Hoti: Paga minimale në sektorin publik dhe privat do të jetë 210 euro

Politika

Hoti: Paga minimale në sektorin publik dhe privat do të jetë 210 euro

Më: 28 maj 2017 Në ora: 21:58
Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti

Gjatë një bashkëbisedimi me komunitetin e biznesit në Suharekë, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka shpalosur programin e tij ekonomik, i cili ka posedon 9 objektiva dhe 23 detyra prioritare.

“Ndër masat e para në fushën e fuqizimit të bizneseve do të jetë krijimi i një Fondi Zhvillimor për të përkrahur biznesin vendor dhe fuqizimi i skemës së garantimit të kredive”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se nëpërmes këtij Fondi do t'i bashkëfinancojmë projektet investive të firmave vendëse që e rrisin prodhimin vendës dhe ndikojnë në uljen e deficitit tregtar të Kosovës.

 “Nëpërmes këtyre masave ne parashikojmë që norma e papunësisë të jetë në numër njëshifror, ndërsa paga minimale në sektorin privat dhe atë shoqëror të jetë 210 euro bruto. Objektiv tjetër i yni do të jetë zhvillim ekonomik prej 6-7 %.

Objektiv tjetër i yni do të jetë promovimi i iniciativës private, konkurrencës së lirë dhe tregut të hapur”, ka thënë Hoti.

“Synimi ynë kryesor është që sektori privat të jetë gjenerator i rritjes ekonomike dhe punësimit. Ne do të bëjmë promovimin e investimeve në prodhim dhe shërbimeve me vlerë të lartë shtuese. Të gjitha këto do të ndikojnë në zvogëlimi i vazhdueshëm të varfërisë”, ka thënë kandidati për kryeministër.

Ai ka thënë se gjatë mandatit të qeverisë së re do të krijohet Fondi për Inovacione për mbështetjen e inovacionit, e cila do të siguronte stimuj (grante korrespondente) për investimet e NVM-ve në hulumtime dhe kërkime shkencore.

“Kjo skemë do të jetë pjesë e Fondit të Punësimit dhe të Zhvillimit.  Ministria e Financave gjithashtu do të sigurojë përjashtime tatimore për blerjet e reja të teknologjisë që nxisin lidhjet me institucionet kërkimore jashtë vendit”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, ka thënë se gjatë mandatit të tij si ministër i Financave, Avdullah Hoti ka përkrahur projektet e kësaj komune dhe kështu ka ndikuar në përmirësimin e kushteve të të bërit biznes.

“Shpresojmë se në mandatin e tij qeverisës Hoti do të përkrah edhe më tepër projektet tona në të mirë të qytetarëve”, ka thënë Asllanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat