Vjosa Osmani nuk u lejua të flasë në Këshillin e përgjithshëm të LDK-së

Politika

Vjosa Osmani nuk u lejua të flasë në Këshillin e përgjithshëm të LDK-së

Më: 12 prill 2017 Në ora: 21:02
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani

Deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Vjosa Osmanit, nuk i është dhënë fjala sot në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, ku u diskutua për zgjedhjet lokale dhe demarkacionin.

Osmani pas mbledhjes së Këshillit, pohoi se nuk i është dhënë fjala, po ashtu tha sa i përket demarkacionit, kishte diskutime pro dhe kundër. Ajo pohoi se edhe pse kishte një numër të anëtarëve të LDK-së që e kërkuan fjalën, nuk  iu dha fjala, sepse diskutimet u ndërprenë në gjysmë nga anëtarët e Këshillit të përgjithshëm.

Osmani: Deputetët kanë dhënë një betim që të mbrojnë integritetin territorial

“Megjithatë çështja se si do të duhej të procedohej me demarkacionin, nuk është çështje e Këshillit të përgjithshëm, por e Kuvendit të Kosovës. Dhe ajo që duhet ta ketë parasysh secili anëtarë i Këshillit të përgjithshëm, sepse aty ka shumë pak deputetë, në fakt, është që deputetët e Kuvendit do të duhej dhe unë besoj që do votojnë vetëm në përputhje me vullnetin e tyre të lirë dhe nuk do duhet të përdorej asnjë gjuhë, as kërcënuese as shantazhuese ndaj askujt. Deputetët kanë dhënë një betim, që të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit dhe po ashtu interesat e qytetarëve dhe unë besoj se secili ka pas detyrë dhe deri tani ka pas edhe kohë, sepse kanë kaluar gati dy vite që nga nënshkrimi i asaj marrëveshje, që t’i analizojnë të gjitha argumentet për dhe kundër, dhe të marrin një vendim në përputhje me mandatin e tyre të lire”, tha ajo.

Ajo po ashtu tha se mandati i deputetit mbrohet me kushtetutë dhe nuk ka asnjë organ as partiak e as tjetër që mundet me iu imponu deputetëve të votojnë ndryshe.

E pyetur rreth arsyeve pse asaj dhe disa anëtarëve të tjerë nuk u është dhënë fjala, ajo tha se si duket nuk u pëlqente kahja që merrnin diskutimet.

Osmani: U thanë edhe shumë të pavërteta

“Si duket nuk u pëlqente kahja që merrnin diskutimet, sepse shumcia e diskutuesve që kërkuan fjalën në pjesën e dytë, janë deputetë që kanë shprehur shqetësime. Unë nuk e di se si do të votojnë, por së paku kanë shprehur shqetësime për këtë proces. Dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja. Megjithatë u kërkua që të ketë një votim dhe aty edhe në shumë diskutime u thanë edhe shumë të pavërteta, megjithatë besoj se argumentet e sakta do t'i japim në Kuvend edhe neve që nuk na u dha fjala sot”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat