Dështimi i Thaçit, në postin e Presidentit!

Politika

Dështimi i Thaçit, në postin e Presidentit!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 prill 2017 Në ora: 09:23
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

“Thaçi bëri shumë kriza politike dhe ndarje mes subjekteve politike,  dhe jo vetëm mes atyre të koalicionit dhe opozitës, por edhe mes vet partive në koalicion’, ka thënë deputetja Pantina, duke e quajtur plotësisht njeri të dështuar.

Hashim Thaçi, u zgjodh president në një seancë me mjaft tensione të mëdha, e ku u kundërshtua shumë nga opozita, duke u quajtur president i gazit, e jo presidenti i uniteti, ashtu siç duhet të jetë. Por pavarësisht kësaj, Thaçi, premtoi se do të luaj rolin unifikues që ka si president i vendit.  Por deri më tani ai ka dështuar të bëj një gjë të tillë. Presidenti Thaçi ka luajtur një rrol përçarës, plotësisht partiak dhe aspak të një presidenti unifikues, siç do të duhej të ishte roli i tij, por deri më tani ai ka bërë që të thellohet edhe më shumë kriza në Kosovë. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike he deputetë të subjekteve të ndryshme politike. 

Sipas tyre, që nga shpallja e Republikës së Kosovës dhe hyrjes në fuqi të kushtetutës së vendit, fatkeqësisht asnjëherë nuk është zgjedhur një president praktikisht neutral.

“Roli përçarës i Thaçit”

Deputeti i LDK-së Adem Salihaj ka thënë për “ Bota sot” se Thaçi ka luajtur rrol përçarës e plotësisht partiak dhe aspak të një presidenti unifikues, siç do të duhej të ishte roli i tij.

“Madje ai bëri lojëra të shumta politike me "reforma" zgjedhore dhe "nisma" të tjera joproduktive. Ai nuk arriti të përshtatej aspak në rrolin e presidentit, duke e imagjinuar veten kryeministër, e duke mos qenë i tillë” ka thënë deputeti Salihaj.

Image
Deputeti i LDK-së Adem Salihaj

Thaçi thelloi krizën

Deputetja e VV-së Shqipe Pantina ka thënë se Thaçi jo vetëm që nuk ka arrit të përfaqësojë unitetin e popullit që me kushtetutë përfaqëson Presidenti, por qysh se ai është ulur në karrigen e Presidentit vetëm sa është thelluar kriza politike.

“Thaçi bëri shumë kriza politike dhe ndarje mes subjekteve politike,  dhe jo vetëm mes atyre të koalicionit dhe opozitës, por edhe mes vet partive në koalicion’, ka thënë deputetja Pantina, duke e quajtur plotësisht njeri të dështuar.

Posti i presidentit, pjesë e pazareve politike

Politologu Mentor Tahiri ka thënë se që nga shpallja e Republikës së Kosovës dhe hyrjes në fuqi të kushtetutës së vendit, fatkeqësisht asnjëherë nuk është zgjedhur një president praktikisht neutral.

Ndonëse formalisht presidentët më nuk ishin anëtar të një partie politike, sipas Tahirit ky fakt ka qenë vetëm një sekret publik përballë të cilit heshtet apo edhe thjeshtë nuk ka fuqi që të reagohet nga ana e shoqërisë.

Image
Deputetja e VV-së Shqipe Pantina

Sipas tij, posti i presidentit të Kosovës është pjesë e pazareve politike i cili determinohet se varësisht kush e merr postin e kryeministrit dhe kështu mundësohet një balancë ndërpartiake.

“Në këto kushte, edhe presidenti i tanishëm e ka vështirë të ushtrojnë çfarëdo roli unifikues, kur dihet se apriori nuk perceptohet si unifikues nga shumica e subjekteve politike në vend”, është shprehur Tahiri.

Luftë për pushtet

Ndryshe, analisti politik Leon Duhanaj ka vlerësuar se jo vetëm Presidenti Thaçi por, cila do figurë të ishte, qoftë nga politika, apo nga segmente tjera, nuk do të gëzonte përkrahjen e kësaj kaste të mjerë politike.

“Është për keqardhje se ku kemi vajtur si shoqëri. Madje edhe shkrimtarin më të madh shqiptarë dhe që me të mburremi para botës, Ismail Kadare, para ca ditës kur ishte në Kosovë, nuk lanë shtek pa hapur vetëm e vetëm për ta luftuar. Kur flasim për Presidentin Thaçi, ai duke qenë se ka udhëhequr gjatë qeverisjen në Kosovë dhe është bashkëfajtorë në gjendjen e krijuar politike në vend, është e kuptueshme që kundërshtarët e tij të dikurshëm politik n, nuk e pajtuan si President. Por, nuk është aspak as njerëzore e as moralo-politike të shantazhohet dhe të bojkotohet si institucion”, ka thënë Duhanaj.

Image
Analisti politik Leon Duhanaj

Ai ka vlerësuar se megjithatë duhet respektuar, nëse jo individi, atëherë institucioni.

“Megjithatë ai është zgjedhur nga shumica dërmuese e deputetëve të Kuvendit, përfaqësues të këtij populli. Bojkoti ndaj tij, nuk ka të bëj edhe aq shumë më Presidentin, sa ka të bëj me luftën e pa kompromise për pushtet, me inatet dhe me teket e sëmura të disa figurave politike në vend. Për fund, po, mund të konstatojmë se Presidenti, jo vetëm që është i sfiduar nga shumë çarqe në politiken e jashtme. Ai po sfidohet edhe në kuadër të politikës së brendshme dhe, kjo shkon krejtësisht në dëm të proceseve në Kosovë”, thekson Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat