Vdekja e Deharit, pse avokati Gashi këmbëngulë se Astriti u vra?

Politika

Vdekja e Deharit, pse avokati Gashi këmbëngulë se Astriti u vra?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 8 mars 2017 Në ora: 09:35
Avokati Tomë Gashi

“Pas datës 18.11.2016 pranuam edhe ekspertizën e pavarur te Dr.Besim Ymaj dhe Dr. Besim Latifaj, në atë ekspertizë  është konstatuar se Astriti ka pasur shumë lëndime vetëmbrojtëse që në gjuhën juridike është vrasje, pra Astriti është vrarë për shkak të lëndës politike, për të cilën ka qenë në paraburgim për 78 ditë. Ai  ka qenë në burgun e Prizrenit, aty ka hyrë i gjallë me pranga dhe ka dalur i vdekur në arkivol”, ka theksuar Gashi, për gazetën “Bota sot”.

Familja e aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka kërkuar hetime të pavarura nga Instituti për Mjekësi Ligjore i Qendrës Universitare të pjesës franceze të Zvicrës.

Duke shpreshur mos besiminnë institucionet e drejtësisë vendore në një konferencë për media, babi i Astritit, Avni Dehari ka deklaruar pasi që nuk janë pajtuar konkludimet të nxjerra nga zyrtarët edhe me deklaratat kontradiktore për vdekjen e Astritit kanë angazhuar ekspertët ndërkombëtarë nga Zvicra që të bëhen hetime të pavarura ndërkombëtare. “Ne nuk jemi pajtuar me konkludimet që kanë nxjerr zyrtarët dhe kemi angazhuar ekspertët e pavarur. Pastaj, meqë Kuvendi mori një vendim në dhjetor që familjes i lejohet të bëj hetime të pavarura për shkak të deklarimeve shumë kontradiktore që dolën në atë kohë dhe për shkak të reagimeve tona, ne jemi angazhuar që të sjellim ekspertë dhe hetues të pavarur ndërkombëtarë. Kemi kontaktuar me zyrtarë të qendrave universitare të mjekësisë ligjore në Bern, Cyrih në Gjenevë dhe në fund jemi përcaktuar që t’i angazhojmë ekspertët dhe hetuesit ndërkombëtarë të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në pjesën franceze në Zvicër. Unë kam qenë personalisht dhe kam  kontaktuar me zyrtarët e kësaj qendre”, deklaroi Dehari.

Hetimet për Deharin, u mbyllën në Nëntor?

Ndërsa, Tomë Gashi, avokati i familjes së anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit ka thënë për “Bota sot”,  se hetimet në rastin e Astritit nuk janë zvarritur,  pasi sipas tij kryeprokurori që ka udhëhequr rastin e Deharit ka mbyllur hetimet qysh në nëntor. 

“Hetimet në rastin e vdekjes se aktivistit të Lëvizjes VV, Astrit Dehari nuk janë duke u zvarritur por është e kundërta. Kryeprokurori i mëhershëm z.Sylë Hoxha duke e manipuluar opinionin ka deklaruar se hetimet janë mbyllur sipas tij qysh me 18.11.2016. Kjo doli e pavërtetë dhe  ndërkohë pranuam edhe shumë dokumente nga Prokurori i rastit z.Metush Biraj”, ka thënë Gashi. 

Më herët Prokurori Hoxha, pati deklaruar se, hetimet vazhdojnë, ato nuk kanë përfunduar.

“Në çdo moment nëse na ndryshon diçka gjendja ne kemi me ndjek. Deri tani nuk kemi të dyshuar. Nëse gjatë hetimeve na del diçka ne sigurisht se do të vazhdojmë”,pati deklaruar ai.  Avokati Tom Gashi ka rikujtuar edhe njëherë,  se me 18 nëntor është pranuar ekspertiza e pavarur të Dr.Besim Ymaj dhe Dr. Besim Latifaj në të cilën është konstatuar se Astriti ka pasur shumë lëndime vetëmbrojtëse që në gjuhën juridike është vrasje.

“Po ashtu pas datës 18.11.2016 pranuam edhe ekspertizën e pavarur te Dr.Besim Ymaj dhe Dr. Besim Latifaj, në atë ekspertizë  është konstatuar se Astriti ka pasur shumë lëndime vetëmbrojtëse që në gjuhën juridike është vrasje, pra Astriti është vrarë për shkak të lëndës politike, për të cilën ka qenë në paraburgim për 78 ditë. Ai  ka qenë në burgun e Prizrenit, aty ka hyrë i gjallë me pranga dhe ka dalur i vdekur në arkivol”, ka theksuar Gashi. 

Pas diskutimit në Kuvendin e Kosovës, në të cilin është deklaruar se Ministria e Drejtësisë do të paguaj shpenzimet për hetim dhe ekspertiza të pavarura dhe familja e Astrit Deharit kanë vendosur që Qendrën Universitare të Mjekësisë ligjore në Zvicër të angazhohet nga Ministria. 

“Duke e konsideruar si tepër të ndjeshëm rastin  Kuvendi i Kosovës ka sjellë vendim me 20.12.2016 me të cilin ka autorizuar familjen e Astrit Deharit që të identifikojë një Institut nga shtetet e BE-se apo SHBA –ja,  për të kryer hetime të pavarura dhe ekspertiza të tjera.  Kuvendi ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë, do t’i paguajë shpenzimet për hetim dhe ekspertiza të pavarura dhe familja e Astrit Deharit, nëna e tij znj.Xhemile Dehari dhe babi i tij z.Avni Dehari kanë identifikuar Qendrën Universitare të Mjekësisë ligjore në Zvicër, e cila duhet të angazhohet nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.  Në fund, Gashi ka thënë se pa përfundimin e hetimeve të pavarura nga Instituti Zviceran nuk mund të dhe nuk do të duhej të mbyllen hetimet në rastin e vrasjes së Astrit Deharit.

Politika pengon Prokurorinë

Lidhur me këtë çështje, analisti Islam Krasniqi, mendon se Prokuroria po pengohet të hetojë, për shkak të presionit politik dhe se vetëm e kanë dërguar rastin e Astrit Deharit drejt një enigme. 

“Prokuroria e ka të pamundur t'i çojë hetimet deri në fund, sepse ka presion nga politika, apo punon me udhëzime të saj. Institucionet e Drejtësisë, por edhe Prokuroria,  pos fushatës që patën bërë kur pati ndodhur rasti tragjik, asgjë më shumë nuk kanë bërë në këtë drejtim, por vetëm e çuan rastin drejt një enigme, si shumë raste tjera”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.   

Krasniqi nuk beson, që në vend do të ketë zbardhje të rasteve të ndryshme deri sa të mos pavarësohet prokuroria nga politika.

“Gjersa prokuroria nuk pavarësohet nga politika, kurrë nuk do të ketë rezultate në këtë drejtim, sepse kriminelët presin dënimet, viktimat  kalben në qeli”, ka theksuar Krasniqi. Ndërkaq, i pyetur nga “Bota sot”,  lidhur me zvarritjen e rastit Dehari analisti Blerim Burjani ka thënë ,se  është krijuar një situatë konfuze.  Ai mendon, se duhet të bëhen hetime të reja, duhet të këtë argumente dhe prokuroria të merret me to.  “Prokuroria ka dhënë versionin e vet, ka disa versione të dhëna, tash situata është e krijuar si konfuze. Duhen bërë hetime, nëse veç ka prova të reja apo dëshmi, pra duhet të këtë argumente dhe prokuroria të merret me to”, ka thënë Burjani.  Ndryshe, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ka ndërruar jetë në 05.11.2016, i cili i ishte  në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale nga neni 136, par. 1, lidhur me nenin 135, par. 1, nënpar. 1.7 të KPRK-së dhe dyshim i bazuar për veprën penale neni 374 par. 1 të KPRK. Ndërkaq, Prokuroria  e kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, nuk është përgjigjur në pyetjen se çfarë po ndodh me hetimet në rastin në fjalë.

DASh: Astrit Dehari u vetëvra

Departamenti amerikan i Shtetit, vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e sheh si vetëvrasje, përkundër që një rezultat i tillë që doli nga ekspertiza nuk u pranua nga familja Dehari dhe VV.  Në raportin e Byrosë për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punës, në lidhjer me rastin e  aktivistit të VV-së thuhet pa asnjë dyshim se ai është vetëvrarë. 

“Me 5 nëntor, një aktivist i partisë Vetëvendosje, Astrit Dehari, kreu vetëvrasje në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit. Vetëvrasjes së Deharit, i është kushtuar shumë vëmendje në pjesën “Kushtet në Burgje dhe Qendrat e Paraburgimi në Kosovë”, teksa shpjegohet se ai ka qenë duke u mbajtur nën dyshimet për terrorizmin, saktësisht sulmin me granatë në objektin e Kuvendit të Kosovës të ndodhur me 5 gusht.  “Më 18 nëntor, Instituti për Mjekësi Ligjore ka lëshuar të gjeturat përfundimtare të autopsisë, e mbikëqyrur nga ekspertët e pavarur, thanë se shkaku i vdekjes ishte asifeksi mekanike.

Prokurori i rastit Sylë Hoxha, tha për mediet me 6 nëntor se Dehari kishte shenja në fyt dhe duart e tij”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit. 

“Deri më 17 nëntori, rezultatet e plota të ekzaminimit mjekësor, duke përfshirë përcaktimin e shkakut të vdekjes, nuk janë publikuar”, thuhet në raport.  Me 22 nëntor Ministria e Drejtësisë njoftoi maca disiplinore ndaj ushtruesit së detyrës së drejtorit të burgut, dy mbikëqyrësit korrektues dhe një oficer në Qendrën e Paraburgimit. Me 23 nëntor, autoritetet pezulluar një infermier nga qendra e Paraburgimit në Prizren me lidhje me rastin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat