Asociacioni, marrëveshje për të heshtur krimet në Veri

Politika

Asociacioni, marrëveshje për të heshtur krimet në Veri

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 shkurt 2017 Në ora: 16:57
Jusuf Buxhovi

“Klasës sonë politike me prirje kriminale, iu ka përshtatur që veriu të kthehet në një oazë të krimit të organizuar, ku do të përfitohet sa më shumë. Nga shumë burime  prej kohësh është bërë e ditur për aleancën midis kriminelëve serbë dhe shqiptarë në veri dhe bashkëpunimin e tyre tepër të mirë për kontrabandimin e mallrave nga veriu në jug dhe tutje. Tash kur kjo është kthyer në një kancer të rrezikshëm, ku Rusia mund t’i fusë gishtat, faktori ndërkombëtarë,  kërkon që me anën e Asociacionit të komunave t’i vihen disi kornizat kësaj të keqe, në mënyrë që të mbetet në Kosovë, qoftë edhe me statut të veçantë”, ka thënë ndër të tjera Buxhovi.

Bota Sot:  Në prononcimet tuaja të vonshme .ju keni kritikuar edhe patetikën nacionaliste te një pjese të politikës sonë, sidomos atë të përdorur në “emër të bashkimit kombëtar”, të cilin ju e quani “ideologji të shekullit të kaluar”, ndërsa theksoni “unionin e dy shteteve shqiptare”- si opsion të mundshëm, por gjithnjë në përputhje me faktorin ndërkombëtar. Së voni ka edhe artikulime që me Serbinë të kërkohet edhe “shkëmbim territoresh”. Komenti Juaj për këtë çështje?

Jusuf Buxhovi: Edhe pse  mund të thuhet, pa hezitim se shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit, dhe se dy shtete shqiptare në Ballkan, në njëfarë mënyre përmbyllin konceptin e Rilindjes kombëtare për përkatësinë perëndimore të shqiptarëve, zhvillimet politike në Kosovë nga paslufta e këndej dhe veçmas nga shpallja e pavarësisë, kanë nxjerrë në pah dy prirje hipokrite të klasës politike të Kosovës, që mund të karakterizohen edhe si  përpjekje “puçiste” kundër shteti të Kosovë dhe ardhmërisë së qytetarëve të saj, po edhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. E para ka të bëjë me atë që u cek më lartë,  që shteti i Kosovës të kthehet në plaçkë të grupeve mafioze dhe me këtë të destabilizohet nga të gjitha anët. Dhe, e dyta, që nuk duhet veçuar nga e para, ka të bëjë me ato forca politike, që jo vetëm  nuk e pranojnë shtetin e Kosovës, por përpiqen me të gjitha mjetet që ai të luftohet nga brenda deri aty që ai të shpallet “shtet i dështuar” dhe si i tillë të kthehet në monetë kusuritje, me çka Beogradi dhe Tirana duhet të fitojnë “mandatin” për krijimin e “shteteve kombëtare”, atij shqiptar dhe serb, gjë që shtetin e Kosovës, tashmë të njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se njëqind vende të botës, përfshirë këtu edhe fuqitë më të mëdha perëndimore (SHB-anë dhe vendet e NATO-s) e  kthen në kurban të “bashkimit kombëtar”.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat