Demarkacioni në Kuvend rikthen trazirat në rrugë

Politika

Demarkacioni në Kuvend rikthen trazirat në rrugë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 3 prill 2017 Në ora: 08:41
Protesta të dhunshme në Prishtinë

“Lidhur me sjelljen e demarkacionit me Malin e Zi me 6 prill ka spekulime, por asnjë informacion zyrtarë, se kjo mund të ndodh. Shpresoj që Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme, se sjellja e demarkacionit në Kuvend pa një konsensus me forcat politike në Kosovë për rrëzimin e kësaj marrëveshje për t’i hapur vendit mundësinë për ta rinegocuar marrëveshjen me Malin e Zi, mund ta mbajë vendin edhe mëtutje të destabilizuar", është shprehur deputeti Faton Topalli. 

Çështja e përcaktimit të vijës kufitare me Malin e zi mund të përmbyllet gjatë kësaj jave. Zërat se Demarkacioni, Asociacioni e krijimi i ushtrisë mund të futen në një pako dhe të votohen në Kuvend, po shtohen çdo ditë e më shumë. Ndërkohë që zyrtarët qeveritarë nuk janë përgjigjur për gazetën lidhur me ndonjë plan të Qeverisë për procedimin e Demarkacionit. Nga ana tjetër, për deputetin e LDK-së Sadri Ferati do të ishte befasi, nëse Demarkacioni do të procedohej këtë javë në Kuvend. "Nuk kam informacione. Kisha me u befasu nëse procedohet për datën 6 siç po flitet", ka thënë Ferati për "Bota sot".

Opozita do të “paralizojë” vendin

Ndërkaq, Faton Topalli, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për "Bota sot", se sjellja e Demarkacionit në Kuvend pa një konsensus me forcat politike mund ta mbaj vendin edhe më tutje të destabilizuar. "Lidhur me sjelljen e demarkacionit me Malin e Zi me 6 prill ka spekulime, por asnjë informacion zyrtarë, se kjo mund të ndodh. Shpresoj që Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme, se sjellja e demarkacionit në Kuvend pa një konsensus me forcat politike në Kosovë për rrëzimin e kësaj marrëveshje  për t’i hapur vendit mundësinë për ta rinegocuar marrëveshjen me Malin e Zi, mund ta mbajë vendin edhe mëtutje të destabilizuar", është shprehur Topalli. Kjo sipas tij, do të ndodhë për shkak të kundërshtimit të qytetarëve, opozitës por edhe pozitës. "Dhe kjo, jo për ndonjë arsye tjetër, por për shkak të kundërshtimit të qytetarëve, kundërshtimeve të opozitës, kundërshtimeve brenda vetë pozitës madje edhe brenda taborit qeveritarë", ka theksuar ai. Deputeti Topalli ka potencuar se, çështja e Asociacionit nuk sillet në Kuvend për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë, se Komunat Serbe mund të themelojnë një Asociacion i cili nuk mund të ketë një statut me të avancuar se sa një OJQ. Por, ai ka thënë se do të presin vendimin e kryesisë së Kuvendit, për rendin e ditës së seancës së ardhshme të Kuvendit."Ligji për Ushtrinë deri më sot nuk u është shpërndarë deputetëve, kështu që nuk ka asnjë mundësi të sillet në seancën e ardhshme. Sidoqoftë të gjitha këto do t’i marrim vesh në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës e cila duhet të mbahet të hënën e ardhshme", ka përfunduar Topalli. Kurse për deputeten e AAK-së, Time Kadrija, trysnia që po ju bëhet deputetëve është e pa kuptim dhe e papranueshme nga kushdo qoftë. “Ne jemi deputetë të zgjedhur nga vota e popullit dhe atij i përgjigjemi. Marrëveshja për  Demarkacionin ka ardhur në Kuvend për votim edhe në shtatorin e vitit të kaluar, por qeveria u detyrua që ta tërheqë se nuk i kishte votat", ka thënë Kadriaj. Ajo ka shprehur besimin, se deputetët nuk kanë ndërruar qëndrim rreth votimit, sepse, siç është shprehur, "ata e kanë kuptuar se me këtë lloj demarkimi Kosova humb territor." Nga ana tjetër, Deputetja Kadriaj ka thënë, se është joligjore që këto çështje Demarkacioni, Asociacioni dhe Ushtria të sillen në pako, sepse kjo është manipulim me votën dhe ndjenjën e deputetëve. "Këto janë çështje të ndara dhe të ndara duhet të sillen", ka potencuar ajo. Po ashtu ajo ka thënë se, Ushtria duhet të formohet dhe se të gjithë do ta përkrahin ndërsa asociacioni dhe demarkacioni nuk kalojnë.        

Trazirat mund të rikthehen

Kurse, sipas analistit Ismet Haziri, Demarkacioni mund tejkalohet me trysni edhe të lidershipit politik në pozitë dhe të presionit ndërkombëtarë, por që në të vërtetë nuk do t`ia vlente nëse i njëjti krijon destabilitet politik dhe drejtim gishti për tradhti kombëtare. "Pra nëse kthehet në parlament kjo pikë e nxehtë do të na përsëritet një gjendje jo e këndshme në Kuvend dhe në rrugët e Prishtinës, që për mendimin tim nuk ia vlen për një vizë, që as nuk do ua kërkoja kurrë evropianëve, ngase janë treguar shumë nihilist dhe të padrejtë me Kosovën dhe popullin e Kosovës. Nuk i vlerësoj se një francez apo një italian a gjerman është më shumë apo më i vlefshëm se një shqiptarë i Kosovës dhe nuk kemi pse t`i lutim duke na imponuar në vendime që janë të dhimbshme për ne", ka thënë Haziri.  Kurse sa i përket Asociacionit, ai ka deklaruar, se mund të jetë një kompromis me deputetët serb, për demarkacionin, që ti kalojnë në pako të dy këto pika. “Uroj të mos të kalojmë nga Ahtisari në Dejton dhe të mos na bosnjëzohet Kosova, ngase edhe në këto rrethana që jemi, bashkësia ndërkombëtare dhe Evropa hapur e barasvlerësojnë në 5% të minoritetit serb me 90% të shqiptarë, kur është rasti për vendime të rëndësishme. Normal se nëse kemi të bëjmë për ndërtimin e ndonjë koteci pulash ne si shqiptarë mund të marrim vendime pa minoritetin serb", ka nënvizuar Haziri. Sipas tij, kjo gjë më së miri është ditur me rastin e tentimit të procedimit të ligjit për ndryshimin e misionit të FSK-së në ushtri nga ana e presidentit Thaçi. "Pra, sa i përket Ushtrisë as që mund të mendojmë se do të jetë pjesë e pakos së 6 Prillit. Nëse nuk ndodhin mrekullitë apo nëse nuk lind ndonjë kompromis i natyrës së tillë, që u shkon shumë përshtati serbëve dhe Serbisë", ka përfunduar ai. Kurse, për njohësin e çështjeve juridike Muhamet Kelmendi, çështja e votimit në paketë në Kuvendin e Kosovës nuk parashihet me Kushtetutën e Kosovës dhe një veprim i tillë përbën shkelje të Kushtetutës. “Është mirë që marrëveshja e demarkacionit të dërgohet  në Kuvend. Kjo për faktin se Kjo marrëveshje do të merrte epilogun e vet dhe do të duhet vazhdimi", ka thënë Kelmendi.  Kështu sipas tij, në Kuvend kjo marrëveshje nuk do të votohet. "Deputetët me shumicë janë kundër kësaj marrëveshjeje", është shprehur ai. Tutje sipas Kelmendit, duket se qeveria ka bërë marrëveshje me listën serbe për të shkuar në Kuvend me tri çështje, përkatësisht me marrëveshje për Demarkacionin, me Asociacionin dhe me themelimin e Ushtrisë. Kjo është antiligjore. Çështjet e tilla janë të mëdha dhe vetëm për vetëm  duhet të shqyrtohen nga kuvendarët dhe të votohen. Kjo është ligjore. Ndërsa te Asociacioni, duhet të përkujtojmë verdiktin e Gjykatës kushtetuese e cila e ka anuluar marrëveshjen asociacionit dhe si e tillë ajo nuk duhet të vijë në Kuvend”, është shprehur Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat