Paralajmërimi i rrezikshëm: “Asociacioni në kuvend destabilizon situatën”

Politika

Paralajmërimi i rrezikshëm: “Asociacioni në kuvend destabilizon situatën”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 prill 2017 Në ora: 13:10
Arben Gashi, Avni Arifi, Belul Beqaj dhe Shkodran Hoti

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova është vonuar me themelimin e Asociacionit, në veçanti pas opinionit të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se rikthimi i Listës serbe, është një mundësi e mirë që të punohet drejt një votimi në Kuvend edhe për këtë çështje.

Por, deklarata e tij, nuk i ka pëlqyer deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashit, sipas së cilit, ajo kërcënon stabilitetin e vendit.

"Nëse Asociacioni vjen në Kuvend, ai është rrezik për stabilitetin kushtetues të vendit”, ka deklaruar deputeti Gashi.

Gashi: Asociacioni nuk vjen në Kuvend

I pyetur nga gazeta “Bota sot” lidhur me këtë, deputeti i LDK-së ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.

“Nëse vjen në Kuvend, krijohet një Asociacion, i cili ka fuqi ligjore dhe kushtetuese. Unë besoj se Asociacioni nuk vjen në Kuvend”, ka thënë tutje Gashi.

Ai ka shtuar se stabiliteti politik në vend mund të sigurohet vetëm duke arritur konsensus nacional.

Vetëvendosje paralajmëron destabilizim

Edhe Lëvizja Vetëvendosje konsideron se sjellja e Asociacionit dhe Demarkacionit në Kuvend, janë veprime antidemokratike dhe në dëm të Kosovës.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zëdhënësi për media i VV-së, Shkodran Hoti, ka thënë se Asociacioni, është një marrëveshje, e cila nga vet Gjykata Kushtetuese është cilësuar si antikushtetuese, për shkak të shkeljes së tre neneve të saj.

“Përveç shkeljes së aktit më të lart juridik, ajo e instalon brenda vendit një trup, i cili është destabilues, për shkak se është një projekt shovinist, i cili nuk iu shëben serbëve të Kosovës, por iu shërben interesit të Beogradit dhe Serbisë. Prandaj ne mendojmë se nuk do të duhej të silleshin as marrëveshja  për Zajednicën, por as Demarkacioni me Malin e Zi, i cili poashtu është antikushtetues, pasi prek integritetin territorial të vendit, dhe ia merr Kosovës mbi 2800 hektarë tokë”, ka pohuar Shkodran Hoti.

Arifi: Për destabilizim le të flasin LDK e PDK

Se marrëveshja e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe ajo e Demarkacionit me Malin e Zi, e ka thënë edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi.

Ndërsa, lidhur me mundësinë e destabilizimit të rendit në Kosovë, ai ka thënë se për këtë e din më mirë partnerët e koalicionit qeverisës.

“Të dyja marrëveshjet në versionin aktual janë të vdekura. E sa i përket destabilizimit, ndoshta LDK-PDK din më shumë”, është shprehur Arifi për “Bota sot”.

Beqaj: Përplasjet pozitë-opozitë, të rrezikshme

Ndërsa, sipas analistit Belul Beqaj, hapja e temës së Asociacionit, për shkak të mungesës së besimit  të ndërsjell serioz mes pozitës dhe opozitës, është shumë e rrezikshme.

Ai ka thënë edhe pse ka presion nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit, Kosova duhet të marrë parasysh sugjerimet e tyre vetëm nëse ato do të reflektonin pozitivisht për vendin.

“Në situtatë të mungesës së besimit  të ndërsjell serioz  mes pozitës dhe opozitës,  faktit të pakontestueshëm se Lista serbe është “kali Trojës “ brenda sistemit  politik të Kosovës, hapja e kësaj teme,  në këtë kontekst politik, është  shumë e rrezikshme pavarësisht nga presioni i jashtëm. Ne mund të dëgjojmë sugjerimet nga jashtë  vetëm nëse jemi të sigurtë se ato do të reflektojnë pozitivisht për interesin kombëtar dhe shtetëror. Mjerisht, në këto rrethana një gjë e tillë është shumë problematike”, është shprehur analisti Beqaj për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat