Daci: PDK e LDK ditën punojnë për koalicionin, natën kundër koalicionit

Politika

Daci: PDK e LDK ditën punojnë për koalicionin, natën kundër koalicionit

Më: 14 shkurt 2017 Në ora: 00:14
Nexhat Daci

Legjislaturat paraprake kanë qenë më civilizuese dhe më bashkëpunuese në favor të interesit dhe popullit. Kështu vlerëson akademik Nexhat Daci, në TribunaChannel, derisa shton se “më parë ka patur kritere për të hyrë në lista të deputetëve, duke lehtësuar që problemet e rëndësishme të zgjidhen njëzëri nga të gjitha grupacionet politike”.

Sipas tij, nuk ka pasë fërkime për çështje në interes të popullit, duke vlerësuar se “këta përfaqësues politikë janë profilizuar në kuptim të krijimit të profitit për partinë e caktuar dhe në veçanti për udhëheqësin dhe kështu ka devalvu deri në maksimum”.

Koalicionin aktual PDK-LDK-LS e quan të gabuar, dhe sipas tij gjithmonë ka patur mes dy partnerëve më të mëdhenj të koalicionit mungesë të tolerancës mes tyre, dhe kjo thotë se e ka devalvuar paskajshmërisht skenën politike në Kosovë.

“Ditën punon për koalicionin dhe natën punon kundër koalicionit. Bartësit kryesor të koalicionit nuk kanë vullnet që qeveria e sotme të ec më shpejt me rezultate dhe që parlamenti të mos jetë i suksesshëm”, shprehet Daci.

Gabim strategjik, sipas tij ka qenë pranimi i Listes Serbe në institucionet e Kosovës, duke qenë kthim mbrapa për integrimin e serbëve në Kosovë.

Ai është i bindur se marrëveshja për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi është dashtë të vendoset në rend dite në Kuvend dhe të mbyllet, pavarësisht rezultatit, pasi që thotë se “ka mundësi të përmirësohet në arbitrazh,” duke shtuar se mosveprimi pengon në hapa tjerë.

Padrejtësi historike e quan krejt atë që po i ndodhë ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë.

“Duhet të përfundojë, ka zgjatë shumë. Por zhvillimet e proceseve të këqija është vështirë të ndërpriten rrënjësisht. Besoj se tërë populli dhe institucionet kanë treguar një interesim, por është e pamjaftueshme derisa nuk vendosen standard të kufizimit të bashkëpunimit me sjelljen e kujdo qoftë”, tha Daci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat