Gashi: Këto janë procedurat për votimin e FSK-së dhe Demarkacionit

Politika

Gashi: Këto janë procedurat për votimin e FSK-së dhe Demarkacionit

Më: 23 mars 2017 Në ora: 23:00
Arben Gashi

Votimi për transformimin e FSK-së në Ushtri dhe ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi, janë dy çështje të ndryshme të cilat nuk pritet të votohen në të njëjtën kohë.  Kështu të paktën është konfirmuar nga partia e Isa Mustafës.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi i ka thënë “Indeksonline” se Demarkacioni është marrëveshje ndërkombëtare dhe shkon me një lexim, përkundër transformimit të FSK-së në bazë të ndryshimit të ligjit, që shkon në dy lexime.

“FSK-ja dhe Demarkacioni janë dy çështje të ndryshme që nuk kanë të bëjnë asgjë me njëra-tjetrën. Përderisa FSK-ja ,propozimin që e ka bë zoti Thaçi, është që të votohet me ligj, ndërsa demarkacioni votohet me 2/3 e votave, është ratifikim. FSK-ja shkon me dy lexime, kurse demarkacioni me një lexim për shkak se është marrëveshje ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Tutje, Gashi ka thënë se afati ligjor për ta votuar ndryshimin e ligjit për FSK-në është një muaj, ndërsa nëse kjo kohë kalohet, atëherë çështja e FSK-së shkon automatikisht në Kuvend për votim.

Lidhur me atë se përse ndryshimi i ligjit për FSK-në ende nuk është sjellë për votim, Gashi ka thënë se është procedurë ligjore.

“Është çështje procedurale. Qeveria e ka një muaj me e dhënë rekomandimin e vet, por nëse nuk e bën këtë ajo shkon automatikisht në Kuvend dhe Qeveria nuk mund ta ndalë atë.  E ka afatin ligjor një muaj për ta dhënë përgjigjen”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat