Sovraniteti i Kosovës “kërcënohet” nga Serbia

Politika

Sovraniteti i Kosovës “kërcënohet” nga Serbia

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 24 mars 2017 Në ora: 10:07
Selia e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës nuk ka vendosur për lejimin ose jo të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të Serbisë edhe brenda territorit të Republikës së Kosovës.    Kështu ka bërë të ditur, zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Bajram Gecaj.

“Qeveria nuk ka ende qëndrim për këtë çështje”, është përgjigjur Gecaj për gazetën “Bota sot”.  Zgjedhjet Presidenciale të Serbisë, të cilat mbahen më 2 prill, do të mbahen edhe në Kosovë.   Në mjediset ku jetojnë serbët në Kosovë, me datën 2 prill, do të mbahen zgjedhjet Presidenciale të Serbisë. Kështu kanë konfirmuar zyrtarët e Listës Serbe. 

Ndonëse Qeveria ende nuk ka ndonjë qëndrim, përfaqësues të subjekteve politike dhe njohës të çështjeve kushtetuese po i bëjnë thirrje asaj që në asnjë mënyrë të mos e lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, sepse ky akt do të përbënte shkelje të sovranitetit të shtetit.

Trajtimi i Kosovës, si pjesë e Serbisë

Adnan Rrustemi, anëtarë i Komisionit Qendror Zgjedhor, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se në këto zgjedhje, serbët e Kosovës, do të votojnë si qytetarë të Serbisë.  

 “Këto zgjedhje po mbahen duke e trajtuar Kosovën politikisht dhe ligjërisht si pjesë të Serbisë. Kosova po trajtohet edhe nga këndvështrimi elektoral pjesë e Serbisë, ku serbët e Kosovës nuk do të votojnë si votues jashtë shtetit, por tamam sikur qytetarët brenda Serbisë, duke paralajmëruar hapjen e 90 vendvotimeve edhe në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rrustemi për “Bota sot”. 

Prandaj, sipas tij, ky veprim i Serbisë është cenim i hapur dhe i rëndë i sovranitetit dhe integritetit shtetëror e institucional dhe si të tilla duhet të ndalohen dhe pamundësohen nga institucionet e Kosovës.  

“Prandaj, ky veprim i Serbisë është cenim i hapur dhe i rëndë i sovranitetit dhe integritetit shtetëror e institucional dhe si të tilla duhet të ndalohen dhe pamundësohen nga institucionet e Kosovës. Serbia më shumë se votat e serbëve të Kosovës, ka për synim të rikonfirmoj praninë e saj në Kosovë dhe çfarëdo lejimi i heshtur apo i hapur i këtyre zgjedhjeve nga Qeveria e Kosovës, e bënë atë bashkorganizatore dhe legjitimuese të pranisë së Serbisë”, ka thënë Rrustemi.

Preket sovraniteti i Kosovës

Ndërkaq, Muhamet Kelmendi, anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, se është jo e drejtë dhe aspak demokratike që qytetarët serbë të Kosovës, të votojnë për Beogradin e njëherit edhe për Kosovën. 

“Shteti i Kosovës është shteti lirë dhe sovran. Qytetarët e këtij shteti i nënshtrohen ligjeve të vendit dhe vetëm në Kosovë kanë të drejte të votojnë. Kjo del edhe nga organizimi i pushtetit në Kosovë. Minoritetin serb udhëheqë komuna dhe ka edhe deputet në Kuvendin e Kosovës. Këndej, është jo e drejte dhe aspak demokratike që njëherazi të votojnë për Beogradin e njëherit edhe për Kosovën. Kjo është e ndaluar”, ka theksuar Kelmendi. 

Mbi këtë bazë juridike, Kelmendi ka theksuar se nuk duhet të lejohen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. 

“Mbi këtë bazë juridike, nuk duhet kurrsesi të lejohen  zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Qytetarët serb duhet të kuptojnë se jetojnë në Kosovë dhe vetëm këtu duhet të votojnë”, ka thënë ai.   

Kelmendi është shprehur, se edhe qytetarët e Luginës së Preshevës, nuk duhet të votojnë në zgjedhjet e Serbisë, pasi që nuk lejohen të votojnë për zgjedhjet në Kosovë.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës duke qenë  se nuk kanë të drejtë të votojnë në Kosovë, nuk duhet të votojnë as në Serbi. Për më tepër duhet të organizohen dhe të dalin ,me kërkesa politike deri edhe për autonomi të shqiptarëve. Pa këtë s`kanë pse votojnë”, ka përfunduar Kelmendi. 

Ndërkaq, për njohësin e çështjeve juridike, Riza Smaka, Kosova do të duhej të merrte masa reciprociteti ndaj Serbisë, dhe të mos lejonte mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të saj brenda Kosovës.  

"Është momenti ultimativ që Qeveria e vendit tonë të ndërmerrte masa adekuate konform me parimin e reciprocitetit të paralelizuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë , madje në të gjitha sferat e jetës shoqërore, politike, socio-ekonomike  dhe kulturore. 

Përderisa shteti serb,  nga pozicione  hegjemoniste, formalisht, me Kushtetutë e akte ligjore si dhe materialisht , me  deklarime politike të pandërprera, pretendon se, Kosova qenka krahinë e shtetit serb,  Qeveria e vendit tonë, nuk do të duhej të lejonte mbajtje të votimeve në Kosovë për deputetë të Kuvendit të Serbisë”, ka deklaruar  Smaka.  Në këtë drejtim profesor Smaka, ka theksuar se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë brenda Kosovës do të duhej të kushtëzohej edhe me mbajtjen e zgjedhjeve për shtetin e Kosovës në vise të Serbisë kudo ku ka shqiptarë.

“Gjithsesi, mbajtja e zgjedhjeve për shtetin serb edhe nëpër Kosovë, me marrëveshje  kosovare - serbe do të duhej të sanksionohej dhe kushtëzohej edhe me mbajtjen e zgjedhjeve për shtetin e Kosovës në vise të Serbisë kudo që ka shqiptare.  Ndryshe , do të vazhdonte praktika përbuzëse e nëpërkëmbëse për vendin tonë përballë shtetit serb”, ka thënë ai.  Mirëpo, Smaka ka shprehur skepticizëm sa i përket vendimit që do të marr Qeveria e Kosovës, për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale brenda territorit të saj.  “Në sajë të dështimeve të tilla e të ngjashme të Qeverisë së  Republikës së Kosovës, pak, për të mos thënë aspak, mund të pritet që ekzekutivi në fjalë do të arrinte aplikimin e reciprocitetit kosovar – serb,  sikundër në zgjedhje ashtu edhe në trajtime të temave të tjera, të shumta e të rëndësishme për shtetin e qytetarët e  vendit tonë", ka përfunduar ai.  Kurse, sipas analistit Blerim Burjani, zgjedhjet e Serbisë brenda Kosovës janë të kundërligjshme. 

“Deri me tash në këtë temë ka pas tolerancë të çuditshme nga institucionet e Kosovës. Zgjedhjet e Serbisë brenda Kosovës janë të kundërligjshme.  Kësaj praktike njëherë e përgjithmonë duhet t`i thuhet stop. Pra duhet të ndalen edhe pse deri më tash institucionet e Kosovës nuk i kanë ndalur. Kjo është një ndjenjë e rrejshme e Serbisë për pakicën serbe që jetojnë në Kosovë”, ka potencuar Burjani.  Ndryshe, zyra për informim e KQZ-së, nuk është përgjigjur për gazetën nëse do të ndërmarrin donjë masë në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat