Diaspora të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës

Politika

Diaspora të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 maj 2017 Në ora: 10:28
Kuvendi i Kosovës

Qytetarët e Kosovës do t’ia mësyjnë pikave të votimit më 11 qershor për ta dhënë votën e tyre, se cila Qeveri do t’i udhëheq ata për 4 vitet e ardhshme.

Të drejtë votimi kanë të gjithë personat të cilët i kanë mbushur tetëmbëdhjetë (18) vjet dhe në ditën kur do të mbahen zgjedhjet janë të regjistruar si qytetarë të Kosovës në Regjistrin Qendror Civil.

Të drejtë votimi kanë edhe të gjithë qytetarët, të cilët janë banorë të Kosovës, por që jetojnë jashtë saj. Aplikimi për regjistrimin e tyre tashmë ka dalë në web faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor, ndërsa votimi i tyre bëhet përmes postës.

Anëtarët e KQZ-së nga partitë politike në Kosovë, kanë treguar për “Bota sot” se votimi i mërgatës është shumë i rëndësishëm, mirëpo ekzistojnë probleme procedurale, derisa ish-deputetët pohojnë se Kosova duhet të ketë vende të siguruara për deputetë nga diaspora.

KQZ po regjistron votuesit nga diaspora

Binak Vishaj, anëtar i KQZ-së dhe përfaqësues i AAK-së, ka treguar se ky institucion është në periudhën e regjistrimit të votuesve të cilët jetojnë jashtë vendit.

Image
Binak Vishaj

“Edhe në faqen e Komisionit zgjedhor është publikuar komplet procesi i votimit jashtë vendit. Ne tani jemi në periudhën ku është regjistrimi i votuesve jashtë vendit, janë formularët që duhet të plotësohen dhe gjithçka që duhet për regjistrim. Pas regjistrimit është koha që ne ia kthejmë për ata votuesit që janë në listën e votuesve dhe për ata publikohet data e votimit”, ka deklaruar Vishaj.

Sa i përket çështjes nëse do të duhej që Kosova të ketë vende të siguruara për deputetë nga diaspora, Vishaj ka thënë se këto janë vendime politikbërëse, mirëpo do të ishte një gjë e mirë.

“Janë vendimet politikbërëse, mirëpo mendoj që është mirë që të gjitha llojet e kategorive të përfaqësohen nga diaspora, por kjo është në vullnetin e partive politike”, ka pohuar Vishaj për “Bota sot”.

Lluka: Mërgimtarët të kenë vende të rezervuara në institucione

Kurse, Jahja Lluka anëtar i Kryesisë në selinë qendrore të AAK-së në Prishtinë, ka thënë se votimi për mërgimtarët ka shumë probleme.

Image
Jahja Lluka

Sipas tij, është mëse e nevojshme që mërgimtarët të kenë vende të rezervuara në institucione.

“Duke u nisur nga kontributi i diasporës në të gjitha etapat, është më se e domosdoshme që ata të kenë vendet e rezervuara në institucione. Për votimin e mërgimtarëve tonë ka shumë probleme, së pari aplikimi i komplikuar, pastaj procedura. Duhet të ndryshojë i gjithë sistemi i votimit. Ne si Aleancë kemi hapur një zyrë këto ditë për t’i ndihmuar mërgimtarët tonë në çështjet administrative, sepse për ne është prioritet organizimi i ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë për të votuar se kështu e shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe nuk humbin votat rrugës”, ka treguar Lluka për “Bota sot”.

Reduktimi i diasporës

Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes Adnan Rrustemi, ka thënë se mërgata historikisht ka luajtur rol të rëndësishëm në Kosovë, mirëpo pjesëmarrja e tyre është reduktuar në minimum.

Image
Adnan Rrustemi

“Mërgata historikisht ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimet në Kosovë. Edhe në zgjedhjet e 11 qershorit, që për vendin është një moment kthese, pjesëmarrja e mërgatës është e domosdoshme. Angazhimi i mërgatës, fatkeqësisht dhe aspak për fajin e saj, është reduktuar në minimum, për të mos thënë është zhdukur fare dhe e tërë kjo gati se qëllimshëm nga qeverisjet e deri tanishme”, ka theksuar Rrustemi.

Ai ka thënë se përfaqësimi i mërgatës në institucione është i domosdoshëm.

“Konsideroj se përfaqësimi i mërgatës në institucione dhe pjesëmarrja e saj në zgjedhje është i domosdoshëm, duke e njohur të drejtën dhe garantuar mundësinë për të votuar në Kosovë. Ndërsa, çështja e modaliteteve të përfaqësimit për në të ardhmen duhet të diskutohet me vet mërgatën, me qëllim që çfarëdo modaliteti të mos shërbejë si kufizim i pjesëmarrjes, por si një mundësi më shumë për mërgatën. Por, duke qenë se jemi në proces zgjedhor, unë ftoj bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë në dispozicion dhe të vijnë dhe të votojnë direkt në Kosovë apo edhe të regjistrohen që të votojnë përmes postës” , ka shtuar Rrustemi për “ Bota sot”.

Hasani: Diaspora, shtylla kryesore e furnizimit të UÇK-së

Edhe ish deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka thënë se diaspora meriton të përfaqësohet në Kuvend të Kosovës.

Image
Nait Hasani

“Diaspora ka kontribuar mjaftë në Kosovë dhe është duke e ndihmuar me investime të ndryshme ekonomike, ajo mbështet edhe politikisht Kosovën në çdo kohë. Diaspora edhe gjatë luftës ka qenë shtylla kryesore e furnizimit të UÇK-së”, ka theksuar Hasani për “Bota sot”.

Hasani deklaron se diaspora meriton të përfaqësohet në Kuvend të Kosovës, por për këtë duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese, ai kërkon që për këtë të shtohet presioni politik.

“Diaspora meriton të përfaqësohet edhe në Kuvend të Kosovës, ama janë  gjendje kushtetuese që duhet të bëjnë ndryshime që t’iu mundësohet lejimi dhe që diaspora ta ketë vendin e merituar. Prandaj, ata duhet ta shtojnë presionin politik për ndryshime kushtetuese për të arritur që edhe zëri i diasporës të jetë në Kuvendin e Kosovës, ajo i jep Kuvendit fuqi politike dhe ekonomike”, ka pohuar Hasani.

Topalli: Procedurat e komplikuara të votimit

Sikurse Hasani, edhe ish deputeti nga radhët e Lëvizjes  Vetëvendosje, Faton Topalli, është shprehur se mërgata duhet të ketë deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe në të gjitha institucione tjera.

Image
Faton Topalli

Topalli ka treguar se deri më tani ka pasur problem tek procedurat, të cilat ai i quan të komplikuara për votim.

“Mundësia e votimit nga diaspora, ashtu si edhe mundësia e kandidimit ka ekzistuar gjithmonë. Problemi ka qëndruar dhe qëndron tek procedurat e komplikuara të votimit. Ne kemi kërkuar edhe votim fizik në Ambasada, Konsulata, Shoqata e kështu me radhë. Qeveritë e deri tashme nuk kanë qenë të interesuara që mërgimtarët të përfshihen në proceset politike në Kosovë. Nuk janë të interesuar as tani. Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi përpjekur maksimalisht. Kështu në legjislaturën e katërt kishim Afrim Hotin dhe mua që u zgjodhëm si anëtar të Parlamentit. Në listë kishte edhe mërgimtarë të tjerë. Njësoj edhe në legjislaturën e pestë. Mua madje më bën edhe Kryetar të Komisionit për mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvend. Edhe këtë vit do të kemi kandidatë nga vende të ndryshme”, ka theksuar Topalli.

Ai ka shtuar se njerëzit e mençur nga diaspora duhet të përfshihen përgjatë gjithë pushtetit.

“Me rëndësi është mbështetja e tyre nga qytetarët, por edhe brenda partisë, mërgata duhet të ketë deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe në të gjitha institucionet tjera. Mendoj që nuk duhet të ketë një Ministri për Diasporë dhe të themi e zgjidhëm problemin. Njerëzit tonë më të mençur nga diaspora duhet të përfshihen përgjatë gjithë pushtetit, sepse janë ekspertë  të fushave të ndryshme të njohur si të tillë edhe në vendet e jashtme ku janë shkolluar ”, ka  vlerësuar Topalli.

Në zgjedhjet e vitit 2014, KQZ-ja në Prishtinë kishte pranuar 3936 aplikacione për regjistrim nga diaspora, ndërsa i certifikuar vetëm 3369 aplikues, opozita këtë e kishte quajtur dështim qeveritar dhe anashkalim të mërgatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat