Mocioni për rrëzimin e qeverisë, kush qëndron prapa Nismës së Fatmir Limajt?

Politika

Mocioni për rrëzimin e qeverisë, kush qëndron prapa Nismës së Fatmir Limajt?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 prill 2017 Në ora: 08:48
Nisma për Kosovën

“Mocioni për votëbesimin e qeverisë së Kosovës është nismë e Nismës për Kosovën, iniciativë e kryetarit Fatmir Limaj e mbështetur nga partitë opozitë, Aleancën por edhe me Vetëvendosjen dhe nuk ka të bëjë aspak më ato që thuhen se është i nxitur nga PDK”, thotë Hoti.

Ka kohë që partitë opozitare dhe disa deputetë të pozitës po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke i parë ato si zgjidhjen e vetme për gjendjen në të cilën gjendet Kosova.

Së fundmi partia Nisma për Kosovën ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për ta dërguar në Kuvend mocionin për votëbesimin e Qeverisë.

Por, për këtë dolën edhe zëra të ndryshëm që thoshin se ky mocion mund të ketë qenë i nxitur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ishte deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj që bëri deklarata të tilla në një emision televiziv.

Lidhur me këtë, gazeta ‘Bota sot’ ka kontaktuar me deputetin Zemaj, për të marrë një qëndrim lidhur me atë se pse ai ka dyshime që ky mocion është i nxitur nga Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën LDK-ja është në koalicion.  

Image
Armend Zemaj, deputet i LDK-së

“Trazimi i PDK-së nga "nxehtësia" e Gjykatës Speciale”

Në një prononcim për ‘Bota sot’ ai ka thënë se një mocion i tillë është për konsum politik dhe është në linjë me zëra të trazuar nga PDK-ja në kohën e Gjykatës Speciale.

“Tentim Mocioni ta quaj nga NISMA në kohën kur po hymë në afatin e rregullt për zgjedhjet lokale nuk është asgjë tjetër se sa mocion i konsumit politik "opozitar" por edhe në linjë me disa zëra të trazuar nga PDK-ja si pasojë e humbjes së privilegjeve të caktuara, aferave të tyre korruptive por edhe nga "nxehtësia" e Gjykatës Speciale që po vjen”, ka thënë Armend Zemaj për gazetën Bota sot.

Më tej, ai ka thënë se është kundër një mocioni të tillë, pasi janë kundër interesit të vendit.

“Mocionet e tilla kanë karakter subjektiviteti dhe aspak nuk janë në interes të vendit tonë. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme është vlerësim i të gjitha grupeve politike sidomos në rrethanat çfarë kanë kaluar institucionet tona në këto dy vitet e fundit”, është shprehur deputeti Zemaj.

Image
Enver Hoti, deputet i Nisma për Kosovën

Nisma: Mocioni nuk është i nxitur nga PDK-ja

Në anën tjetër, i kontaktuar nga gazeta ‘Bota sot’, deputeti nga radhët e Nisma për Kosovën, Enver Hoti, ka mohuar që mocioni është i nxitur apo në bashkëpunim me PDK-në.

“Mocioni për votëbesimin e qeverisë së Kosovës është nismë e Nismës për Kosovën, iniciativë e kryetarit Fatmir Limaj e mbështetur nga partitë opozitë, Aleancën por edhe me Vetëvendosjen dhe nuk ka të bëjë aspak më ato që thuhen se është i nxitur nga PDK. Në asnjë mënyrë nuk kemi bashkëpunime të tilla, të fshehura, me PDK-në  dhe LDK-në, me mazhorancën nuk kemi bisedime të tilla. Është e pavërtetë dhe është për të shfaqur një dilemë para kësaj situate shumë serioze dhe situatë që mendoj se tani ne të gjithë jemi të bindur, edhe partitë opozitare edhe qytetarët se gjendemi në një krizë institucionale dhe politike dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Nisma dhe kryetari Limaj do ta kërkojnë këtë përmes një mënyre demokratike siç është mocioni, një mundësi krejtësisht e qetë dhe një mundësi stabile për të shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme. Fare nuk ka të bëjë për një bashkëpunim me PDK-në”, ka thënë Hoti.

Por, ky mocion ende nuk i ka marrë votat për ta dërguar në Kuvend, e lidhur me këtë Hoti thotë se deputetët e mazhorancës duhet të jenë në krye të përgjegjësisë së tyre dhe të reflektojnë për atributet dhe interesin e vendit, e  që sipas tij dhe interesi i vendit është që të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Nga ajo që është duke ndodhur brenda kuvendit të Republikës, bllokimi i kuvendit, bllokimi i seancave, e kam fjalën për vendimet e rëndësishme që janë demarkacioni, asociacioni, ligji për ushtrinë, pastaj ngecja në zhvillimin ekonomik, ikja e njerëzve nga vendi dhe gjithë kjo kizë, mosfunksionim i qeverisë dhe institucioneve të vendit është momenti i duhur dhe duhet të kemi sukses, mendoj se deputetët e mazhorancës duhet të jenë në krye të përgjegjësisë së tyre duhet të dalin nga partitë e tyre, shefat e tyre dhe të reflektojnë për atributet dhe interesin e vendit dhe interesi i vendit është që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Nuk ka asnjë dilemë dhe asnjë rrugë më të mirë tjetër”

I pyetur nëse Nisma do të bënte koalicion me PDK-në, nëse do ta kishin një mundësi të tillë, deputeti Hoti ka thënë se ata janë në koalicion me qytetarët dhe Aleancën dhe se në zgjedhje do të jenë fitues, ndërsa që Qeveria duhet të shkojë në shtëpi.

“Ne jemi në koalicion me qytetarët, në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, jemi boshti opozitar i cili do të jetë fitues. Jemi të bindur se mazhoranca e ardhshme parlamentare do të jetë nga opozita dhe opozita aktuale do ta drejtojë vendin në të ardhmen. Nuk e kemi në vizion opozitar që të bëjmë koalicion me PDK ose LDK. Koalicioni jonë është për shtetin për qytetarët për vendin dhe së bashku si opozitë do ta drejtojmë vendin. Qeveria duhet të shkojnë në shtëpi, të kthjellen janë me probleme të mëdha të brendshme, janë jofunksionale edhe brenda institucioneve shtetërore edhe ato partiake”, ka përfunduar deputeti i Nismës, Enver Hoti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat