Qëllimi i Presidentit: Ushtria, Asociacioni dhe Demarkacioni në një pako?

Politika

Qëllimi i Presidentit: Ushtria, Asociacioni dhe Demarkacioni në një pako?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 27 mars 2017 Në ora: 08:15
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

Iniciativa e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për ndryshimin e ligjit për FSK-në, përkatësisht formimin e Ushtrisë pa ndryshime kushtetuese, sipas lexuesve është tendencë për marrjen e poenëve politikë. Kështu të paktën mendojnë shumica e lexuesve të gazetës “Bota sot”, të cilët kanë pasur mundësinë të japin mendimin e tyre mbi iniciativën e fundit të Presidentit sa i përket formimit të Ushtrisë.

Sondazhi

Në pyetjen e gazetës se si vlerësohet Iniciativa e Thaçit për ndryshimin e ligjit për FSK-në, shumica e lexuesve apo 69.6% e tyre, kanë votuar për opsionin se kjo iniciativë është “Tendencë e Presidentit për të marr poena politik. Nga ana tjetër, rreth 21. 1 % e lexuesve janë të mendimit se kjo iniciativë është “Mundësia më e mirë që Kosova të dëshmoj unitetin kur është fjala për mbrojtjen e sovranitetit. 5.2 % e lexuesve mendojnë se iniciativa e Presidentit është “Hapi i duhur, në kohën kur Lista serbe kundërshton ndryshimet kushtetuese”, ndërsa rreth 4.2% e lexuesve e këtë iniciativë e  kanë quajtur “Hap të njëanshëm, pasi u kundërshtua nga NATO dhe BE”.

Image
Rezultatet e sondazhit të gazetës "Bota sot"

Ushtria në koordinim me NATO-n dhe SHBA-në

Në këtë linjë mendojnë edhe njohësit e rrethanave politike dhe të sigurisë në vend. Për analistin Albrim Badallaj, ky sondazh flet qartë që populli është vetëdijesuar dhe nuk i përkrah iniciativat e personave që kanë bërë fushatë me kartën e përkrahjes ndërkombëtare dhe kartën e multietnicitetit.

“Tani duke mos qenë në koordinim me faktorin ndërkombëtarë tentohet marrja e poenëve politik. Unë besoj që ka pasur tendencë që "këmbët e arushës" t'iu lihen Qeverisë, kinse këta të fundit nuk po dëshirojnë që ta formojnë ushtrinë, mirëpo kjo nuk “ndezi” siç pretendohej. Kosova medoemos që duhet ta transformojë FSK-në në Ushtri, mirëpo kjo nuk mund të bëhet pa qen në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe duke I ditur "kërcënimet" që janë bërë nga ana tyre, Kosova duhet t'a ketë parasysh se nuk ka miq pos SHBA-ve dhe NATOS, e kësisoj duhet ta ketë parasysh që nuk mund të rrugëtoj pa ta”, ka thënë Badallaj.

Andaj, sipas tij, miqësinë e krijuar me SHBA-të dhe NATO-n, nuk mund ta vënë në pikëpyetje “kapriçot” e individëve të caktuar, qoftë edhe nëse janë lider institucional.

“Kosova nuk mundet të hyj aventurave të pamenduara mirë duke e vënë në pikëpyetje partneritetin me miqtë tanë dhe besoj që me asistimin e tyre do të bëhet një zgjidhje më e mirë dhe e pranueshme për të gjithë. Duhet të kemi parasysh se janë shumë të rrezikshëm personat kur I qesin "shqelmat e fundit" sepse lënë pasoja të mëdha”, është shprehur ai.

Ligji për FSK-në, bën bashkë opozitën me Thaçin

Edhe sipas analistit Islam Krasniqi, iniciativa e Presidentit Thaçi për ndryshimin e Ligjit Lidhur me FSK-në bëhet për poena politik.

“Presidenti Thaçi gjithmonë ka qenë i dëgjueshëm ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, dhe për një moment doli kundër të gjithëve, çka na bëri të kuptojmë se premtimet e tij janë shpenzuar dhe në kohë zgjedhjesh po rrah gjoks së unë çka mund të bëj”, ka thënë analisti Krasniqi.

Sipas tij, ndryshimi i  Ligjit lidhur me FSK-në është e vetmja kërkesë që opozitën mund ta ulë në tryezë me z. Thaçi.

“Kjo është pik e dobët e të gjithëve andaj edhe presidenti mundohet ta shfrytëzoj këtë rast për ta fuqizuar vetën. Duhet të kemi parasysh se Presidenti, mundet që si kompromis me Bashkësinë ndërkombëtare t`i fus me një pako Ligjin e FSK-së, Asociacionin dhe Demarkacionin, ndoshta edhe për ta shpëtuar vetën nga ndonjë ndjekje penale për marrëveshje të kundër ligjshme”, ka theksuar analisti Islam Krasniqi.

Kundërshtimet e SHBA-së, NATO-s e BE-së

Ndërkaq, sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, iniciativa e Presidentit Thaçi për ndryshimin e ligjit për FSK-në në këtë kohë është një nguti e pakuptimtë, e cila nuk i shkon në favor krijimit të ushtrisë, sidomos pa një konsultim dhe leje të miqve të Kosovës.

“Ata na ndihmuan të çlirohemi nga armiku jonë gjenocidial dhe nga ata që pritet edhe kur të krijohet ushtria jonë, do t'na udhëzojnë dhe do t'na ndihmojnë në armatimin modern të ushtrisë sonë, të shtetit tonë të sapoformuar dhe të brishtë. Nëse këtë vendim të krijimit të ushtrisë do ta kundërshtoj Lista serbe  në Parlamentin e Kosovës sikur që janë të gjitha gjasat,  konsiderohet si hap jo i duhur i Presidentit Thaçi,  sepse në këtë kohë për politikat ndërkombëtare prioritet janë bisedat mes Serbisë e Kosovës, të cilat po i ndërmjetëson BE dhe rrugëtimit të këtyre dy shteteve në BE. Gjithsesi mund të konsiderohet si hap i njëanshëm, pasi po kundërshtohet nga NATO-ja dhe BE-ja”, ka thënë ai.

Vlerësimet rreth kësaj ngutje për krijimin e ushtrisë nga ana e Presidentit, sipas analistit Tërnava janë të ndryshme.

“Presidenti është në panik, rreth të mundshmes së do të jetë klient i Gjyqit Special në Hage, i cili fillon funksionimin muajve në vijim, për këtë iniciativë të tij popullata e Kosovës mund të rebelohen dhe të protestojnë,  dhe të çrregullohet situata politike përskajshmërisht dhe ti këndohen këngë me çiftelia Presidentit në histori, ose mund që kjo iniciative t`iu jep me dije serbëve, se nëse formohet Ushtria në këto rrethana edhe ana serbe ti ndërmerr hapat e tyre dhe të shpallë asociacionin në mënyrën e vete dhe veriu i Kosovës të ndahet dhe të krijohet si Republika Srpska e dytë, dhe me këtë t`iu tregohet se Hashim Thaçi s`po mendon keq për serbët prandaj nuk duhet të akuzohet në Gjyqin Special”, ka nënvizuar ai.

Hajrullah Tërnava, potencon se edhe tendenca e Presidentit mund të jetë për përfitime të poenëve politik, në këtë situatë kur vlerësohet se zgjedhjet mund të jenë shumë afër për partinë e tij PDK.

“Kjo tendencë e tij, në këtë kohë mund të konsiderohet si e ngutshme dhe e pakuptimtë, sepse në këtë kohë kufijtë e Kosovës janë te garantuara nga KFOR dhe NATO, dhe garancat e ruajtjes se kufijve dhe sovranitetin të Kosovës, nuk kanë me qenë më të forta edhe kur ta kemi ushtrinë tonë”, ka thënë Tërnava.

Në këtë drejtim, Tërnava ka nënvizuar se më në fund Serbia e ka kuptuar, se nëse e sulmon Kosovën në këtë kohë, e ka sulmuar Amerikën, ndërsa thekson se Serbia e ka përvojën e hidhur me Amerikën.

“Ka sot edhe shumë shtete në botë që nuk kane ushtritë e tyre, por sovraniteti i tyre është  i garantuar nga vende të treta apo mënyra të ndryshme. Edhe politikat që udhëhiqen ne Kosove duhet të dëshmohen si të unifikuara mes strukturave si partiake apo edhe shtetërore e jo si në këtë rast kur qartë shihet kundërshtime në këto struktura. Pra Kosova duhet të udhëheq politika të urta dhe të mençura, me partnerët e saj që na ndihmuan të çlirohemi në miqësi të përjetshme me ta”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat