"Shefat në poste të larta zhduken dëshmitë për vrasjet politike"

Politika

"Shefat në poste të larta zhduken dëshmitë për vrasjet politike"

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 prill 2017 Në ora: 08:31
Ilustrim

Vrasjet e pasluftës  vështirë se zbardhen , sepse dyshohet se  janë humbur provat dëshmitë dhe dëshmitarët. Ato janë zvarritur me qëllim që e vërteta mos të dalë në shesh dhe misteri i vdekjes të mbulohet nën dheun e zi. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe juridike, të cilët thonë se mos zbardhja e tyre për gjithë këtë periudhë është  një njollë e zezë për shoqërinë e Kosovës.  Njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka pohuar, se organet e rendit duhet të angazhohen më tepër për të zbardhur të gjitha rastet e tilla. “Është olbigim ligjor, moral dhe kushtetues që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme, për zbardhjen e rasteve të tilla, sepse gjatë gjithë kohës është përfolur shumë për to dhe nuk është bërë asgjë.Të gjitha vresjet duhet të zbardhen që misteri i vdekjes të mos mbulohet nga pluhuri i kohës”,  është shprehur Burjani.

Vrasje politike edhe në luftë?

Ndryshe avokati Tomë Gashi ka pohuar se është mirë që në fund të gjithë po e pranojnë se pas lufte mjerisht paska pasur vrasje politike, madje fatkeqësisht edhe të tilla ku shqiptarët kanë vrarë shqiptarë, për të vetmin qëllim atë të eliminimit të oponentëve politik. “Më në fund dy partitë e koalicionit PDK dhe LDK po e pranojnë haptas se vrasjet me kësi motivesh kanë ndodhur. Më në fund thuajse të gjitha partitë po kërkojnë zbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës. Është pak e çuditshme, por të shtyra nga interesi rrijnë në pushtet bashkë viktima dhe vrasësit e tyre. Ata të (LDK-së) që deri dje akuzonin se vrasjet i ka kryer SHIK-u dhe prapa tyre është PDK-ja, sot janë duke bashkëqeverisur Kosovën. Dhe, kjo fillimisht nuk është as natyrore dhe as etike që viktima dhe " xhelati" të jenë bashkë , por siç duket shqiptarët e Kosovës e bëjnë gjithçka për pushtet. Dhe tani lind pyetja se a janë të vërteta vrasjet e pasluftës, dhe a janë bërë vrasjet politike të pasluftës dhe pyetja tjetër se a ka pasur vrasje të tilla politike gjatë luftës”, është shprehur avokati Gashi. Sipas të njëjtit, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe është ditur futuesi. “Në kuadër të UÇK-së, kishte njësi të njohura si FARK-u, por, që të gjithë luftuan nën një flamur dhe me një emblemë ushtarake. Pra, a thua a ka pasur vrasje gjatë luftës mes këtyre strukturave ushtarake. Shpresojmë që jo, por flitet se ka pasur edhe pse kjo nuk kërkohet të hetohet sepse nëse ka pasur raste të tilla ato janë po ashtu vrasje politike. E treta, po vrasësit - ekzekutuesit e urdhëruar e të paguar a dihen, a mos janë vrarë së paku disa prej tyre, a mos janë shndrruar në dëshmitarë? Disa prej tyre, mos vallë janë dërguar jashtë Kosovës e disa prej tyre, a mos janë kërcënuar, blerë e shantazhuar. Pra çfarë kanë ndodhur me disa prej tyre? Të gjitha këto pyetje duan përgjigje, dhe pasi asnjë prej këtyre përgjigjeve nuk i kemi marr nga policia, prokuroria dhe Gjykatat e Kosovës. Për  18 vite, familjarët e viktimave me të drejtë presin që të marrin përgjigje nga Gjykata Speciale në Hagë”, është shprehur avokati Gashi.

Sipas tij, tani normalisht që gjurmët janë zbehur, dëshmitë janë zbehur, dhe të gjitha këto i ka bërë koha, dhe krejt ka ndodhur qëllimisht, që koha të zbeh dëshmitë që mos te zbulohen posaçërisht urdhërdhënësit.  “ Pra normalisht se nuk ka pasur vullnet politik  që të zbardhen vrasjet politike  e që të jetë më trishtuese thuajse asnjë partie të madhe politike nuk i ka konvenuar zbardhja e vrasjeve të tilla”, është shprehur avokati Tomë Gashi.

Kritikohet drejtësia ndërkombëtare

Njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi ka thënë. se vrasjet e pasluftës janë objekt i shqyrtimit të EULEX-it dhe të sistemit juridik vendor.

Sipas tij, shumë prova dhe dëshmi mund edhe të humbin, por pavarësisht nga kjo, çështja e ngarkon kryesisht sistemin e të drejtës në vend.  “Sa më shumë që zgjasin këto çështje, aq më shumë rrezikohet mundësia që të humbasin ato. Dhe kjo e ngarkon kryesisht sistemin aktual të drejtesisë dhe jam i sigurtë, se një ditë turpi do t’i mbulojë me përgjegjësit”, është shprehur profesor  Kelmendi.  Ndërsa sipas ekspertit të sigurisë Hajrullah Tërnava duke e marrë parasysh se ka kaluar një kohë e gjatë për zbardhjen e rasteve të  tilla vështrirë se mund të hetohen. “Është e kuptueshme që 17 vite pas luftës, se dikush nga dëshmitarët edhe ka mundur që të vdesë, apo ata të cilët kanë mbetur gjallë, kanë punuar në atë drejtim që t’i zhdukin gjurmët  e zbardhjes së atyre vrasjeve, e sidomos që vlerësohet se ata që kanë dhënë  urdhëra (shefat) në mënyrë të organizuar, që të likuidohen ata persona që iu kanë penguar për arsye të ndryshme.Shefat që gjinden në poste të larta, e kanë pasur  mundësinë që t’i likudojnë edhe dëshmitarët e mundshëm të rasteve si pjesëmarrës në ato likuidime-vrasje të atyre kohërave. E më e keqja është se ka pasur shumë vrasje të atyre kohërave, ku fare nuk është tentuar në zbardhjen e tyre. Madje në kohën e UNMIK-ut,  kanë ndodhur dhe është përfolur se janë hulumtuar disa raste, por,  ato ose nuk janë zbuluar ose janë ndërprerë hetimet pa spjegime. Pra, këtu mund të dyshohet se edhe ata të huaj( ndërkombëtarët) që i kanë ndërprerë ato hetime, ose kanë qenë të kërcënuar nga dikush, ose kanë marrë mito, nga dikush në mënyrë që ti ndërpresin aton hetime.” është shprehur Tërnava. Ndërsa, eskperti i sigurisë Naim Maloku ka pohuar se vrasjet e dyshuara dhe të klasifikuara edhe në opinion si vrasje politike, kanë ndodhur kryesishtë në vite e luftës dhe menjëherë pas lufte.  “Pas instalimit të misionit të EULEX-it ato lëndë, disa edhe të përfunduara kanë kaluar aty. Në dhomën e dëshmive sipas të gjitha gjasave,  sepse kurrë opinioni nuk është informuar se për çfarë dëshmive bëhet fjalë që janë vjedhë, nuk kanë qenë të " ruajtura" lëndët- dosjet e UNMIK-ut apo EULEX-it. Mendoj, që vështirësi do të paraqesë fakti sepse mund të ndodhë që një numër i dëshmitarëve për një arsye ose tjetër kanë vdekur. Pavarësisht kësaj mendoj që dosjet dhe rastet do të mbyllen me gjyqe, sepse nuk ka mënyrë tjetër të mbylljes së rasteve të tilla”, ka thënë ekspert Maloku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat