Nis para kohe fushata elektorale, liderët braktisin proceset institucionale

Politika

Nis para kohe fushata elektorale, liderët braktisin proceset institucionale

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 prill 2017 Në ora: 14:03
Isa Mustafa, Kadri Veseli, Visar Ymeri dhe Fatmir Limaj

Këtë vit në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale, edhe pse ka zëra që do të mbahen edhe ato të jashtëzakonshme parlamentare, që po kërkohen nga opozita dhe disa deputetë të pozitës. Duke qenë se është vit elektoral për shkak të zgjedhjeve lokale, partitë jozyrtarisht kanë filluar me ‘fushatë të parakohshme’, me takime me qytetarë e vizitë në komuna në ndryshme të Kosovës. Në këtë mënyrë zyrtarë të partive politike bëjnë edhe premtime, për ato që do të bëjnë në një mandat tjetër apo një mandat të ri në qytete të caktuara. Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj ka thënë, se në skenën politike në Kosovë janë përfshirë njerëz pa vlera intelektuale që kanë vetëm interesa personale, andaj partitë janë dobësuar shumë. “Skena politike e Kosovës ka degjeneruar për një varg arsyesh, e mbi të gjitha sepse, në strukturat partiake janë infiltruar individë, pa asnjë pikë vlere intelektuale e morale, por që aty janë për qëllime përfituese që e bëjnë duke bërë inskenime të pista. Këta njerëz shantazhimin e kanë mjetin përfitues, kështu që, partitë janë dobësuar shumë, sepse pjesa më militante e anëtarësive partiake, duke mos mundur që t'i honeps të këtillët, është shumë e zhgënjyer aq sa, në zgjedhjet që po vijnë, si ato lokale ashtu edhe ato qendrore, një pjesë shumë e madhe e qytetarëve nuk do të dalë fare në zgjedhje. Kjo do të ndodhë edhe në zgjedhjet e sivjetshme komunale, në të cilat, sa po mund të shohim, shenjat elektorale po i manifestojnë individë të degjeneruar, për të cilët problemet emergjente të qytetarëve dhe të vendit janë më pak të rëndësishme se sa karriera e tyre dhe interesat e tyre personale”, ka deklaruar Zogaj për gazetën “Bota sot”.  Më tej, ai thotë se pozita dhe opozita do të duhej t’i shfrytëzonin zgjedhjet lokale për të spastruar partitë e tyre nga persona që kanë qëllime personale, të cilën e kanë futur vendin në krizë të thellë. “Të këtillët janë si te pozita ashtu edhe te opozita. PDK-ja dhe LDK-ja, si dy partitë kryesore në këtë plan do të duhej të ishin të vëmendshme, sepse, janë mjaft të majmura me mish të egër dhe, nëse ia duan të mirën popullit, vendit dhe vetvetes, zgjedhjet komunale do të duhej t'i shfrytëzojnë për spastrimin e radhëve të veta nga kodoshët, injorantët, brejtësit dhe imbecilët e të filtruarit për qëllime personale, nga të cilët vendi është kapluar nga kriza e thellë”, ka vlerësuar analisti Zogaj.

Kritikohen deputetët

Ndërsa, hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se përpos zgjedhjeve lokale mund të mbahen edhe ato të parlamentare, andaj dhe partitë politike janë koncentruar në nisjen e fushatave të parakohshme, duke lënë anash edhe seancat në Kuvend dhe miratimin e shumë ligjeve.  “Sipas kalendarit zgjedhor, Kosova sivjet do të mbajë zgjedhjet e rregullta në nivelin lokal. Sidoqoftë, marrë parasysh deklarimet e shumta të zyrtarëve të partive në pushtet, nuk përjashtohet mundësia që sivjet të mbahen edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Kjo legjislaturë, sidomos gjatë vitit të fundit, nuk ka arritur që të miratojë as ligje për të cilat nevojitet shumicë e thjeshtë, kurse çështje si demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, e që si proces është i lidhur ngushtë me procesin e liberalizimit të vizave, nuk janë sjellur fare në seancë, në mungesë të votave të nevojshme. Koncentrimi i partive në nisjen e parakohshme të fushatës zgjedhore është duke ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e seancave dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Në këso situate të mosfunksionimit të legjislativit, zgjedhjet e jashtëzakonshme jo vetëm që janë opsion, mirëpo duket se janë zgjidhja e vetme”, ka deklaruar Cakolli.

Liderët në terren

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, profesori Belul Beqaj, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se nuk është problemi tek fushata e parakohshme, por tek lidershipi që po u kthehet votuesve, të cilët duhet të kuptojnë rëndësinë  votës së tyre. “Është një kohë mjaft e gjatë që në Kosovë, nuk dihet kur fillon zyrtarisht fushata zgjedhore. Meqë juridikisht çdo gjë që nuk është e ndaluar pra lejohet, atëherë fushata zgjedhore po del që të jetë legale. Në fakt, problemi  nuk është  te  fushata e parakohshme, por te fakti se ky lidership që iu vardis me vite zyrtarëve ndërkombëtarë pas disa viteve po u kthehet votuesve. Prandaj, është moment shumë serioz që votuesi më në fund të kuptoj çfarë rëndësie ka vota, meqë interesi i politikanëve varet nga vota e tyre”, është shprehur Beqaj.  Tutje, ai shprehet, se zgjedhjet mund të pasqyrojnë legjitimitetin e subjekteve politike te votuesi.  “Mjerisht, në zgjedhje, eventualisht, nuk po shkohet për arsye se partitë nuk i kanë përmbushur premtimet nga fushata apo programet partiake por për gjëra tjera që kanë dalë si derivat i dialogut me Serbinë dhe demarkacionit. Prandaj, këto zgjedhje mund të pasqyrojnë legjitimitetin e subjekteve politike te votuesi por ato realisht nuk janë rezultat i dështimeve në drejtësi, korrupsionit, papunësisë, krimit të organizuar, gjendjes së vështirë në shëndetësi, arsim”, ka deklaruar profesori Beqaj për “Bota sot”. Ndryshe mendon analisti politik, Arbër Gashi, i cili zgjedhjet lokale i sheh si mundësi për të kuptuar se sa është vetëdijësuar elektorati për partitë politike dhe premtimet e tyre, megjithatë shprehet skeptik për ndryshimet pozitive.  “Fushata elektorale për zgjedhjet komunale të vitit 2017,  do të jetë rast shumë i mirë për të parë realisht se deri në cilën shkallë të vetëdijësimit politik ka arritur të emancipohet elektorati vendorë. Personalisht, jam tejet skeptik sa i përket ndryshimit pozitiv, sepse, duke parë dhe dëgjuar preferencat partiake të qytetarëve, vijmë në përfundim se vendin tonë e pret një periudhë e tensioneve të brendshme, të cilat shumë lehtë mund të rezultojnë me thellim të krizës dhe intervenim të bashkësisë ndërkombëtare. Besoj, se ia vlen të theksojmë edhe faktin tjetër, se pavarësisht rezultatit që do nxjerrin zgjedhjet lokale dhe pavarësisht asaj se cili subjekt do të dalë fitues, problemet me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë nuk do të zgjidhen vetvetiu”, ka thënë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat