“Dëshmitarët në Gjykatën Speciale, mund të shkaktojnë tërmet në Kosovë”

Politika

“Dëshmitarët në Gjykatën Speciale, mund të shkaktojnë tërmet në Kosovë”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 14 shkurt 2017 Në ora: 13:59
Selia e Gjykatës Speciale, Holandë

“Tërmetin e vetëm që mund ta sjell kjo Gjykatë mund të jenë deklaratat e rrema të dëshmitarëve fiktiv apo të paguar nga qarqe të caktuara, me qëllim të uljes së imazhit dhe zhvlerësimit të kontributit të personaliteteve të caktuara", ka thënë Badallaj.

Me funksionalizmin e Gjykatës Speciale, në Kosovë po paralajmërohen tensione të mundshme për shkak të akuzave që pritet të ngriten nga kjo Gjykatë.

I fundit që paralajmëroi një gjë të tillë është Agim Çeku, ish-kryeministër i vendit, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.

Çeku, i cili ishte edhe ish-Komandant i Shtabit të përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk e ka përjashtuar mundësinë e destabilizimit të vendit me shpalljen e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, megjithëse ka theksuar se drejtësia do të jetë në favor të qytetarëve.

“Pa dyshim se është një sfidë e madhe se si do të menaxhohet nga institucionet e Kosovës, si do të menaxhohet nga vetë qytetarët e Kosovës. Parlamenti i Kosovës e ka themeluar atë Gjykatë Speciale. Ne jemi të vetëdijshëm se janë ngrit disa aktakuza të pastrojmë luftën tonë, ta pastrojmë vetveten. Kushdo prej nesh që e ka atë fat që të shkojë atje jam i sigurt se në fund, epilogu i kësaj, edhe e vërteta edhe e drejta do të jetë në anën tonë”, është shprehur ai në një prononcim dhënë medieve vendore.

Gashi: Aktakuzat e para të Speciales mund të krijojnë tensione

Duke komentuar këtë deklaratë të deputetit Agim Çeku, analisti Kushtrim Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se frustrimi i qytetarëve me ngritjen e aktakuzave të para mund të krijojë tensione. Mirëpo, sipas tij, kjo është një mundësi që të dëshmohet lufta e pastër dhe e drejtë e UÇK-së.

“Gjykata Speciale, kur të ngrit aktakuzat e para vërtetë do të mund të krijojë tensione për shkak të frustrimit të qytetarëve, por nuk duhet të harrojmë se kjo gjykatë u aprovua në Kuvendin e Kosovës, gjë që i obligon institucionet e vendit për zbatimin e obligimeve që kemi marrë. Përndryshe, e kemi mundësinë që edhe njëherë ta dëshmojmë para bashkësisë ndërkombëtare që lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Do të mund të ketë individ që nuk e kanë respektuar hierarkinë dhe drejtësinë e UÇK-së, por të tillët janë shumë të rrallë”, ka thënë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Badallaj: Deklaratat e Çekut janë personale

Ndërkaq, analisti Albrim Badallaj, ka thënë se nuk beson që arrestimi potencial i ndonjë figure politike, do të ndikojë në destabilizimin e situatës.

“Nuk besoj që edhe arrestimi potencial i ndonjë figurë politike, do të ndikojë në destabilizimin e situatës, meqë qytetarët dhe vet politikbërësit të cilët e kanë votuar këtë Gjykatë, e din që ky proces është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për largimin e njollosjes së Kosovës dhe luftës çlirimtare. Kushdo qofshin ata që thirren nga kjo Gjykatë, edhe po që se janë njerëz me nam të skenës politike, nuk mund të ndryshohet agjenda shtetërore dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, meqë vendi ynë duhet të rrugëtojë me hapa të shpejtë drejt integrimeve edhe pse ka barriera të mëdha, sidomos nga ana e Serbisë”, është shprehur ai.

Sipas tij, çka do që kjo Gjykatë të gjykojë dhe kushdo qofshin ata individë që do të gjykohen, luftën çlirimtare nuk mund ta kontestojnë.

“Tërmetin e vetëm që mund ta sjell kjo Gjykatë mund të jenë deklaratat e rrema të dëshmitarëve fiktiv apo të paguar nga qarqe të caktuara, me qëllim të uljes së imazhit dhe zhvlerësimit të kontributit të personaliteteve të caktuara. Deklaratat e Çekut janë personale dhe nuk besoj se mund të ketë informata se kë do e kap kjo Gjykatë, meqë drejtësia ndërkombëtare nuk mund të paralajmërojë se cilët persona i ka në "radar" sepse do të dilte tejet amatore. Vendin nuk e kanë destabilizuar tolerimet ndaj Serbisë, e le më ta destabilizojë çështja e Gjykatës Speciale. Populli jonë është në gjumë të thellë në shumë dimensione dhe nuk pres që të ketë reagime edhe për këtë çështje”, është shprehur ai.

Haziri: Gjykata do të vërtetojë pastërtinë e shqiptarëve

Ndërkaq, për analistin Ismet Haziri, tani që Gjykata Speciale është në prag të funksionalizimit, nuk është korrekte të paralajmërohen trazira.

“Konsideroj se tani kur gjërat kanë marr formën e vet në lidhje me gjykatën nuk është korrekte dhe as e vlerësuar ne asnjë aspekt që dikush të paralajmëroje trazira dhe destabilizimi për një krijesë të cilën e kanë pranuar vet deputetët e Kosovës duke e miratuar në shtëpinë e popullit. Pra edhe Agim Çeku dhe shumë të tjerë kanë pasur mundësinë që për gjykatën të marrin qëndrime dhe vendime pa u miratuar. Prandaj është papërgjegjësi nëse dikush niset nga premisat e këtilla destabilizimi te vendit, sepse çdo fjale publike e ka edhe peshën e vet dhe edhe mund të ketë ndikim në publik”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Haziri, ka sugjeruar se kushdo që të jetë i akuzuar nga Gjykata Speciale, duhet që me dinjitet t`i përgjigjet ftesës së gjykatës dhe të tregoj pastërtinë.

“Në fund vlerësoj se nuk kemi pse ta destabilizojmë vendin, nuk duhet pranuar asnjë provokim, Kosova është më shumë se individët, për Kosovën janë sakrifikuar djemtë dhe vajzat më të mira dhe duhet që gjakun e tyre ta kthejmë në vlera lirie, në vlera zhvillimi dhe jetë normale të qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi”, ka përfunduar ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat