Dy partitë më të mëdha opozitare përkrahin nismën e Presidentit për ushtrinë

Politika

Dy partitë më të mëdha opozitare përkrahin nismën e Presidentit për ushtrinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 mars 2017 Në ora: 17:07
Udhëheqësit shtetërorë të Kosovës gjatë ceremonisë me rastin e Epopesë së UÇK-së

Presidenti, Hashim Thaçi të martën i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli projektligjin për transformimin e FSK-së në një forcë me kompetenca mbrojtëse, ushtarake.

Kjo iniciativë është mirëpritur nga partitë opozitare, por edhe nga ekspertët e sigurisë.

AAK do ta përkrahë ligjin për ushtrinë

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj thotë se secila nismë që është për të mirën e Kosovës, ata do ta përkrahin.

Kadrijaj, shprehet se kërkesa për formimin e ushtrisë së Kosovës, nuk është kërkesë spontane por është kërkesë e të gjithëve.

“Çdo nisme që shkon në të mirë të Kosovës është  nismë e mirë dhe pa dyshim që e përkrahim. Kërkesa për formimin e ushtrisë  së Kosovës nuk është kërkesë spontane po është  kërkesë e të gjithëve” pohon Kadrijaj.

Ajo thotë se nevoja për formimin e ushtrisë ka ardhur pas zhvillimeve dhe veprimeve provokuese të Serbisë.

“Duke i parë rrjedhat dhe zhvillimet në rajon dhe sidomos veprimet provokuese të Serbisë karshi Kosovës e kanë bërë edhe më të nevojshme që ne ta kemi ushtrinë tonë funksionale. Dhe, kjo bëhet me qëllim të rujtjes së sovranitetit të vendit” thekson Kadrijaj.

Sipas saj, pavarësisht kush e ka bërë kërkesën për formimin e ushtrisë, ata do ta përkrahin.

“ Pavarësisht nga kush e di  kush të kishte ardhur kjo kërkesë ne e kishim përkrahur, e normalisht që e përkrahim edhe tani. Ju e dini që në kuvendin e Kosovës është zhvilluar edhe një debat në lidhje me këtë çështje dhe ka qenë kërkesa e të gjithëve që është e domosdoshme të krijohen Forcat e armatosura të Kosovës” shprehet Kadrijaj.

Edhe Vetëvendosje pro iniciativës së Thaçit

Edhe partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se do ta përkrahin këtë iniciativë, mirëpo fillimisht duhet lexuar se çfarë përmban draftligji.

Zëdhëndësi për medie në selinë e Vetëvendosjes, Shkodran Hoti, thotë se ata e kanë në platfromë të tyre politike formimin e ushtrisë.

“Ne edhe gjatë ditë së djeshme, por e kemi potencuar edhe shumë më herët, e kemi edhe në platformën tonë politike që është e domosdoshme që ushtria të themelohet. Në parim ne jemi pro këtij draftligji në kuptimin që të themelohet sa më parë ushtria. Sa i përket votimit, qëndrimin konkret do ta tregojmë pasi ta analizojmë në detaje dhe të shohim taman si është dhe e a ka ndonjë parregullësi apo paqartësi” shprehet Hoti.

Sipas tij, Kosova mund ta formojë dhe ta themelojë ushtrinë.

“Kosova mundet dhe duhet ta themelojë ushtrinë, nuk duhet lejuar që në asnjë moment që një subjekt si Lista Srbska të jetë ajo e cila e kushtëzon apo e pengon formimin e ushtrisë. Themelimi i ushtrisë është i domosdoshëm për vendin, ajo duhet të ndodh dhe të mos e pengojë askush” përfundon Hoti.

 

Buxhet shtesë për FSK-në

Kurse, analisti dhe eksperti i fushës ushtarake dhe të mbrojtjes, Naim Maloku, thotë se në një të ardhmen e afërt, ndoshta 10 vjeçare, Kosova do ta formonte ushtrinë.

“Kjo iniciativë është bërë brenda kompetencave  që i ka Presidenti. Fillimisht duhet ndryshuar emrin i FSK-së në ushtri, pastaj duhet t’i jepen kompetencat shtesë dhe kapacitetet shtesë dhe në një të ardhmen ndoshta 10 vjeçare do të mund ta bënim FSK-në të aftë dhe cilësore.

Sipas Malokut, nëse kalon ligji duhet të ketë buxhet shtesë.

“Nëse kalon ligji në Kuvend, normalisht që me një buxhet shtesë, Kosova mund ta formojë ushtrinë, brenda një afati 10 vjeçar, t’i ngritë kompetencat dhe për t’i marrë kompetencat e KFORI-it në Kosovë, brenda një afati 10 vjecar Kosova mund të arrijë kapacitetet” pohon Maloku.

Ai thotë se në këtë aspekt nuk duhet të ketë kundërshtime brenda partive opozitare.

“Në këtë aspekt nuk kishte dashur të ketë kundërshtime brenda partive opozitare, kjo çështje e përgjithshme nuk është çështje politike,deputetët duhet ta miratojnë, ose t’i japin vërejtjet dhe kompentecat, vlerësimet, nenet, amandametet dhe sugjerimet” shprehet Maloku.

Hap i vonuar i Thaçit

Kurse, sekretari i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli thotë se nisma e Thaçit për ndryshimin e mandatit të FSK-së në ushtri, duhet të shihet si hap i vonuar.

“Nisma e Thaçit për të ndryshuar mandatin e FSK në ushtri, duhet të shihet si hap i vonuar i institucioneve të Kosovës.  Mendoj që  ajo e cila Presidenti Thaçi ka paralajmëruar është diçka që QKSS ka paralajmëruar  qysh në  fillim të vitit 2016 se mund të bëhet, ndërsa institucionet e Kosovës kanë qenë të vetëdijshme për një mundësi të tillë edhe më herët” shprehet Vrajolli.

Sipas Vrajollit, partitë opozitare do shikojnë përmbajtjen e versionit të fundit të ligjit, pastaj do të tregojnë përkrahjen e tyre.

“Ndërsa, në lidhje me atë se a do të përkrahet nga partitë politike opozitare kjo fillimisht varet se çfarë do të përmbajë  verzioni i fundit i këtij ligjit. Unë mendoj se do të ishte absurde po që se ato nuk do të përkrahnin atë po që se ky ligj i heq FSK-s të gjitha barrierat e nevojshme të cilat do të mundësonin atë të shndërrohet një ushtri me komande të unifikume e në shërbim të qytetarëve sikurse çdo ushtri tjetër në botë” pohon Vrajolli.

Ai thotë se shndërrimi i FSK-së duhet të shihet si proces i ndërtimit të shtetit të Kosovës.

“ Për fund është folur shumë kohëve të fundit se kush është me meritori për shënderimin e FSK në ushtri. Une mendoj se shndërrimi i FSK në ushtri duhet të shihet si proces i ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ushtria e Kosovës është element shtetëror i cili buron nga e drejta e qytetarëve të Kosovës për të pasur shtet. Andaj, meritori kryesor që Kosova të ketë shtet është vetë qytetari i Kosovës. Kështu që refuzimi qoftë pozitës, qoftë  i opozitës  për të votuar një  ligj i cili mundëson FSK-n të shndërrohet me plot kuptimin e fjalës në ushtri, do të ishte veprim drejtpërdrejt kundër interesave të qytetarëve” përfundon Vrajolli.

Kurse, në media ka pasur raportimeve që sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe ambasada e SHBA-së në Kosovë, kanë thënë që shndërrimi i FSK-së në forcë të armatosur bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe jo në mënyrë të njëanshme, mirëpo përkundër kësaj Presidenti Thaçi është shprehur se transformimi i FSK-së është në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat