E vërteta e marrëveshjes LDK-PDK, për vrasjet politike!

Politika

E vërteta e marrëveshjes LDK-PDK, për vrasjet politike!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 23 mars 2017 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

“Pashmangshëm këto ditë i kujtojmë më pietet prijësit e intelektualët, ideologët e veprimtarët, deputetët e kryetarët që ranë e na i vranë, që ndërruan jetë por bënë vepra hero e martirë lirie, si Fehmi Agani, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Latif Berisha, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyçi, ushtarakë e veprimtarë tjerë dhe Fadil Ferati mbetën shëmbëlltyra dhe dedikim nderimi. Ndërsa shteti ka obligim drejtësinë, ndëshkimin e krimit politik”.

Kështu është shprehur kryetari i Komunës së Podujevës dhe njëherëit nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, në manifestimin e 27 vjetorit të themelimit të LDK-së në këtë Komunë, duke kërkuar zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të LDK-së.

Por kjo deklaratë e tij nxiti shumë reagime në opinionin publik, pasi që LDK u akuzua se vrasjet politike i përdorë vetëm për fushatë zgjedhore. Madje kishte deklarime se zyrtarë të LDK-së kishin marrëveshje me zyrtarë të PDK-së që gjatë koalicionit qeverisë të mos flitet për këto vrasje.

Por, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, kanë mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Sipas deputetes së LDK-së,  Besa Gaxherri,  kjo është krejtësisht e pavërtetë.

“Kjo është krejtësisht e pavërtetë që LDK dhe PDK kanë bërë kontratë që mos me u përmend vrasjet politike gjatë koalicionit, sepse ju jeni dëshmitarë që unë në çdo prononcim, apo çdo intervistë timen mediale , unë jam deklarua dhe kam kërku zbardhjen e gjitha vrasjeve politike, dhe gjithsecili zyrtar i LDK-së që ka deshtë dhe që është interesu për vrasjet politike e a bërë një gjë të tillë, pra nuk qëndron ajo që LDK dhe PDK kanë pas një marrëveshje”, ka thënë Gaxherri, për “Bota sot”.

Sipas Gaxherrit, thirrja për zbulimin e vrasjeve politike nuk është duke u shfrytëzuar për fushatë, pasi sipas saj LDK-ja vazhdimisht ka kërkuar zbulimin e këtyre vrasjeve.

“Kjo çështja u ngrit kohëve të fundit, ku kryetari i Podujevës, njëherit nënkryetar i LDK-së, Agim Veliu, në fjalën e tij e përmendi këtë çështje. Mua me befasojnë njerëzit të cilët merren me këtë deklaratë dhe bëjnë arsyetime të ndryshme që nuk duhet që me ngrit këtë çështje vetëm para fushatë apo pas fushate. Zotëri Agim Veliu është konkretisht person i atakuar me atentat politik dhe në qoftë se dikush mendon që ai o e bën për fushatë, e po dojka me i gjet apo jo, këto janë kalkulime të ulëta  dhe të papranueshme. Ai është shembull konkret i cili ka qene pjesë e këtyre vrasjeve, viktimë e këtyre atentateve dhe ai me gjithë neve kemi bo çka është e mundshmja duke tentu që këto të zbardhën përmes rrugës ligjore dhe po e bëjmë të njëjtën gjë çdo ditë  dhe të njëjtën do ta bëjmë çdo herë”, ka theksuar deputetja Gaxherri.

Sipas saj, thirrjes së LDK-së, për zbardhjen e vrasjeve politike, duhet t’i bashkohen të gjithë, pasi sipas saj këto vrasje duhet të zbardhen dhe të mos shtyhet vazhdimisht.

“Ata të cilët i pengon kjo, kushtimisht iu djeg kjo, me befasojnë dhe nuk dij pse duhet me kundërshtua  një gjë të tillë. Duhet të bashkohet secili në thirrjen tonë, dhe këro vrasje duhet me u zbardh. Sa shtyhen nuk e dij sa do të kenë fuqi ata të cilët i kanë bërë me u shty, por unë edhe njëherë e theksoj që sado që të shtyhen duhet me u zbardh dhe nuk kemi ku te shkojmë tutje prej kësaj. Por filozofia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është një subjekt politik shtet ndërtues dhe subjekt institucionalit, nuk di rrugë tjetër për me kërku drejtësinë përveç prej organeve të drejtësisë dhe këtë  do ta bëj çdo ditë”, thekson ajo.

Sipas Gaxherrit,  askush nuk ka të drejtë de mundësi që atyre t’ua mbyllin gojën, dhe se do të vazhdojnë në kërkesën e tyre për zbulimin e këtyre vrasjeve.

“Në aspektin politik ne nuk kemi fuqi tjetër me bo përveç që me i përmend çdo herë, çdo vit, çdo intervistë, kurdo që na behet pyetja, me kerku zbardhjen e vrasjeve dhe askush nuk ka të drejtë as mundësi me na mbyll gojën për të kërkuar një gjë të tillë”, ka përfunduar Gaxherri.

Ndërsa, gazeta “Bota sot”, nuk ka arritur të marr një qëndrim nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, që është partner i koalicionit i LDK-së, lidhur me këtë çështje.

Por kujtojmë se ditë më parë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti kishte deklaruar se deklarata të tilla, si ajo e Agim Veliut, tingëllojnë si retorike politike elektorale, dukë bërë thirrje qe faktet të dorëzohen në prokurori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat