Bosët e krimit të organizuar, kanë kapur institucionet

Politika

Bosët e krimit të organizuar, kanë kapur institucionet

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 shkurt 2017 Në ora: 16:06
Jusuf Buxhovi

Bota Sot: Kosova si shtet, edhe më tutje vazhdon të mbetet jashtë parashikimeve tona po edhe të aleatëve tanë, gjë që  me të drejtë  hap debate por edhe nisma të shumta brenda dhe jashtë vendit që kjo ngecje të përballohet. Pse është kaq e vështirë të bëhet Kosova ajo për të cilën është dhënë aq kontribut i madh, përfshirë edhe luftën e UÇK-së? Kush e ka fajin për këtë gjendje?

Jusuf Buxhovi: Ka qenë iluzore të pritet, që Kosova si shtet mund ta marrë të mbarën sapo të shpallet, siç ndodhi në shkurtin e vitit 2008, kur dihet rruga nëpër të cilën kaloi si dhe realiteteti që ndryshoi. Kjo  në një hapësirë tepër të ndjeshme, ku edhe më tutje vazhdojnë të përthyhen ekuilibrat gjeostrategjike dhe gjeopolitike të disa niveleve, nga ato rajonale, kontinentale dhe madje edhe botërore. Meqë Kosova si shtet është projekt perëndimor, me çka duhet t’i takojë sferës së saj të interesit, atëherë është e kuptueshme që këtë do ta kundërshtojë në radhë të parë Serbia, po edhe Rusia në mënyrë që kjo rrugë të vështirësohet sa më shumë që të jetë e mundur, ose edhe të dështojë fare. Kjo edhe ka ndodhur që nga fillimi. Por, në rrethanat e reja, kur Rusia po kërkon që të rikthejë ndikimin e saj në rajon, Kosova, në këtë gjendje, shfaqet si një pikë e pashmangshme e kësaj sfide.Edhe përkundër peshës së madhe të faktorit ndërkombëtar si dhe përgjegjësisë së marrë nga ana e aleatëve perëndimorë që ky projekt të përmbyllet me sukses, fajin pse shteti i Kosovës  po përballohet me vështirësi të shumta nga të gjitha anët, duhet parë te klasa politike e Kosovës, e cila përkushtimin ndaj shtetit e ka kthyer në përkushtim të përfitimit nga shteti në dëm të shtetit deri aty që atë ta kthejë në plaçkë për përfitime personale. Kështu, “ideali i plaçkës” është kthyer në “virtyt” të politikanëve tanë të papërgjegjshëm, që për ta arritur këtë, i shpallën luftë të paepur sistemit të gjithmbarshme të vlerave, në mënyrë që ta kenë më të lehtë që edhe si rrënues ta ruajnë “oreolin” e “shpëtimtarëve”!

Bota Sot: Kosova e fitoi pavarësinë me luftë dhe me paqe, por nuk po arrin ta fitojë betejën për të qenë shtet i tërë dhe i lirë. Kush është fajtor për këtë gjendje?

Jusuf Buxhovi: Është më se e vërtetë se çlirimi ynë (që nuk do të thotë liri) u arrit në sajë të një përkushtimi shekullorë, të shumë brezave sakrifikues, që iu desh ndihma dhe përkrahja e madhe e Perëndimit, në radhë të parë SHBA-ve dhe NATO-s. Kjo më së miri u pasqyrua me fushatën e armatosur ushtarake nga ajri, siç ishte ajo e pranverës së vitit 1999, ndaj forcave ushtarake jugosllave në Kosovë dhe tutje në Serbi. Por, kalimi i Kosovës nën protektoratin e OKB-së, si dhe marrja e përgjegjësisë nga aleatët tanë për kohën kalimtare, nga një pjesë e mirë e faktorit vendor, u konsiderua si bllanko kartë për arritjen e interesave të tyre. Kjo vlen veçmas për  “krahun e luftës”, të cilët me bagazhin “e çlirimtarëve”, u futën në politikë. Meqë në atë që quhet luftë, krahas patriotëve dhe atyre që ishin të përkushtuar deri në fund për lirinë e Kosovës  (shumë prej tyre mbetën në beteja ose u harrua për së gjalli), kishte gjithfarë ujemi (aventurierë, profiterë, zullumqarë si dhe “patriotë” të infiltruar nga shërbimet e huaja), ishte e pritshme që edhe politika të ndikohet, po edhe të pushtohet prej tyre. Kësaj i ndihmoi edhe atmosfera e triumfalizmit, që iu imponua shoqërisë në rrethanat e pasluftës, kur “meritat e luftës” u kthyen “në kriter” për “meritat e paqes”. Kështu, ndodhi që brenda një kohe të shkurtër, komandantët e shpifur, të shumtën me mentalitet rural dhe pa kulturë intelektuale, me anën e uzurpimeve, plaçkës dhe metodave të tjera, si milionerë, të kthehen në baronë të feudeve kriminale. Bosët e krimit të organizuar në Kosovë, të forcuar edhe politikisht, pak nga pak kapën institucionet kryesore të shtetit (gjyqësorin, shërbimin policor, arsimin, shëndetësinë dhe pikat e tjera vitale të shtetit).

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të shtunën dhe të dielën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat