Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, drejt dështimit?

Politika

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, drejt dështimit?

Më: 24 prill 2017 Në ora: 12:59
Kuvendi i Kosovës

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë së Isa Mustafes mund të dështojë. Para se të niste mbledhja e nënshkrimeve, partnerët e Mustafës në koalicion, PDK-ja, kishte dhënë sinjale se do të mbështesnin shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, inatet e mëhershme të PDK-së me iniciatorët e mocionit, Nismën, po bëjnë që deputetët e partisë më të madhe në Kuvend, të mos e mbështesin rrëzimin e Qeverisë. 

Inatet politike mes drejtuesve të Nismës, dikur pjesë e PDK-së, me pikërisht këta të fundit, mund t’ia zgjasin jetën Qeverisë Mustafa, apo të çojnë në varantin tjetër të shkruarës në zgjedhje, përmes dështimit të votimit të Demarkacionin, që Kuvendin e Kosovës do të shfaqte jofunksional. 

Burime të Express, brenda partive politike, kanë treguar se Nisma për Kosovën ka nisur javën që shkoi një mocion për rrëzimin e Qeverisë pa u konsultuar me partitë tjera politike që janë në Kuvend. Madje as me partnerët e koalicionit, AAK. 

Mocioni i cili deri tash ka 32 nënshkrime, i iniciuar nga partia e Fatmir Limajt, kishte qenë propozim i AAK-së që javë më parë kishin nisur konsultimet që përmes kësaj forme të çohej vendi në zgjedhje, gjatë fundit të majit apo fillimin e qershorit, kohë kur llogaritej edhe që kreu i saj Ramush Haradinaj të kthehej në Kosovë.

Kjo parti, përveç mbështetjes nga deputetët e partnerit Nisma, atyre të VV-së, llogariste të përkrahej edhe nga një pjesë e deputetëve të PDK-së, të cilët tashmë kishin përcjellë mesazhe se vendi duhet të shkojë në votime të reja. 

Por, kur AAK-ja po negocionte mbledhjen e nënshkrimeve, partia më e vogël opozitare veçse nisi të grumbullonte firmat e deputetëve për mocion kundër Isa Mustafës, pa u konsultuar me grupet tjera parlamentare. 

E kjo nismë e tillë nuk po gjen mbështetjen e grupit parlamentar të PDK-së, krejt për shkaqe të inateve të kësaj partie me drejtuesit e Nismës.

Në rast se ky mocion nuk mbështetet, atëherë shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme do të mundësohej edhe përmes dështimit të votimit të Demarkacionit, votimin e të cilës në Kuvend, kreu i PDK-së dhe Kuvendit e ka paralajmëruar të ndodhë këtë javë. 

Dështimi i sërishëm i votimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare, e mbetur peng për gati 2 vite, do të tregonte mosfunksionim të Kuvendit dhe numrave të koalicionit. 

Përkundër të gjithave, një gjë dihet, se kjo javë duhet të jetë vendimtare për fatin e koalicionit, PDK-LDK. Kjo pasi, afatet kushtetuese të organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të pamundësonin mbajtjen e tyre para shkuarjes në pushime verore, në rast se Kuvendi dhe Qeveria nuk shpërbehen deri të dielën. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat