Kosova të gjejë forcë për të kushtëzuar bisedimet me Serbinë

Politika

Kosova të gjejë forcë për të kushtëzuar bisedimet me Serbinë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 prill 2017 Në ora: 17:23
Ndërtesa e Qeverisë

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të bisedimeve me Serbinë, po konsiderohet si hap i vonuar. Sipas deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe analistëve është shumë e vështirë të riparohet apo kompensohet dëmi i deritanishëm që i është shkaktuar vendit në këtë proces të pa barabartë të bisedimeve me miratimin dhe respektimin e Rezolutës së fundit të Kuvendit të Kosovës. 

Zyrtari i AAK-së Avni Arifi ka thënë,  se në rrugën e gabimeve kudo që të ndalesh je në fitim, meqë ndalja e këtij procesi ka qenë domosdoshmëri.“ Neve na duhet një proces tjetër i dialogut”, ka thënë zyrtari i AAK-së, Avni Arifi. Ndërsa, deputeti i VV-së Rexhep Selimi ka thënë, se Rezuluta e Kuvendit të Kosovës as nuk do të votohej e as nuk do të respektohej nëse Serbia, nuk do ta kishte procesin zgjedhor për zgjedhjet Presidenciale atje.

Sipas tij, ndërprerja e bisedimeve nuk do të bëhej nëse Serbia nuk do të ishte në atë proces.“Por edhe ashtu, edhe vet rezoluta është e mangët,  sepse është ndryshuar nga mazhoranca duke e kushtëzuar votën e tyre”, ka thënë deputeti i VV-së Selimi. Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka vlerësuar,  se ky dialog duhet të fillojë sa më parë sepse zgjedhjet në Serbi kanë mbaruar. Sipas tij, gjithëherë kur ka zgjedhje atje nuk ka zhvillim të dialogut, pra duhet sërish të rifillojë dhe të përmbyllet ky dialog me Serbinë.

Reagim i vonuar

Analisti politik Islam Krasniqi ka pohuar, se Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës është shumë e vonuar lidhur me pezullimin e bisedimeve me Serbinë, sepse asnjëherë nuk mund të riparohen dëmet që i janë shkaktuar vendit tonë në këtë dialog, në të cilin nuk jemi si palë të barabarta.  Sipas tij, Serbia i ka arritur objektivat e veta, si në aspektin ndërkombëtar, apo në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian, ashtu edhe në aspektin e brendshëm lidhur me Kosovën, ku e ka fuqizuar veten brenda Republikës së Kosovës, përmes bisedimeve në Bruksel, duke i mbajtur strukturat paralele në Kosovë, të cilat i bëri të ligjshme.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Premten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat