LDK në koalicion me Vetëvendosjen kundër “komandantëve”?

Politika

LDK në koalicion me Vetëvendosjen kundër “komandantëve”?

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 19 maj 2017 Në ora: 13:40
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje

Një koalicion në mes Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosjes është i mundur të ndodhë pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Të dy palët janë të hapura për një koalicion të tillë, duke bërë kështu që “komandantëve” të koalicionit në mes PDK-së, AAK-së dhe Nisma-s ti jepet grusht i fortë, pasi që ata tashmë kanë nisur ta konsiderojnë vetën fitues të zgjedhjeve.

Një gjë të tillë e konfirmoi gjatë një manifestimi përkujtimor në Gjakovë, kreu i PDK, ish kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli duke iu drejtuar me fjalën kryeministër liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se do të fitoj dhe se në rast të koalicionit kandidati për kryeministër do të jetë Avdullah Hoti, derisa Vetëvendosja po ashtu dëshirojnë që kryeministri të jetë nga radhët e tyre.

Image
Blerim Burjani, analist politik

Koalicioni LDK-Vetëvendosje, shpëtim për vendin

Njohës të çështjeve politike kanë bërë të ditur se një koalicion i tillë do të ishte shpëtim për vendin dhe do të ndalonte korrupsionin në vend.

Blerim Burjani, analist politik në një prononcim për Bota sot ka thënë se një koalicion i tillë do të ishte shpëtim për vendin.

“Do te ishte ndoshta shpëtim për respektim të rendit dhe ligjit dhe ndaljes se korrupsionit dhe funksionimit të shtetit, në kuptimin e respektimit të rendit dhe ligjit.  Nuk është ndonjë bashkëpunim i përkryer por më shumë mangësi, sidoqoftë LDK ka kuadro të shumtë profesional dhe ne rrethana të tilla mund të ishte një relaksim kur dihet se pritet që gjykata speciale të veproj mund të atakojë persona të shumte të PDK-së dhe tjerëve”, ka thënë Burjani, duke shtuar se duhet me gjet një formulë funksionale deri në zgjedhje të reja.

Image
Besa Gaxherri, deputete e LDK-së

LDK e hapur për Vetëvendosjen

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë e hapur për Lëvizjen Vetëvendosje që me këtë rast të mposhtin edhe satelitët e PDK-së, ashtu si i quan Besa Gaxherri nga LDK.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka një koalicion më të cilin është fitues i zgjedhjeve dhe natyrisht se LDK është e hapur për Vetëvendosjen. Konsideroj se Vetëvendosja duhet të reflektoj ,por megjithatë qysh do qoftë ne jemi fitues. Normalisht se pas zgjedhjeve i shikojmë mundësitë sepse edhe Vetëvendosja do të jetë një parti dhe se nëse arrimë ti harmonizojmë programet dhe qëllimet për shtetin ne do të jemi bashkë” ka potencuar Gaxherri.

Sipas saj, Lidhja Demokratike qysh tash është e hapur për Vetëvendosjen dhe në qoftë se Vetëvendosja do të jetë korrekte dhe të gjendet kompromisi atëherë mund të shkohet në koalicion por që normalisht se kandidati për kryeministër do të jetë Avdullah Hoti. 

“Krahu i Luftës apo satelitet e PDK-së janë bashkuar sepse i ka tremb shumë fitorja e LDK-së. Dhe më vjen keq nga Kryetari i PDK-së i cili që harronte punën në Kuvend dhe tash e pesë muaj bënte fushatë elektorale”, ka përfunduar Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Image
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkdran Hoti

Vetëvendosje koalicion me LDK-në pas reformave?

Për Vetëvendosjen është e thjeshtë, ata duan që të dalin fitues në zgjedhje dhe se koalicion më LDK-në bëjnë vetëm nëse këta të fundit mund të bëjnë një reformë brenda partisë.

“Vetevendosje ka thënë se jemi në pritje të dalim fuqia e parë politike, dhe nëse dalim është një realitet tjetër politik. Ajo çka kemi deklarua është se në rast se ne jemi partia e parë është e pa mundur dhe përjashtohet çfarëdo mundësie koalicioni më PDK-në. Ndërsa për koalicion më LDK-në mund të flitet nëse ka një reformë brenda LDK-së, ka një ecje progresive prej asaj qka e kemi parë deri tash. Ne synimin e kemi që të dalim partia e parë dhe normalisht që kjo nënkupton se në çfarëdo rrethane kandidati për kryeministër me qenë i joni”, është shprehur zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkdran Hoti.

Ndryshe Lëvizja Vetëvendosje e ka konfirmuar edhe dje se në zgjedhjet e 11 qershorit do të garojë e vetme, ndërkaq pranoi se me Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë pasur biseda por që nuk kanë arritur marrëveshje, por duke lënë mundësinë e hapur që pas zgjedhjeve të diskutohet për një gjë të tillë.

Mundësinë për bashkëpunim me VV-në, pas zgjedhjeve, e ka lënë të hapur edhe kryeministri Mustafa.

“Proceset tjera pasi të bëhen zgjedhjet mbeten të hapura. Në këtë proces e kemi koalicionin e deritashëm”, ka thënë gjatë ditës së djeshme kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat