"Lufta" brenda koalicionit, Nisma i vë kushtin e parë PDK-së!

Politika

"Lufta" brenda koalicionit, Nisma i vë kushtin e parë PDK-së!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 maj 2017 Në ora: 07:38
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

“Si koalicion marrin vota më shumë por Nisma i merr votat në zonën e vet se bile i kanë vënë kusht PDK-së që mos të nxjerrë kandidat në Malishevë. Pra, nuk kritikohen ndërmjet vete se kundërshtar e kanë LDK-në e Vetëvendosjen, por grindjet bëhen nëse mbesin opozitë ose nëse janë të pakënaqur me ndarjen e posteve ministrore”, ka përfunduar Tahiri.

Me votimin e mocionit të mosbesimit të Qeverisë të iniciuar nga Nisma për Kosovën, 10 maji bëri që Qeveria të bie dhe të shkohet në zgjedhje.

E për mbajtjen e tyre u caktua 11 qershori, ku qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë për të preferuarin e tyre.

Përpos mocionit për rrëzimin e Qeverisë, Nisma së bashku me AAK-në si bllok opozitar, bënë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Deklarata e Krasniqit

Së fundmi, anëtari i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, përmes një shkrimi të tij tha se u bashkuan me PDK-në, pasi rrezikohej siguria kombëtare.

“Nisma, interesit kombëtar do t’i qëndrojë Besnik, në çdo kohë e në çdo rrethanë! Në rrethana politike, kur rrezikohet siguria kombëtare, tërësia territoriale, sovraniteti i shtetit e zhvillimi ekonomik, po kërkohet bashkimi ynë përtej programeve politike a ideologjike të partive politike. Ne duhet të jemi aty ku kërkohet bashkimi për kombin e shtetin! Sot, nga ne po kërkohet ky veprim dhe ne, nuk guxojmë të hezitojmë! Ne rrethana të tilla, vendimet janë të shpejta! Koha le t’i verifikoj!”, shkroi Krasniqi.

Gazeta “Bota sot’ ka tentuar të marrë përgjigje nga Jakup Krasniqi, lidhur me rrezikun e sigurisë kombëtare për të cilin ka shkruar dhe bashkimin me PDK-në, por ai nuk është përgjigjur.

Në anën tjetër, analistët kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me këtë çështje.

Krasniqi po justifikohet

Analisti politik Enver Bytyqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se e gjithë kjo deklaratë është një arsyetim për shkak të koalicionit me PDK-në, me të cilën kanë qenë kundërshtarë, pasi për sigurinë kujdeset KFOR dhe NATO dhe jo partitë.

Image
Analisti Enver Bytyçi

“Kosova ndodhet në fushatë elektorale. Ajo erdhi disi papritur. Me shpejtësi u krijuan koalicionet parazgjedhore, para tri vitesh nuk pati koalicione të tilla. Vetëm pas zgjedhjeve ndodhi maratona e këtyre aleancave. Tani kemi tri pole: Koalicionin PDK-AAK-Nisma, atë të LDK-së me AKR dhe Alternativa si dhe VV. Koalicioni i partive serbe është më vete. Jakup Krasiniqit i duhej një alibi për të justifikuar koalicionin e Nismas me PDK-në, kundër së cilës vetë zoti Krasniqi dhe zoti Limaj nuk kanë lënë gjë pa thënë. Nga pikëpamja e spektrit ky koalicion nuk është i panatyrshëm. Megjithatë Nismas i duhej një justifikim, një alibi. Formula e “mbrojtjes” së Kosovës nga destabilizimi në fakt nuk është se ngjit te qytetarët e vendit. Gjithkush e di se për stabilitetin e Kosovës është përgjegjës NATO dhe KFOR-i. Partitë politike është e mjaftueshme që të respektojnë ligjin, shtetin e të drejtës dhe demokracinë”, ka deklaruar ai.

Bashkimi për shkak të Gjykatës Speciale?

Më tej, Bytyqi thotë se nëse Krasniqi e lidhë këtë çështje me Gjykatën Speciale, ky është lajm i keq për Kosovën.

“Nëse zoti Krasniqi mendon se Kosovën e “destabilizon” Gjykata Speciale, atëherë edhe në këtë rast nuk thotë të vërtetën, sepse këtë gjykatë e ka votuar parlamenti i Kosovës, edhe PDK-ja dhe nëse Gjykata Speciale do të marrë dikë nën hetim, ky dikushi nuk ka të bëjë me UÇK-në, sepse duke shkelur ligjet ka shkelur mbi vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykata në fjalë nuk drejtohet kundër UÇK-së. Nëse ai jep mesazhin e bashkimit në koalicion kundër kësaj gjykate, ky do të ishte lajm i keq për Kosovën. Ndërkaq zoti Krasniqi e dikush tjetër bëjnë një gabim të rëndë historik kur e deklarojnë veten si çlirimtarë dhe LDK-në si anti UÇK!”, ka thënë Bytyqi

Ai ka rikujtuar se anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së kanë pasur formacione luftarake të mirë organizuara, kanë dhënë dëshmorë për atdheun, kanë realizuar beteja që janë shënuar në historinë e NATO-s e të kombit si Beteja e Koshares.

“Anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së kanë pasur formacione luftarake të mirorganizuara, kanë dhënë dëshmorë për atdheun, kanë realizuar beteja që janë shënuar në historinë e NATO-s e të kombit si Betaja e Koshares! Së dyti, gjithkush që i sheh të ndara etapat e luftës për shtetësinë e Kosovës, bën një gabim parimor, sepse të dy etapat, ajo e rezistencës paqësore dhe e rezistencës me armë janë në varësi e i vijnë në ndihmë njëra-tjetrës, janë tërësia e të njëjtës strategji. Ndryshojnë vetëm rrethanat, mjetet dhe koha në të cilën ato kanë ardhur në memorien historike të kombit shqiptar. Çdo ndarje është njëkohësisht përpjekje për përçarje. Fatkeqësisht kjo vihet re te deklarata e zotit Krasniqi, por edhe te deklaratat e Qosjes!”, është shprehur Bytyqi për “Bota sot”.

Shahu: Siguria kombëtare po rrezikohet nga imoraliteti politik

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Krasniqi është bashkuar dhe po bën ‘dasmë’ me PDK-në, duke i harruar sharjet e luftërat politike.

Image
Analisti Rexhep Shahu

“Siguria kombëtare po rrezikohet nga imoraliteti politik i agës Jakup, i cili pështyn çfarë ka lëpirë dhe nëse ne i themi po lëpin pështymën tënde, ai na thotë mos ma thoni këtë se kjo përbën rrezik për sigurinë kombëtare. Aga Jakup i tufës së komandantëve ia ka nxjerrë ujin e zi pushtetit, famës e lavdisë, e ka udhëhequr Kosovën duke qenë numri 2 i saj si kryetar Kuvendi. Iu prish terezia dhe u divorcua me Hashimin duke mos pranuar se Hashimi është më i zoti se aga Jakup. Por Hashimi e nxori si kockë kumbulle. Aga Jakup u bë me Nismën, armik institucional i Hashimit dhe PDK-së. Sot për një karrige ai martohet e bën paqe e dasmë me PDK-në, duke harruar sharjet e luftërat politike. Ani, nuk është turp me lëpi çfarë përshtyn, por turp është të na thotë se po lëpinë mjaltin PDK”, ka deklaruar Shahu.

Tahiri: Nuk po rrezikohet siguria kombëtare

Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri është shprehur kundër një rreziku të sigurisë kombëtare të Kosovës, duke thënë se PDK dhe Nisma janë e njëjti gjë.

Image
Politologu Ramush Tahiri

“Nuk mendoj se Kosova e ka të rrezikuar sigurinë kombëtare përderisa Kosova ka partneritet me SHBA-në dhe NATO-n dhe është në rrugën e anëtarësimit në BE. PDK dhe NISMA janë i njëjti brumë. Dallimet nuk janë përmbajtjesore dhe konceptuale por taktike dhe tranzicionale dhe të momentit të zhvillimit. Elektorati është i përçarë për kapriçe e anomizitet personal e grupor por votat nuk humbin për dalje ose mosdalje se shkojnë për koalicionin parazgjedhor dhe për kandidatët konkret dhe janë bashkë kundër LDK-së”, është shprehur Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se PDK dhe Nisma nuk kritikohen mes vete, përpos nëse kanë pakënaqësi për poste apo mbesin në opozitë.

“Si koalicion marrin vota më shumë por Nisma i merr votat në zonën e vet se bile i kanë vënë kusht PDK-së që mos të nxjerrë kandidat në Malishevë. Pra, nuk kritikohen ndërmjet vete se kundërshtar e kanë LDK-në e Vetëvendosjen, por grindjet bëhen nëse mbesin opozitë ose nëse janë të pakënaqur me ndarjen e posteve ministrore”, ka përfunduar Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat