“Haradinaj dhe klani “Pronto”-SHIK mund t'i sjellin vendit rrezik të pashmangshëm"

Politika

“Haradinaj dhe klani “Pronto”-SHIK mund t'i sjellin vendit rrezik të pashmangshëm"

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 27 maj 2017 Në ora: 08:15
Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj

Ish Shërbimi Informativ i Kosovës, i cili drejtohej nga Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ishte akuzuar vazhdimisht për vepra të ndryshme. Madje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që tani ka lidhur koalicion me PDK-në e Veselit, kishte hedhur akuza të rënda në drejtim të SHIK-ut të Veselit.

Daut Haradinaj, ish deputet i AAK-së, kishte akuzuar SHIK-un, për mveshje të Haraçit. Haradinaj, partia e të cilit lidhi koalicion me Veselin dhe PDK-në, në nëntor të vitit të kaluar, e kishte quajtur SHIK-un organizatë kriminale dhe të nëntokës.

“Nuk do të heshtim, duhet ta kuptoj edhe SHIK-u se i kanë rënë dhëmbët. Populli e ka kuptuar të vërtetën, edhe ajo organizatë kriminale që e ka sunduar vendin në nëntokë, nuk mundet më me spekulime kurse populli i ka qelë sytë. Po e njëjta organizatë është me këso pallavra na kanë lodhur 17 vjet”, kishte thënë Haradinaj, kur ishte pyetur gjatë një interviste lidhur me akuzat për haraç.

E kaluara e dyshimtë?

Njohësit e rrethanave politike në vend, vlerësojnë se ish udhëheqësi i Shërbimit informativ të Kosovës (SHIK), tash udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mund ti sjellin vendit rrezik të pashmangshëm në të gjitha drejtimet, për shkak të së kaluarës së tyre.

Ata kujtojnë faktin se Kadri Veselit llogaritet të jetë udhëheqës i një organizate sekrete dhe nga e cila nuk dihet se çfarë vendimeve kanë dal dhe kush i zbatuar ato.

Se çfarë e ardhme politike e pret Kosovën  pas zgjedhjeve të 11 qershorit, nëse koalicioni “krahu i luftës” fiton zgjedhjet pritet të shihet por që e kaluara nuk mund të fshihet asnjëherë.

Flet ish agjenti i SHIK-ut

Naim Miftari ish agjent i SHIK-ut ka thënë për “Bota Sot” se formula më e mirë për qeverisje do të ishtë një koalicion i mundshëm në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vetëvendosjes dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Image
Naim Miftari

Sipas ish agjentit të SHIK-ut Koalicioni AAK-PDK është koalicion i frikës nga humbja në zgjedhje.

Ai ka thënë se Kosovën e presin detyra të vështira të pazgjedhura si demarkacioni, bashkësia e komunave serbe, ushtria, Gjykata Speciale të cilët janë lak rreth qafës të kryeministrit të ardhshëm. 

“Duke ditur se udhëheqësit e PDK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë njerëz të tradhtive të mëdha dhe konspiracioneve nuk besoj se nuk do ta tradhtojnë në fund Ramushin pasi ky ti ketë kryer disa detyra që janë mbet pezull sot ne vendin tonë “, ka thënë nder të tjera Miftari duke shtuar se shteti është i zënë nga mafia politike.

 “Kosovën nuk e presin ditë të mira, jo që nuk kam besim në Ramushin por shteti është i zënë nga mafia politike e PDK-së dhe shumë vite duhen për tu pastruar shteti nga këto duar të oktopodit  të Shërbimit Informativ te Kosovës (SHIK-ut).

Koalicioni i panatyrshëm

Koalicioni i tanishëm parazgjedhor në mes Partisë Demokratikë të Kosovës-Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma-s vlerësohet si koalicion i krahut të luftës dhe i cili koalicion ka edhe dallime të mëdha sa i përket çështjeve të rëndësishme të vendit.

Image
Haki Abazi

Analisti Haki Abazi ka thënë se koalicioni ndërmjet PDK-së dhe AAK-së është jo-natyror edhe për nga ideoligjia por edhe për nga përcaktimi i prioriteteve.

 “Ka dallime shumë të mëdha sidomos për Demarkacionin dhe Asociacionin dhe AAK i është bashkuar një vije/ shkolle politike që në fakt për 15 vite ka treguar gatishmëri për të bërë kompromis më çdo gjë për të mbetur në pushtet përfshirë edhe degradimin e plotë të rendit kushtetutës. Gjithashtu mendoj qe AAK i është futur një loje shumë të rrezikshme duke pasur parasysh se hapësira për të vepruar është shumë e vogël dhe aspak premtuese” ka shtuar nder të tjera Abazi.

Sipas analistit Abazi AAK-ja do të jetë e dëshpëruar dhe e zhgënjyer sepse vet PDK-ja do të sabotojë numrin e votueseve te AAK për të mbajtur primatin e partnerit të madh në koalicion dhe gjithsesi kjo e detyron këdo që është i pari në zgjedhje të bëjë koalicion me një parti tjetër për të arritur numra të qëndrueshëm në parlament” ka thënë Abazi, duke shtuar se çfarëdo koalicioni qeverisës që do të del do të jetë i brishtë i dhe dobët përballë agjendës shume të komplikuar që do të jetë menjëherë pas konsolidimit të parlamentit të ardhshëm.

Çështjet më rëndësi për vendin do të vazhdojnë të jenë të “pa kapshme” edhe ketë mandat qeverisës nëse Koalicioni “Krahu i Luftës fiton zgjedhjet, pasi që ata do të vazhdojnë të bëjnë kompromise të ndryshme vetëm sa për të shuar egon e tyre politike dhe për përfitimet që ata i bëjnë në kurrizin e qytetareve të Kosovës.

“Alfa dhe omega e krimit në Kosovë

Edhe analisti tjetër politik Faik Krasniqi thotë se Klani mafioz ”Pronto” është Alfa dhe Omega e krimit ekonomik dhe politik në Kosovë.

Image
Faik Krasniqi

“Zyrtarët e këtij klani janë fajtorët kryesorë për gjendjen e mjerueshme që e ka kapluar Kosovën. Të njëjtit janë fajtorë edhe për Demarkacionin dhe Asociacionin. Këta njerëz që e kanë udhëhequr dhe e udhëheqin shtetin, bashkë me partitë tjera që gjithmonë u janë bërë bisht në qeverisje për hir të pushtetit, e konsiderojnë atë pronë private, me të cilën mund të bëjnë çfarë të duan, e kurrsesi pronë të qytetarëve që duhet ta menaxhojnë mire” ka shtuar nder të tjera analisti Krasniqi.

Po ashtu ai ka thënë se, ndihet i befasuar me koalicionin PDK-AAK, duke rikujtuar fjalët e z.Haradinaj, se në asnjë mënyrë nuk do të hynë në koalicion me partitë që kanë qenë në pushtet, dhe në asnjë mënyrë me njerëzit e Klanit Pronto, respektivisht të SHIK-ut.

 “Jam befasuar që Haradinaj për hir të postit të kryeministrit, pranoi të bëhet bashkë me PDK-në, por edhe me Nismën e z. Limaj, njeriu që bashkë me z. Krasniqi dhe të tjerët, u larguan nga partia me arsyetimin e komplotit të SHIK-ut ndaj tyre. Prandaj, qytetarët e Kosovës kanë arsye të fortë që mos të votojnë koalicionet e krimit dhe dështimit, por të votojnë ndryshimin. Në të kundërtën, me këta njerëz të kriminalizuar dhe të dështuar, kriza ekonomike dhe politike në Kosovë do të thellohet akoma më shumë. Qytetarët e Kosovës duan zgjidhje dhe jo zgjedhje” ka përfunduar analisti Faik Krasniqi.

Ndryshe Kadri Veseli ka deklaruar mbylljen zyrtare të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) më 14 qershor 2008, në një deklarim të transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës, RTK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat