Gjykata Speciale, të inkriminuarit s’mund të fshihen pas posteve

Politika

Gjykata Speciale, të inkriminuarit s’mund të fshihen pas posteve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 mars 2017 Në ora: 11:20
Selia e Gjykatës Speciale

Që nga votimi në Kuvend, themelimi dhe tani kur pritet të fillojë punën, Gjykata Speciale vazhdon të jetë një nga temat aktuale më të komentuara.  Janë përmendur emra dhe lista që do të mund të akuzoheshin nga kjo Gjykatë, por derisa nuk ka filluar punën, deklarata të tilla mbesin jozyrtare. Madje, si të akuzuar të mundshëm janë përmendur edhe zyrtarë të shtetit, por a do të kenë imunitet për shkak të pozitës zyrtare persona të tillë? Lidhur me këtë, zyrtarë të Gjykatës Speciale, kanë thënë se askush nuk është mbi ligjin kur bëhet fjala për krime.  “Siç ka thënë Prokurori Specialist në të kaluarën, askush nuk është mbi ligjin. Nuk ka imunitet për krimet që ligji i veçantë i jep kompetencë Dhomave Specialiste dhe zyrës së prokurorit specialist  për të hetuar dhe ndjekur penalisht.  Përtej kësaj, siç ka thënë më parë Prokurori Special, zyra nuk komenton mbi atë se kush, çfarë, ose kur si ajo ka të bëjë me punën e tij”, ka thënë Joseph L. Hollerhead, asistent ekzekutiv në Gjykatën Speciale dhe zëvendës i Prokurorit Special, për gazetën “Bota sot”.

Gashi: Nuk ka imunitet për zyrtarë në poste shtetërore

Ndërsa, avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pavarësisht pozitës zyrtare, që nga viti 1999 e deri tani, askush nuk është imun nga Specialja.  Po ashtu, Gashi thotë se pritet që Specialja të fillojë punën në qershor të këtij viti.  “Është çështje e ditur dhe është në bazë të ligjit për Gjykatën Speciale, se askush nuk ka imunitet nga akuzat e mundshme në këtë gjykatë, duke përfshirë prej zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës, prej kryetarit të Kosovës, kryeministrit, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë. Pa marrë parasysh se në çfarë periudhe kohore ka mundur dikush të jetë zyrtar i lartë në shtetin e Kosovës, që i bie se nëse dikush ka pasur funksione të caktuara më të larta shtetërore që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme apo edhe sot ka funksione zyrtare shtetërore, nuk ka imunitet nga ndjekja penale nga Gjykata Speciale e cila pritet që të fillojë punën e saj përafërsish ndoshta nga qershori i këtij viti”, ka deklaruar Gashi.  Edhe drejtori i Rockefeller Brothers Fund, Haki Abazi thotë. se nuk ka imunitet për askënd, që konsiderohen të përfshirë në krime.  “Në parim askush nuk është i mbrojtur nga sistemi i drejtësisë. Nuk ka imunitet për askënd e sidomos jo për ata që dyshohen apo konsiderohen se kanë qenë të përfshirë në krime. Tani ka probleme të shumta me Gjykatën Speciale, posaçërisht aspekti etnik dhe periudha që mbulon dhe është çështje diskutabile, nëse do të zgjatet periudha kohore deri në 2004. Qoftë nga ky proces apo nga përplasja e klaneve nga brenda, e vërteta dhe drejtësia do të jetë e pashmangshme”, ka deklaruar Abazi për gazetën “Bota sot”.

Islami: Specialja zhveshë politikanët nga imuniteti

Në anën tjetër, Kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami ka thënë, për gazetën “Bota sot”,  se Gjykata Speciale do t’i zhveshë të gjithë politikanët nga imuniteti, pavarësisht postit që mbajnë.  “Themelimi i Gjykatës Speciale është bërë me votimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kjo do të thotë që ligjërisht, Gjykata Speciale mund të zhveshë çdo politikan nga imuniteti, duke filluar nga presidenti e varësisht se çfarë postesh politike mbajnë.  Kjo  do të thotë që askush nuk mund të fshihet prapa asaj që është zyrtar i lartë dhe nuk mund të përgjigjet për krimet që ka bërë”, ka thënë ai.  Tutje, Islami mendon se Specialja nuk do të merret me Presidentin e Kryeparlamentarin, siç edhe është thënë nga shumë njerëz.  “Unë mendoj që Hashim Thaçi dhe krerët kryesorë të shtetit, Kadri Veseli, nuk do të përfshihen në listën e Gjykatës Speciale, edhe pse shumë mendojnë që Specialja do të merret me peshqit e mëdhenj. Jam i bindur që peshqit e mëdhenj nuk do të preken, por do të mbesin besnik në detyrat e tyre, që i bëjnë karshi atyre të cilët i furnizojnë me politikë të mbrapshtë ndaj Kosovës dhe mendoj, që vrasjet politike nuk do të zbardhen nga Gjykata Speciale, me përjashtim të ndonjërës, sepse e dimë që vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës, edhe UNMIK-u edhe KFOR-i e kanë ditur 90 përqind se kush janë vrasësit dhe kush fshihët pas këtyre vrasjeve”, ka përfunduar Islami.

Zogaj: Të gjithë janë të zhveshur nga imuniteti

Edhe njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, thotë se askush nuk ka imunitet nga Gjykata Speciale.  “Gjykatat demokratike, e të gjitha niveleve pa dallim, janë të pavarura dhe si të këtilla, kur është në pyetje shkelja e ligjit dhe veprat kriminale, nuk ka imunitet që mund t'i mbrojë nga përgjegjësia për veprat e liga që mund t'i kenë bërë. Kjo vlen edhe për të gjitha gjykatat e vendit tonë, të cilat, për fat të keq nuk kanë arritur që ta mbrojnë pavarësinë e tyre por janë bërë instrument i strukturave kriminale, prandaj Kosova është në krizën e thellë aktuale. Rezultat i kësaj gjendjeje është Gjykata Speciale e diktuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila po shpresojmë se shumë shpejtë do të fillojë të merret me zbardhjen e krimeve të ndodhura dhe me dënimin e kriminelëve”, ka thënë Zogaj.  Tutje, ai shton se do të duhej të fillojë punën sa më shpejt, që të merret me zbardhjen e krimeve që kanë ndodhur dhe dënimin e atyre që i kanë kryer ato.

“Siç është paralajmëruar Gjykata Speciale do të ketë punë kryesisht me personalitetet e larta shtetërore të vendit dhe aprovimi i Gjykatës nga ana e Parlamentit nënkupton se, të gjithë shtetasit e Kosovës, nga më i vogli deri të më i larti, janë të zhveshur nga çdo lloj imuniteti, sepse asnjeri nuk mund të jetë mbi ligjin, e sidomos kryesit e veprave të krimit, që është mirëfilli e njohur se ngulfatur drejtësinë e Kosovës, mirëpo, po supozojmë se nuk do të mund ta kapin edhe Gjykatën Speciale, ani qe, simptomat janë se, strukturat kriminale janë duke bërë çmos për të penguar punën e Gjykatës Speciale, sidomos në pengimin e dëshmitarëve, ndaj të cilëve po përdoren të gjitha mënyrat e frikësimit dhe shantazhimit. Sido që të jetë, Gjykata Speciale do të nis rikthimin e funksionimit të ligjit në Kosovë”, ka deklaruar Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat