Pse hesht Kadri Veseli për rastin “Kiçina”?

Politika

Pse hesht Kadri Veseli për rastin “Kiçina”?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 10 shkurt 2017 Në ora: 16:59
Arsim e Burim Ramadani dhe Kadri Veseli

Faton Ramadani po vazhdon të kërkoj drejtësi për dy vëllezërit e tij, Burimin dhe Arsimin, të dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e familjes Hajra.  Në vazhdën e kërkimeve dhe deklaratave të shumta në të cilat, thotë se vëllezërit e tij janë dënuar padrejtësisht për këtë rast, Ramadani po kërkon që të publikohen të dhënat e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës, sa i përket këtij rasti.  

Faton Ramadani, ka deklaruar se duhet të publikohet raporti i SHIK-ut për rastin Hajra, në mënyrë që të analizohen faktet dhe të zbardhet e vërteta për pafajësinë e Burimit dhe Arsimit. “Hamëz Hajra ishte polic i Serbisë, sikurse Lutfi Ajazin të cilin e ka pasur në kontroll SHIK-u.  Muharem Xhemajli dhe Ymer Xhemajli i cili i dyti kishte dhënë emrin fals si Vehbi Muja kanë marrë në pyetje Hamëz Hajrën. Këtë e dëshmon deklarata e vetë Muharremit, dhënë në rastin Hajra dhe dëshmia e Hamëz Hajrës, që kishte dhënë deklaratë për Hagën”, ka thënë Ramadani për gazetën “Bota sot”.

Ramadani ka deklaruar, se janë të interesuar të dinë rreth deklaratave të Hamëz Hajrës për zhdukjen e humanistit Hafir Shala.  “Unë kam hulumtuar rreth atij raporti dhe kam zbuluar se emri Vehbi Muja është i rremë, se ishte Ymer Xhemajli, Ymeri ishte në shërbimin e TMK-së G2, ku edhe ky shërbim ka punuar për SHIK-un. Ne jemi interesuar të dimë,  se në atë deklaratë Hamëz Hajra a dinte për zhdukjen e humanistit Dr. Hafir Shalës dhe mos ishte ajo deklaratë dhe dëshmia e tij dhënë për Hagën, që u vra Familja Hajra”, ka shtuar Ramadani.  I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, lidhur me këtë çështje, z. Ymer Xhemajli nuk ka pranuar të përgjigjet.

“Ditën e mirë, zonjë apo zonjushë, unë nuk merrem me këto gjëra”, ka thënë ai dhe ka mbyllur telefonin. Po, kështu, nuk janë përgjigjur as Muharrem Xhemajli e Halil Qardaku. Ndërkaq, Faton Ramadani ka shprehur dyshimin e tij, se Hamëz Hajra u vra që të mos zbardhet e vërteta rreth vrasjes së Hafir Shalës.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të shtunën dhe të dielën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat