Dorëzohet Pozita: Nuk i kemi votat për demarkacionin

Politika

Dorëzohet Pozita: Nuk i kemi votat për demarkacionin

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 26 prill 2017 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Para disa ditësh,  Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në një bisedë telefonike me Zëvendës/Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Hoyt Brian Yee, janë dakorduar qe demarkacioni të procedohet këtë javë në Kuvend. Megjithatë edhe kjo javë pothuajse shkoi dhe ende nuk asgjë të re sa i përket procedimit të tij në Kuvend.

Në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës, thuhej se në këtë drejtim, ata janë pajtuar që demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër.

Qeveria është arsyetuar me vizitën e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa në Bruksel. Zyrtarë të qeverisë kanë deklaruar për media se kryeministri Mustafa ka udhëtuar drejt Brukselit që t’i bindë zyrtarët që Bashkimi Evropian ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që të merret liberalizimi me kusht. Por pas takimeve në Bruskel, Mustafa ka dështuar të bind zyrtarët e Bashkimit Evropian për nëj gjë të tillë.

Image
Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Bajram Gecaj

Mungojnë votat për demarkacion

Ndërsa, në Kosovë ende po vazhdon të kritikohet çështja e demarkacionit nga opozita dhe një numër i deputetëve nga radhët e partive në pushtet, çka po e pamundëson arritjen e 80 votave të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes.

Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Bajram Gecaj në një përgjigje të shkurtër për “Bota sot”, ka thënë se koalicioni qeveritar po punon në drejtimin që të sigurohen numrat e nevojshëm, duke lënë të kuptohet se deri më tani nuk kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë.

“Është duke u punuar që të sigurohen”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Ndërkaq deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë dashur ta komentojnë fare këtë çështje duke bërë më gisht kah liderët e koalicionit qeverisës, duke ia lënë atyre në përgjegjësi.

Madje as partitë opozitare, përveç AAK-së, të cilat më ngulm po mundohen ta ndalojnë demarkacionin, nuk kanë treguar për hapat e mëtutjeshëm në këtë kohë kur po flitet se demarkacioni shpejtë mund të diskutohet në Kuvend.

Image
Deputeti nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lah Brahimaj

AAK kundërshton Demarkacionin

Por deputeti nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lah Brahimaj thotë për “Bota sot” se demarkacioni duhet të përmbyllet sa më shpejt, por jo si i tillë.

“Jemi në një vij me miqtë tonë Amerikan e Evropian se tema e demarkacionit duhet të përmbyllet sa ma parë. Por ajo duhet të rrëzohet në këtë version çfarë është tani për tani”, thekson Brahimaj.

Megjithatë ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kundërshtojnë këtë marrëveshje,  që sipas tij i humb Kosovës shumë hektarë.

“Kurdo që kjo marrëveshje të vjen në Kuvend ne do të jemi aty për ta pamundësuar që ajo të bëhet e implementueshme, sepse në formën që është tani për tani Kosovës ia minuson mbi 8000 hektarë tokë. E kemi kundërshtuar sepse kemi parime në betim për të ruajtur tërësinë territoriale të vendit, jo pse kemi diçka kundër dikujt”, vlerëson deputeti Brahimaj.

Kosova dhe Mali i Zi kishin nënshkruar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit në gusht në vitit 2015 në Vjenë. Por, kjo marrëveshje nuk gjeti përkrahjen e opozitës si dhe të një numri të deputetëve të partive në pushtet dhe si e tillë, mbeti e paratifikuar në Kuvend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat