Partitë politike dhe analistët: Sondazhi i VV-së, i manipuluar

Politika

Partitë politike dhe analistët: Sondazhi i VV-së, i manipuluar

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 mars 2017 Në ora: 15:50
Lëvizja Vetëvendosje

Në kohën kur zërat për zgjedhje të jashtëzkonshme po shtohen, Lëvizja Vetëvendosje, ka njoftuar se ka realizuar një sondazh, sipas së cilit, në zgjedhjet e ardhshme, ajo do të dalë fituese. Parti e dytë, sipas këtij sondazhi do të jetë Partia Demokratike e Kosovës, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa pasojnë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e re, Nisma për Kosovën dhe partia e re, Alternativa.

Por, rezultatet e të njëjtit sondazh nuk janë pranuar nga partitë e tjera, e as nga shumë zyrtarë të tjerë institucional vendor.

E zëshme për këtë rast ishte edhe deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli, e cila ka thënë se secila parti që i ka 1.500 euro, mund të bëjë një sondazh të tillë.

“Secila parti mund të dalë me sondazhe dhe t`ia bëj vetit qefin duke thënë “ne jemi të parët”, sepse  nga 1 mijë e 500 euro si Vetëvendosje, i ka secila parti. Por është mirë me iu kthy problemeve të cilat i kemi dhe me u gjet zgjidhje, e mos me u hutu pas sondazheve. Duhet të punohet, sepse askush nuk po punon”, ka thënë Tërmkolli.

PDK e quan të porositur dhe joserioz sondazhin

Duke folur në lidhje me këtë për gazetën “Bota sot”, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja Bislim Zogaj, ka vlerësuar se ai sondazh është i porositur dhe se çdo parti ka pasur mundësi të publikojë një të tillë.

Ai konsideron se në Kosovë nuk ka sondazhe serioze, sepse nuk janë duke u bërë nga kompanitë serioze.

“Ajo është e lehtë për t’u bërë, por partitë po i keqpërdorin këto sondazhe dhe jam i sigurt që ky sondazh nuk është real, duke filluar nga Drenasi, ku Vetëvendosje nuk ekziston fare, pastaj në komuna tjera, ajo është parti minore”, është shprehur Zogaj.

Sipas deputetit të PDK-së, Vetëvendosje këtë sondazh mund ta ketë bërë në një degë apo qendër të tyre, por ai nuk mund të jetë as përafërsisht real, pasi shifrat e tij nuk përputhen.

AAK: Sondazhi më i mirë, populli

Edhe AAK-ja ka kundërshtuar rezultatet e sondazhit të publikuar nga Vetëvendosje. Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, Teuta Haxhiu, ka thënë se sondazhi më i mirë është populli.

Ajo ka theksuar se këtë e përcakton populli në zgjedhjet e lira, të cilat opozita ka kohë që po i kërkon.

“Është aftësi  e cilitdo subjekt politiik për të angazhuar njerëz për të vënë veten të parët apo të dytin. Mirëpo për mendimin tim, është moment atëherë kur vendos populli se kënd e rendit të parin apo të dytin. Mirë është që vetëdija e njerëzve apo e votuesve është në rritje, dhe nuk do të shkojë votimi sikurse ka shkuar deri më tani”, është shprehur deputetja Haxhiu për “Bota sot”.

Më tej, ajo ka shtuar se populli duhet të vlerësojë secilën parti dhe brenda subjektit secilin individ. “Ajo është me interes për vendin. Është mirë që të bëhen sondazhet. Edhe ne bëjmë sondazhe të brendshme dhe analizojmë situatën ku jemi, por nuk mundemi të analziojmë sondazhet e askujt. Në qoftë se janë bërë sondazhe reale, është mirë që subjekti ta shoh veten ku është. Mirëpo sinqërisht nuk e kam në natyrë dhe nuk dua të diskutojë sondazhet e askujt, natyrisht të ndonjë organizate po”, ka thënë deputetja e AAK-së, Haxhiu.

VV-partive tjera: Pse nuk po i publikoni sondazhet tuaja?

Por, Lëvizjen Vetëvendosje, nuk e shqetëson aspak ajo çfarë thonë partitë politike në lidhje me këtë sondazh.

Zëdhënësi i këtij subjekti Shkodran Hoti, duke folur në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se bërja e sondazheve është një praktikë, e cila ndiqet në çdo shtet që konsiderohet si demokratike si në Evropë dhe SHBA.

Ai madje, ka pohuar se edhe partitë e tjera bëjnë sondazhe, por nuk i publikojnë për shkak të pozicionit të keq që dalin në to.

“Vetëvendosje nuk ka bërë asgjë, por e ka publikuar një sondazh, të cilin e ka bërë një kompani, e cila konsiderohet si ndër më seriozet në vend dhe ne kemi dalë të parët. Nuk kemi qenë të vetmit klient, prandaj ajo çka thotë zonjaTërmkolli nuk ka kuptim. Kanë qenë disa herë të tjerët në atë sondazh dhe ne kemi qenë vetëm një herë klient i saj, dhe kemi dal më së miri”, është shprehur Hoti.

Ai e ka quajtur absurditet, atë që partitë politike po flasin kundër këtij sondazhi. “Nëse përnjëmend nuk i besojnë, atëherë çfarë kuptimi ka që janë marr kaq shumë me të. Në anën tjetër, nëse i besojnë, do të duhej që të mos akuzojnë me këtë sondazh, por të reflektojnë dhe të angazhohen në terren siç bëjmë ne në vazhdimësi”, ka thënë më tej zëdhënësi i VV-së.

Hoti: Akuzat e Tërmkollit, irrituese

Ndërsa, në fund, ai ka thumbuar deputeten Tërmkolli, për të cilën ka thënë se njihet për deklarata joserioze. “Akuzat e këtilla aspak nuk qëndrojnë dhe janë irrituese”, ka përfunduar Hoti për “Bota sot”.

Telashet e vjetra në zgjedhjet e reja

Mirëpo, vlerësim tjetër ka dhënë analisti politik Blerim Burjani, sipas së cilit, nuk duhet të merremi fare me sondazhe të partive që i bëjnë vet. Ai ka thënë se ato nuk kanë ndonjë peshë në publik dhe se ato vlerësohen si propagandë apo promovim I një subjekti.

“Sondazhet e tilla, as nuk i rrisin e as zvogëlojnë partitë tjera, prandaj sondazhet e tilla partiake nuk konsiderohen serioze për t’u komentuar. Nuk është me rëndësi se cili subjekt i bën ato, por dihet se në skenën politike ka humbur kaherë besimi qytetar”, ka thënë Burjani, derisa ka theksuar se edhe pozita, edhe opozita do të kenë telashe të daljes së qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.

“Qytetarët kanë humbur besimin tek këto parti, askush nuk merret me to. Disa parti të vogla, mund edhe fare të mos e kalojnë pragun zgjedhor, pra këto parti mund të bëjnë çfarëdo sondazhe, po do të ketë befasi për të gjitha këto subjekte pozitë dhe opozitë”, është shprehur Burjani për “Bota sot”.

Mehmeti: Vetëvendosje fryu sondazhin

Ndërsa, sipas politologut Faton Mehmeti, sondazhet në prag zgjedhjesh, janë të natyrshme dhe të nevojshme, nëse ato janë të realizuara në mënyrë profesionale.

Mirëpo, ai ka pohuar se sondazhet e realizuara nga subjektet politike, bëhen me qëllime propaganduese për të nxitur qytetarët e pavendosur për të votuar subjektin e tyre, pasi gjoja se ai është më i besuari dhe për të ngjallur panikë tek rivalët e saj.

“Sondazhi i VV-së është i kësaj natyre. Natyrisht se sondazhi i saj është i fryrë dhe nuk pasqyron gjendjen faktike të pozicionimit të subjekteve politike. Sondazhe të tilla janë bërë edhe në të kaluarën, të cilat rezultati i votimeve i ka demantuar, duke sjell një pasqyrë të re. VV ka tendenca të rritjes, që do të ishte e zakonshme për një subjekt aktiv opozitar, por jo në përmasat që nxjerr sondazh të realizuar nga vet ajo”, ka përfunduar politologu Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat