Mes tensionesh të mëdha, çfarë duhet të bëhet për formimin e ushtrisë?!

Politika

Mes tensionesh të mëdha, çfarë duhet të bëhet për formimin e ushtrisë?!

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 31 janar 2017 Në ora: 15:42
Foto ilustrim

Në pakon e ish-kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, ishte paraparë që të Kosova do t'i formojë forcat e armatosura, por kjo ende nuk ka ndodhur. Kjo meqë tani me Kushtetutën e vendit duhet që të ketë 70 % të votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës pro këtij ndryshimi.

Njohësit e sigurisë vlerësojnë se pengesa kryesore për formimin e Ushtrisë së Kosovës, është Lista Serbe,  e cila nuk i përfaqëson interesat e shtetit të Kosovës, por të Serbisë.

Për formimin e Ushtrisë së Kosovës, ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili përmes një postimi në Facebook së fundmi, ka thënë se formimi i ushtrisë do të jetë faktor i fuqishëm për ruajtjen e paqes dhe ballafaqimin me sfidat rajonale e globale.

“Prania e KFOR-it amerikan në Kosovë është garanci e stabilitetit në krejt rajonin, ndërkaq formimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim me SHBA-të dhe vendet tjera mike në kuadër të NATO-s, do të jetë faktor i fuqishëm për ruajtjen e paqes dhe ballafaqimin me sfidat rajonale e globale me të cilat mund të ballafaqohemi së bashku me vendet demokratike” ka shkruar Mustafa në Facebook.

Tërnava: Për ushtrinë duhet të ndërrohet Kushtetuta

Duke folur për çështjen në fjalë për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve të Sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se pengesa kryesore për formimin e Ushtrisë së Kosovës është Lista serbe. Ai poashtu ka thënë se formimi i Ushtrisë është i vështirë edhe me Kushtetutën që e ka vendi.

“Pakoja e Ahtisarit e konvertuar në Kushtetutën e Kosovës, me Listën Serbe, është pengesa kryesore për formimin e ushtrisë së Kosovës. Sipas Kushtetutës se tanishme, është e vështirë që të transformohet FSK në ushtri, sepse Lista Serbe duhet të votojë mbi 70%  për formimin e ushtrisë,  e kur dihet botërisht se Lista Serbe i kryen detyrat të cilat ia jep shteti i Serbisë, kjo listë,  nuk i përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës”, ka pohuar Tërnava për “Bota sot”.

Sipas Tërnavës, Serbisë nuk i konvenon formimi i ushtrisë së Kosovës, prandaj bën çmos që përmes Listës Serbe të pamundësojë krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Në rrethanat e tanishme të tensionuara mes Serbisë dhe Kosovës, po tregohet se sa më parë duhet të gjendet mënyra e formimit të ushtrisë. Serbisë nuk i konvenon formimi i ushtrisë së Kosovës, prandaj bën çmos që përmes Listës Serbe të mos krijohet Ushtria e Kosovës. Tani për formimin e ushtrisë,  duhet të ndërrohet Kushtetuta,  apo mes ligjit të ushtrisë të gjendet mundësia sa më parë e shndërrimit të FSK-së në ushtri të Kosovës”, ka thënë Tërnava për Bota sot.

Shala: FSK gati për transformim në FAK

Ndërsa, Koordinatori i Akademinë ushtarake nga Danimarka, Drizan Shala ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës për t’u bërë Ushtria e Kosovës, po e pengon politika.

Sipas tij, transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës nuk është “peng” i punës së përgatitur për transformim brenda FSK-së, por i vendimmarrjes politike apo ndonjë kontelacioni rrethanash gjeopolitike jashtë nesh.

“Nëse ju referohemi raporteve të punës brenda vetë Ministrisë së Forcës dhe asistencës profesionale-teknike të mekanizmave si: DIRI, DIP, NALT, etj., atëherë FSK-ja ka përfunduar pjesën përkatës të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë një punë mbi 2 vjeçare dhe ka dorëzuar raportin final të rekomandimeve për transformim të FSK-së në FAK në prill të vitit 2014.

I njëjti është miratuar dhe nënshkruar nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës për kohen në fjalë po ashtu referuar raporteve të punës së MFSK-së me vendimin e Ministrit të FSK z. Demolli është miratuar kursi i veprimit sipas të cilit do bëjë ky transformim”, ka thënë Shala për "Bota sot".

Gjithashtu, Shala ka thënë se bazuar në këtë kurs veprimi, nga Departamenti përkatës për Transformim është përgatitur plani gjithëpërfshirës i transformimit të FSK-së në FAK, sipas të cilit duhet një periudhë kohore afro 10 vjeçare e ndarë në faza, brenda të cilave planifikohen të arrihen kapacitete operacionale në personel, pajisje, trajnime, infrastrukturë mbështetëse etj. për të përmbushur misionin e ardhshëm të Forcës.

Për më tepër, ai ka shtuar se East Bridge Academy nga Danimarka ka ofruar një plan dinamik ku ky proces mund të shkurtohet në 4 deri 5 vite dhe kështu të arrihet synimi sa më parë, duke parë zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare dhe atë të Ballkanit.

“E tërë kjo është e kushtëzuar nga kostoja (buxheti) dhe drita jeshile nga vendimmarrja politike në Institucionet e Kosovës përkatësisht Parlamentit. Është gabimi më i madh në qoftë se procesi i krijimit të Forcës FAK bëhet pre e agjendave të politikave ditore ( infantile ) të qarqeve politike në Kosovë dhe Beograd. Kosova duhet të jetë më e vendosur dhe më kërkuese në raport me Brukselin për sqarimin e agjendave në procesin e stabilizimit të raporteve ndërshtetërore Kosovë-Serbi”, ka thënë Shala për “Bota sot”.

Ai ka thënë se nuk guxojnë  të shtrohen në tryezat e bisedimeve dypalëshe asetet me interes vital për shtetin siç janë Forcat e Armatosura të Kosovës si garantuese të Sovranitetit Politik dhe Integritetit Territorial si mision themelor.

“Institucionet e Kosovës duhet të gjejnë modalitete për detektimin e agjendave politike të bisedimeve në Bruksel. Duhet t’iu pri këtyre agjendave të bazuara në interesat e Shtet ndërtimit e jo të ndjek agjenda të cilat e pengojnë bërjen funksionale të Shtetit të Kosovës”, ka theksuar Shala.

Në fund, Shala ka thënë se hendikepi i parë po i bëhet ndërtimit të kapaciteteve që garantojnë identitetin tonë Shtetëror, Sovranitetin Politik, Integritetin Territorial, Statusin e subjektivitet ndërkombëtare Shtetërore dhe rolin ndikues në fuqinë diplomatike në politiken e jashtme, Forcat e Armatosura të Republikës se Kosovës.

Ndërsa, "Bota sot" ka kontaktuar edhe më anëtarët e Komisionit  për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por nuk kanë dashur të deklarohen për këtë temë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat