që nuk është bërë për shkak që partitë e koalicionit nuk e kanë dëshiruar, respektivisht e kanë penguar. Mospublikimi i raporteve financiare partiake jo vetëm që shkel standardet për transparencë por len edhe shumë dyshime”, ka thënë Topalli për “Bota sot”, duke iu kundërpërgjigjur deklaratës së Kryeministrit Isa Mustafa.

Më tej, Topalli e ka quajtur mllef ndaj Vetëvendosjes deklaratën e Kryeministrit sa i përket financave.

“Unë e kuptoj reagimin e z. Mustafa më shumë si mllef karshi Lëvizjes Vetëvendosje nga e cila e humbi Komunën e Prishtinës dhe së shpejti besoj edhe qeverisjen nacionale se sa si një reagim përmbajtjesor. Fakt është që në raport me financat partiake jemi shumë korrekt me ligjin, ndërsa partia që drejton Mustafa jo”, është shprehur ai.

AAK me të hyra vetëm nga Kuvendi e KQZ-ja

Ndërkaq, Muhamet Kelmendi, anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se AAK nuk ka të hyra të tjera përpos atyre që vinë nga Kuvendi e KQZ-ja.

“Unë nuk jam marre fare me çështjen e financave të partisë, pra, te AAK. I takoj një fushe tjetër të udhëheqjes së saj. Po e di se AAK veç të hyrave nga Kuvendi i Kosovës mbi bazën e numrit të deputeteve nuk ka të hyra tjera. Është një parti që po vuan shumë për mjete financuare dhe të them të drejtën çdonjëri nga anëtarët e kryesisë i bartë vet shpenzimet. Kjo ka bërë që ne përveç që jemi anëtarë të kryesisë edhe punojmë në vende të ndryshme në mënyrë që të garantojmë shpenzimet për familje dhe për pune. Mbi të ardhurat që jepen nga kuvendi sipas përfaqësimit të partisë në Kuvend duhet dhe raportohet rrjedhimisht. Përndryshe ndalen mjetet që duhet dhënë. Shpenzimet tjera i bartim vet. Natyrisht se AAK jep raport të rregullt për të hyrat e veta pran organit kompetent”, ka thënë Kelmendi.

Fondet e dyshimta të partive politike

Sipas analistit Albrim Badallaj, çështja e financimit të partive politike është dashur të trajtohet prej kohësh, meqë, sipas tij,  jo-rrallëherë krimi i organizuar fillon nga partitë në bashkëpunim me bizneset e ndryshme.

“Iniciativa për transparencën sa i përket financimit të partive politike është për t'u përshëndetur, duke e ditur se ka ardhur me presion ndërkombëtar. Deri më tani financimi i partive ka qenë jopublik dhe kësisoj pastaj donatorët,që zakonisht vijnë nga bota e biznesit, kanë mundur edhe të favorizohen në tendere të ndryshme”, ka thënë Badallaj.

Duke komentuar deklaratën e Kryeministrit Mustafa, Badallaj ka thënë se nëse i njëjti këtë sulm e ka bërë si i pari i Qeverisë është e pranueshme.

“Mirëpo nëse këtë deklaratë e ka bërë në cilësinë e kryetarit të LDK-së, atëherë kjo më tepër është bërë për konsum mediatik dhe njëkohësisht nuk është e ndershme, meqë edhe vet LDK-ja nuk ka transparencë në këtë drejtim, për fat të keq. Ne e dijmë që jemi në një vit zgjedhor, atë të zgjedhjeve lokale dhe potencialiasht edhe atyre parlamentare dhe kritikat janë në rritje, mirëpo sa I përket transparencës së financimit të partive politike, të gjitha lënë shumë për të dëshiruar. Kur do ketë transparencë në këtë drejtim, atëherë edhe pushtetet lokale por edhe ai qeveritar do të jenë të vështirë t'i favorizojnë bashkëpunëtorët e tyre nga biznesi dhe njëkohësisht edhe fushatat parazgjedhore do të jenë më të zbehta. Ato biznese që do financojnë parti të caktuar, do të identifikohen hapur si përkrahës të asaj partie”, është shprehur ai.

Po ashtu,  Badallaj, ka përmendur edhe fondet e dyshimta që mund t'i marrin partitë.

“Mos të flasim pastaj për edhe fondet e dyshimta që mund t'i marrin partitë tek ne, e sidomos ato që kanë për qëllim destabilizimin e vendit, e këto "ndihma" mund të kenë prejardhje edhe nga organizatat e huaja, jashtë vendit”, ka theksuar ai.

Kurse, analisti Blerim Burjani ka thënë se disa subjekte politike, i bëjnë publike disa donatorë që nuk janë të rëndësishëm.

“Transparence nuk ka fare, por ka lojëra. Disa subjekte i bëjnë transparente disa donatorë që nuk janë edhe aq të rëndësishëm dhe nuk janë donatorë të mëdhenj të tyre e disa nuk i bëjnë publik. Dihet publikisht se nuk përfaqësojnë klasa ekonomike p.sh klasën e varfër, të mesme apo të pasur. Shpesh ndodhë që të gjitha subjektet politike të kenë një donator të vetëm këto parti nuk kanë anëtarësi të tyre pra vetëm në letër që do të duhej te ishin edhe financues te aktiviteteve të tyre , por kjo nuk vlen për Kosovën , të gjitha partitë financohen nga biznesi”, ka thënë Burjani.

Ndryshe, këto ditë është raportuar se publikimi i raporteve financiare të subjekteve politike, ka ardhur vetëm pas një kërkese zyrtare të zyrës së BE-së në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat