Sali Asllanaj: Loja me ushtrinë iu kthye bumerang Thaçit dhe PDK’së

Politika

Sali Asllanaj: Loja me ushtrinë iu kthye bumerang Thaçit dhe PDK’së

Më: 2 prill 2017 Në ora: 15:18
Sali Asllanaj

Një zyrtar i LDK’së po e sheh si lojë idenë e Thaçit dhe të PDK’së për të themeluar ushtrinë pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Sali Asllanaj po thotë se një veprim i tillë po iu kthehet bumerang PDK’së dhe Presidentit. Në një bisedë për Express, ai ka thënë se nëse shkohet në zgjedhje të reja, Isa Mustafa do të jetë përsëri kandidat për Kryeministër.

Kryetari i Degës së LDK’së në Suharekë, Sali Asllanaj ka thënë se loja me ushtrinë i është kthyer bumerang Hashim Thaçit dhe PDK’së.

Ai ka thënë se themelimi i ushtrisë duhet të bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe jo të mbetet e izoluar dhe pa asnjë përkrahje.

“Shihet një tentim i kryetarit Thaçi, por mendoj se nganjëherë të kthehet si bumerang dhe ato iniciativa të pa qëlluara dhe të pastudiuara mirë ktehen si bumerang ndaj subjektit të tij politik ndaj Thaçit dhe PDK-së”, ka thënë Asllanaj.

Presidenti Thaçi më 5 mars kishte bërë publike themelimin e ushtrisë përmes ndryshimeve të Ligjit të FSK’së. Kundër kësaj nisme kanë dalë SHBA dhe NATO.

Ligji është proceduar në Qeveri dhe ende nuk ka një vendim për porcedim në Parlament.

Në këtë situatë, Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Mbrojtjes së Amerikës, gjatë qëndrimit në Prishtinë, ka kërkuar të mos procedohet ndryshimi i Ligjit të FSK’së në Kuvend, por ushtria të themelohet me ndryshime kushtetuese.

Sidoqoftë, anëtari i Kryesisë së LDK’së, Sali Asllanaj thotë se Kosovë nuk i duhet një ushtri e izoluar nga ndërkombëtarët.

“Neve na duhet një ushtri që do të jetë pjesë e planit global të sigurisë në Evropë dhe në botë, dhe jo një ushtri e izoluar dhe pa përkrahje nga partnerët që na kanë ngrit FSK-në dhe Kosovën si shtet. Ajo tregon një mosmirënjohje të thellë ndaj gjithë faktorit ndërkombëtar që ka qenë shumë dominant në këtë proces shumë vjeçar”, ka thënë ai.

Ndryshe, ky zyrtar i LDK’së ka folur edhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, duke thënë se përsëri do të shkojmë me Isa Mustafën si kandidat për Kryeministër.

“Kryeministri Mustafa është kryeministër aktual, edhe kryetar i partisë. Ai do të jetë kandidati i LDK-së për Kryeministër”, ka treguar ai.

Ndërkohë, Asllanaj s’ka treguar nëse do të rikandidojë për të udhëhequr Suharekën me arsyetimin se janë duke i pritur vendimet e nivelit qendror të LDK’së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat