“Struktura kriminale e Policisë në krye me Kadri Veselin”, Policia jep detaje për akuzat e Vetëvendosjes

Politika

“Struktura kriminale e Policisë në krye me Kadri Veselin”, Policia jep detaje për akuzat e Vetëvendosjes

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 25 prill 2017 Në ora: 14:06
Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj dhe Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj kishte paraqitur një skemë, që sipas tij ajo paraqet strukturën e  krimit të organizuar brenda Policisë së Kosovës,  e ku në krye të saj është kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Image
Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj

“Në krye të krejt skenës që ne e kemi paraqitur është Kadri Veseli dhe anash tij është personi i dytë edhe në këtë skemën tonë, por edhe në skemën e SHIK-ut që është Elmi Reçica. Në fakt këtu vërehen tre sektorë të rëndësishëm të Policisë së Kosovës që i kontrollon Kadri Veseli përmes zyrtarëve të tij. Po shkojmë me krahun e parë që është për mendimin tonë më i rëndësishmi, siç e dini edhe më herët Elmi Reçica ka qenë zëvendës shef i SHIK-ut është ende edhe sot. I cili po ashtu kontrollon në mënyrë të drejtpërdrejtë Rashit Qalaj i cili aktualisht është drejtor i operacioneve me polici i cili është sektori më i rëndësishëm pas drejtorit të përgjithshëm të Policisë, për shkak se ky kontrollon të gjitha rajonet e Policisë, po ashtu kontrollon edhe njësinë speciale dhe gjitha operimet tjera që bëhen për të gjitha lloj arrestimet apo kontrollet në Kosovë”, kishte thënë Molliqaj.

Sipas Molliqajt, përveç Veselit dhe Reçices, këtë strukturë e [përbejnë edhe Rashit Qalaj, Emin Beqiri, Fatos Makolli, Luan Keka, Ilmi Ramadani dhe drejtori i përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Image
Sipas Policisë, kjo tendencë për të paraqitur PK-në si institucion i ndikuar nga faktorë të jashtëm e në veçanti duke u përpjekur të linçojë stafin menaxherial të PK-së, nuk kuptohet ndryshe veç se njollosje dhe etiketim i vlerave që përfaqësojnë personelin policor.

Policia mohon akuzat

Por, akuzave të Molliqajt drejtuar Policisë së Kosovës i është përgjigjur kjo e fundit, ku sipas tyre Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese.

“Sa i përket dyshimeve dhe deklarimeve të pavërteta të z.Molliqaj, i cili përpiqet të paraqes Policinë e Kosovës si institucion jo profesional, dëshirojmë edhe një herë të ri-theksojmë se Policia e Kosovës është institucion profesional, e pa lëkundur në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të saja, dhe e pa ndikuar nga çfarëdo ndikimi apo pretendimi nga jashtë, duke përfshire edhe pretendimet e pavërteta dhe tendencioze të z.Molliqaj”, thuhen në përgjigjen e Policisë dërguar gazetës “Bota sot”.

Sipas Policisë, kjo tendencë për të paraqitur PK-në si institucion i ndikuar nga faktorë të jashtëm e në veçanti duke u përpjekur të linçojë stafin menaxherial të PK-së, nuk kuptohet ndryshe veç se njollosje dhe etiketim i vlerave që përfaqësojnë personelin policor.

“Policia e Kosovës vlerëson se është shume indikativë deklarata e z.Molliqaj, për faktin se  në të gjitha rrethanat kur ne jemi të fokusuar njëqind përqind në çështjet jetike dhe madhore për sigurinë dhe interesin kombëtar të Kosovës, personi i njëjtë shfaqet me deklarime tendencioze duke u munduar të krijoj huti në opinionin publik, dhe kjo qasje i shkon në dobi vetëm armiqve të shtetit të Kosovës e jo qytetarëve të saj. Angazhimi dhe përkushtimi i PK-së do të vazhdoj të jetë besimi i qytetarëve për policinë, dhe në asnjë rrethanë pretendimet si këto të z. Molliqaj, nuk do të zbehin imazhin dhe përkushtimin shumë të madh të PK-së për ti shërbyer vendit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Sipas tyre, angazhimi dhe përkushtimi i PK-së do të vazhdoj të jetë besimi i qytetarëve për policinë, dhe në asnjë rrethanë pretendimet si këto të Molliqajt, nuk do të zbehin imazhin dhe përkushtimin shumë të madh të PK-së për t’i shërbyer vendit.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Gjendja alarmante në Policinë e Kosovës

Ndërsa, për ekspertin e sigurisë Hajrullah Tërnavën, gjendja në të cilën është Kosova sa i përket luftimit të korrupsionit dhe dukurive negative lë të nënkuptohet që gjendja në Policinë e Kosovës nuk është e mirë, e që sipas tij në krye të saj qëndrojnë shefat e fortë.

“Nëse bëhet një analizë detale, lehtë do të arrihet konstatimi se me policin e Kosovës diçka nuk është në rregull! Aq numër i madh i policisë me këtë efekt të vogël të parandalimit dhe luftimit të krimit, kjo të lë me u habite dhe me dyshue. Po nëse shikohet nga këndvështrimi i njerëzve me ndikim të lartë në institucionet e luftimit të krimit si: Gjygjesija, Prokuroria, Policia etj, del konstatimi se mbi këto institucione qëndrojnë njerëzit-shefat e mëdhenj-fortë, qe i kontrollojnë këto institucione në rend të parë policinë e Kosovës.”, thekson Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, konstatimi i tillë del nga qeverisja e gjatë e  Kosovës nga partia e PDK-së, që sipas Tërnavës,  pas luftës popullit ju prezantuan si çlirimtar të Kosovës por në një periudhë të shkurtër u pasuruan në mënyra enorme, që tani prej skamnorëve dikur  tani janë multimilionerë.

“Njeri nder ata të fortit janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë. I pari gjatë si Kryeministër e i dyti Kryetar i SHIK-ut dhe normal që e kanë pas mundësin e kontrollit dhe të emërimeve të njerëzve të  besueshëm në postet ma të ndishme të shtetit, për me i arritë qëllimet e veta si personale edhe ato te tjera”, thotë Tërnava.

Sipas ekspertit të sigurisë, nga lokacioni i tanishëm qeverisës, është pritur që do t’i shpartalloj njerëzit që kanë instaluar këtë krim dhe do të filloj zbulimi i vrasjeve politike, e ku më së shumti pësuan anëtar të LDK-së.

“Mjaft është prite nga koalicioni i tanishëm se do ti shpartallojnë ata njerëzit qe e kane katandisur këtë vend me nivelin e larte te krimit, dhe do ti ndërroj nga ato poste ata shefa te pasuksesshëm qe ishin deri me tani, e sidomos dot fillon edhe zbardhja e atyre krimeve-vrasjeve  te renda te kryera gjate e pas lufte e  duke e dite qe më së shumti në ato kohëra janë vra njëzet e LDK-s, por kot, se si po duket edhe marrëveshja e koalicionit ka qene strikte, qe ne vendin e Ministrit te PB te vjen njeriu i dëgjueshëm,  sikur qe as nuk ndërmori një ndërrim ma te vogël te tyre kuadrove udhëheqëse te policisë qe e pruan ne këtë nivel te larte te krimit Kosovën”, është shprehur Tëernava.

Sipas tij, gjendja aktuale në vend dhe në Policinë e Kosovës, argumentojnë akuzat e drejtuara ndaj Policisë nga Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

“Edhe pse  u shpall Pavarësia edhe qe botërisht u pranua se SHIK-u u shpërnda, ato formacione me ato kuadro deri me sot janë duke e udhëhequr shtetin e Kosovës. Ne ndërrimin e qeverive ne sistemet pluraliste nëse hiq kurgja qeveria qe e ushtron pushtetin, i emëron kuadrat e reja dhe e qeveris vendin. Ne ketë qeverisje te MPB nuk e kemi vërejt këtë, prandaj thëniet edhe te Dardan Molliqaj nga VV e argumentojnë këtë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat