Keqpërdorimi i UÇK-së për pushtet nga PDK-ja

Politika

Keqpërdorimi i UÇK-së për pushtet nga PDK-ja

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 qershor 2017 Në ora: 14:16
Foto ilustrim

Fushata për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 11 qershor ka filluar zyrtarisht të hënën, mirëpo takimet e tubimet  me qytetarët, premtimet  për një qeverisje më të mirë, por edhe akuzat në mes partive rivale kanë filluar që nga rrëzimi i qeverisë.

Pothuajse të gjitha partitë politike, fushatën parazgjedhore e kishin filluar në komuna të cilat konsiderohen si bastione të tyre, duke kërkuar besimin për ta fituar edhe Kosovën.

Partia Demokratike e Kosovës, parti  kjo e cila ka nën qeverisjen e saj ka një pjesë të madhe të komunave në Kosovë, por Drenica mbetet bastion i saj duke e qeverisur që nga përfundimi i luftës.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli pas zgjedhjeve të fundit në Drenas, kishte thënë se ato dëshmojnë lidhjen e pa shkëputshme të PDK-së me Drenicën, ndërsa nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi ditë më parë është shprehur se UÇK-ja është nëna e PDK- së, kurse, nëna e UÇK- së është Skenderaj e Prekazi.

Këto komente, Kuçi i ka bërë gjatë një tubimi në Drenicë, ku ka folur për Fillimin e Ri dhe ka garantuar se Drenica do t’i sigurojë 61 deputetë koalicionit.

Përkundër që këto komente janë bërë në kohë të fushatës, përsëri  ka pasur reagime në medie duke e fajësuar PDK-në, kjo për shkak të konsiderimit  të UÇK-së si nëna e PDK-në.

Sipas analistëve nuk mund të bëhet një krahasim i tillë sepse vetë PDK-ja ka lejuar të formimin e Gjykatës Speciale, gjykatë kjo e cila do të merret me krimet gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ata pohojnë se lufta e UÇK-së shfrytëzohet politikisht për të mbetur ende në pushtet.

Image
Skënder Zogaj

UÇK-ja, kategoria më e përçmuar e shoqërisë

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se UÇK-ja, lufta dhe luftëtarët janë kaptina më e dhimbshme e manipulimit dhe kalkulimeve të tmerrshme politike.

Sipas Zogajt, këto gjëra ia zbehin imazhin dhe pengojnë rezultatin e çlirimit të merituar të Kosovës.

“UÇK-ja, lufta dhe luftëtarët e vërtetë të UÇK-së, janë kaptina më e dhimbshme e manipulimit dhe kalkulimeve të tmerrshme politike që janë bërë dhe që e kanë devalvuar shenjtërinë e rezistencës dhe të sakrificës heroike të shqiptarëve të Kosovës, duke ia zbehur imazhin dhe duke ia penguar rezultatin e merituar çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës”, pohon Zogaj.

Ai thotë se zhvillimet e çrregullta që ndodhin tani e 17 vite janë për faktin që UÇK-ja është kategoria më e përçmuar e shoqërisë.

“ Këtë gjendje e faktojnë zhvillimet e çrregullta që kanë ndodhur tash e 17 vjet dhe fakti se ushtarët e UÇK-së janë kategoria me e përçmuar e shoqërisë, sepse, jeta e tyre mbahet me lëmoshën pre 170 euro, që është shumë më e vogël se sa, ajo që e arrijnë lypësit evgjit në rrugët e Prishtinës”, shprehet Zogaj.

Duke komentuar deklaratën e Kuçit se UÇK-ja është nëna e PDK-së, Zogaj  thotë se nuk është i interesuar të di, mirëpo sipas tij vlerat e luftës janë përbuzur nga politika dhe nëntoka e krimit.

Sipas Zogajt nëse shtetit do t’i kryente me kohë çështjen e krimeve të luftës nuk do të kishte pasur nevojë të formohej Gjykata Speciale dhe pasi nuk ka ndodhur kjo atëherë dëgjohen broçkulla gjithfarëshe, komike dhe tragjike.

“Kush çka thotë për UÇK-në nuk jam i interesuar të di, por, personalisht mendoj se, vlerat e luftës janë përbuzur nga politika dhe nëntoka e krimit, të cilat, sikur të ishte trajtuar lufta mirë e drejtë, tash Kosova do të kishte qenë shtet i mirëfilltë dhe plotësisht funksional; me diku rreth 15 mijë pjesëtarë  të luftës, që do të kishin trefishin e pensionit të tashëm (pra rreth 500 euro pension). Shteti që do të kishte kryer me kohë dhe sipas drejtësisë vendore çështjen e krimeve të luftës dhe nuk do te kishte pasur nevojë që të formohej Gjykata Speciale nga ndërkombëtarët; shtet që me ligj do ta kishte sanksionuar përgojimin e vlerave të luftës për qëllime elektorale, sepse UÇK-ja dhe pjesëtarët e saj nuk janë mall politik, por janë kapital historik dhe mbi-politik. Kjo nuk ka ndodhur, prandaj tash duhet të shohim e dëgjojmë broçkulla gjithfarëshe, komike në formë, dhe shumë tragjike në për mbajtje!”, vlerëson  Zogaj.

Image
Blerim Burjani

PDK dëshiron mbetjen në pushtet

Ndërsa, analisti Blerim Burjani shprehet se  deklarata e nënkryetarit  të PDK-së,  Hajredin Kuçi nuk ka të bëjë asgjë me UÇK-në, kjo sepse PDK-ja ka një prejardhje  tjetër.

Sipas Burjanit, këto deklarata përdoren nga PDK-ja vetëm për të qëndruar në pushtet.

“Për t’u argumentuar atë  që  thotë  ky njeri i cili nuk ka të  bëjë asgjë me UÇK, PDK ka prejardhje komplet nga lufta si dhe të bashkangjitur njerëz të tjerë ,  e që  shumica e tyre kanë  në  këtë  subjekt për përfitime duke parë  se ata janë  të  fuqishëm politikisht, në momentet kur  fillon të shkapërderdhet ky subjekt as që  do  të  dëgjohet ndonjë  koment i tillë prej këtyre njerëzve përfitues. PDK-ja  është  e interesuar të mbetet në pushtet për këtë arsye ata kanë nevojë  jetike të mbështeten nga shtetet perëndimore të cilët janë  përkrahur gjatë luftës .  Pra,  e din mirë rëndësinë e bashkësisë  ndërkombëtare këtu është  ideja të mbeten afër me faktorin ndërkombëtar dhe të pajtohen si zakonisht gjithmonë  me ata, kurse në sektorin e politikës  të brendshëm të merren me përfitime të tyre pasurore, kjo ka qenë  kështu gjatë  gjithë  kohës”, pohon Burjani.

Burjani shton  pensionet e UÇK-së duhet të rriten dhe nuk ka nevojë që vetëm të merren me politik për të siguruar një jetë sa më të mirë.

 “Do të ishte e rrugës që njerëzit e UÇK-së të gjithë pa dallim të përkrahen me mjete pensioni që do t’ua mundësonte një jetë dinjitoze. Shokët e këtyre kanë bërë përfitime të mëdha personale si njerëz që merren me politik, pra kategoria e këtyre njerëzve duhet të përkrahen me pensione  dhe me të gjitha gjëra të nevojshme për jetë, nuk ka nevojë që kjo kategori të gjithë të merren me politik për t’iu dhënë fund problemeve të tyre. Bashkësia ndërkombëtare edhe më herët u  ka bërë thirrje të ndalin proceset e tilla të dëmshme politike për qytetarë dhe madje edhe ta lënë fare politikën dhe ta ruajnë dinjitetin personal dhe të luftës, por këta njerëz nuk kanë shprehur gatitshmëri por kanë vazhduar të përfitojnë prej politikës dhe t’i rrisin paga të shumta, të krijojnë borde të ndryshme duke shtuar ndikimin e plotë në sektorët shtetëror, publik dhe privat”, shprehet Burjani.

Image
Naim Miftari

"Keqpërdorimi i UÇK-së nga klani Thaçi dhe SHIK-u"

Ndërsa, ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari thotë se sipas gjendjes së realitetit PDK-ja ka të bëjë më së pakti për të qenë nëna e UÇK-së.

Sipas Miftarit “komandantët” të cilët janë në PDK ose janë pasivë, ose janë lënë anash nga klani Thaçi dhe nga njerëzit e ish- SHIK-ut.

“Sipas gjendjes reale PDK-ja  ka të bëjë  më  së pakti  që të jetë nëna e UÇK-së shumica e komandantëve. Po sipas bindjes time PDK-ja ka të bëjë më së pakti sot me UÇK-në më aspektin pozitiv, kjo pasi shumica e komandantëve që janë burgosur ose dënuar me faj dhe pa faj vijnë nga PDK-ja. Edhe ata “komandantë” që janë sot në PDK ose janë pasiv, ose janë lënë anash nga klani i Hashim Thaçit dhe nga njerëzit e ish- SHIK-ut e të cilët tani janë në institucionet më të larta shtetërore. Është e vërtetë që Drenica është bastion i fortë i UÇK-së, por nuk është e ashtuquajtura nëna e UÇK-së pasi nëna është krejt Kosova dhe populli jonë”, shprehet Miftari.

 Ai pohon se, më së paku i takon Kuçit dhe disa të tjerëve të shfrytëzojnë fatkeqësinë e popullit për të folur për UÇK-në, kjo sipas Miftarit sepse ata kanë shfrytëzuar luftën që të pasurohen ekonomikisht dhe politikisht.

“Më së pak i takon ish milicit serb Hajredin Kuçit dhe disa kuqaloshave tjerë që kanë shfrytëzuar fatkeqësinë e popullit tonë gjatë luftës të zënë në gojë ushtrinë tonë çlirimtare. Kjo pasi dihet shumë mirë se pikërisht Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, Enver Hasani, Enver Hoxhaj e disa barkmadhajsh tjerë e kanë shfrytëzuar luftën për t’u pasuruar si ekonomikisht ashtu edhe politikisht gjithmonë duke u thirr në luftën e shenjtë të UÇK-së për lirinë e vendit e në ndërkohë nëpër ambasadat e “miqve” vjedhin mbi UÇK-në”, pohon Miftari.

Ai shton se ata njerëz kanë sjellë  EULEX-in, Gjykatën Speciale dhe janë armiku më i madh i UÇK-së.

“Sidomos etiketohen komandantët e luftës edhe pse shpesh herë vijnë nga e njëjta parti, pikërisht ky lloj i udhëheqësve politik milionerë të korruptuar sollën padrejtësisht EULEX-in. Pikërisht këta njerëz sollën Gjykatën Speciale kundër vetë UÇK-së, kurse amnistuan pastrimin etnik, dhunimet dhe vrasësit e 14.000 shqiptarëve. Pikërisht këta njerëz këta tipa njerëzish janë armiku më i madh i UÇK-së dhe armiku më i madh i vendit tonë edhe pse sot kanë shtetin në dorë ata prapë një ditë do të përballen me drejtësinë e zotit dhe të popullit”, përfundon Miftari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat