Paralajmërohen incidente të reja në Maqedoni, "Gruevski prapa grilave"

Politika

Paralajmërohen incidente të reja në Maqedoni, "Gruevski prapa grilave"

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 prill 2017 Në ora: 21:16
Pamje nga dhuna e mbrëmshme në Maqedoni

Mbrëmë në Maqedoni shpërtheu dhuna, pas zgjedhjes së shqiptarit Talat Xhaferit në postin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë.

Pas kësaj në Kuvend u futën një grup kriminelësh sllavomaqedon ”Për Maqedoni të Parbashkët”, të cilët ushtruan dhunë mbi deputetët, e në mesin e atyre që u lënduan më shumë ishin lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe deputeti, njëherësh kryetar i partisë LR-PDSH në Maqedoni Ziadin Sela.

Ndërsa sot, ka dhënë dorëheqje ministri i brendshëm Agim Nuhiu, pasi sipas tij ka qenë shtabi operativ me Mitko Çavkov përgjegjës për sigurinë, por  ai nuk ka ndërhyrë për të ndaluar situatën e dhunshme që është krijuar.

Analistët kanë komentuar zgjedhjen e Xhaferit në krye të Kuvendit dhe dhunën që është ushtruar në Parlament.

Image
Protestuesit e dhunshem maqedonas

Neziri paralajmëron dhunë dhe incidente të reja

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Xhelal Neziri, zgjedhjen e Talat Xhaferit në krye të Parlamentit e ka quajtur akt pozitiv, pasi sipas tij, bart me vete simbolikën e identifikimit të shqiptarëve me shtetin e Maqedonisë.

“Që ky shtet të ndjehet njëjtë nga të gjithë etnitë në Maqedoni, nuk duhet që të ketë pozita shtetërore që do të ishin paraprakisht të rezervuara për një etni. Është një akt që edhe shqiptarët i bën bashkëpronarë dhe rrjedhimisht edhe më lojal ndaj shtetit”, është shprehur Neziri.

Ai ka theksuar se grupi që sulmoi erdhi pas thirrjes së kryetarit Nikola Gruevski për të pamundësuar formimin e institucioneve nga shumica e re parlamentare, duke shtuar se gjendja do të jetë me rrezik të lartë.

“Edhe pse protestat formalisht organizohen nga një grup qytetarësh, megjithatë ata dolën në rrugë kur kryetari i VMRO-DPMNE-së i bëri thirrje popullit që të pamundësojë formimin e institucioneve nga ana e shumicës së re parlamentare. Është më shumë se e qartë se protestuesit janë të lidhur me struktura të kësaj partie, të cilat rrezikohen nga Prokuroria Speciale. Situata do të vazhdojë të jetë e tensionuar dhe me rrezik të lartë. Kryeparlamentari i sapo zgjedhur pritet të thirrë seancën ku do të votohet edhe qeveria e re. Edhe ky moment mund të prodhojë dhunë dhe incidente”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

“Prishja e shtetit të krijuar artificialisht”

Në anën tjetër, analisti Kushtrim Kadriu, derisa ka komentuar dhunën në Kuvend dhe përshkallëzimin e saj,  është shprehur se po zhvillohet një luftë mes perëndimit dhe lindjes dhe se po bëhet prishja e një shteti të krijuar artificialisht.

Image
Zoran Zaev i pergjakur

“Është sa historike edhe e vonuar shumë, shqiptarët mund të kishin kryetar shteti, kuvendi, kryeministra, që nga pas lufta, por si pasojë e përçarjeve të mëdha e sollën veten në këtë deregje duke humbur shumë mandate deputetësh e duke u përçarë në këtë mënyrë. Është duke u zhvilluar një luftë në mes të perëndimit dhe lindjes, kemi partinë e ish-kryeministrit Gruevski që po përkrahet nga rrymat e lindjes ruse dhe bllokun tjetër që është më liberal dhe pro evropian. Ndarja e Maqedonisë sjellë një konflikt dhe një luftë të re dhe si rrjedhojë prishjen e një shteti të krijuar artificialisht”, ka deklaruar Kadriu për gazetën “Bota sot”.

Osmani: Gruevski do të burgohet së shpejti

Ndërsa analisti Hadi Osmani, zgjedhjen e Xhaferit kryetar Kuvendi e sheh si një ndryshim të Qeverisë dhe rrënimit të diktaturës së Gruevskit në Maqedoni, që sipas tij, shpalosi fytyrën e regjimit kriminel të partisë VMRO.

“Shqiptarët simbolikisht fituan një post të rëndësishëm, por që konkretisht nuk sjell ndonjë benefit për shqiptarët në statusin e tyre juridik dhe kushtetues. Ndryshimet duhet të bëhen pas formimit të Qeverisë. Dhuna e përdorur në Kuvend shpalosi përfundimisht fytyrën e vërtetë të regjimit kriminel të VMRO-së dhe Gruevskit dhe ishte një vetëvrasje politike për këtë parti. Gjithashtu me aktet e mbrëmshme Gruevski dhe Mijallkov ia shpejtuan dënimin dhe fundin vetvetes”, është shprehur Osmani.

Image
Nikolla Gruevski

Sa i përket asaj që mund të ndodh në vijim, Osmani shprehet optimist për ndryshime pozitive dhe se nuk do të ndodh asgjë e keqe.

“Fillimisht kryetari i ri i Kuvendit do të marrë ulësen kryesore, pastaj do të formohet Qeveria, hapi tjetër do të jetë arrestimi i vandalistëve të mbrëmshëm dhe pas tyre edhe i politikanëve të korruptuar. Për disa javë do të burgoset dhe dënohet edhe Gruevski dhe të gjithë kriminelët e tjerë dhe shumë shpejtë pas tyre edhe politikanët shqiptarë që kanë qenë të inkriminuar në Qeveritë e mëparshme të Gruevskit”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat