Paralajmërimi për Kosovën: Skenari i zgjedhjeve të kaluara mund të përsëritet

Politika

Paralajmërimi për Kosovën: Skenari i zgjedhjeve të kaluara mund të përsëritet

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 3 qershor 2017 Në ora: 14:29
Qeveria e Kosovës

U deshën gjashtë muaj që vendi të tejkalonte krizën politike për të formuar Qeverinë, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014.

Dy partitë më të mëdha në vend kanë bërë koalicione parazgjedhore, me të cilat ka mundësi që të mos i bëjnë numrat e duhur për formimin e Qeverisë.

Pikërisht për këtë, mund të vijë në plan një mundësi tjetër siç është mundësia për prishje të koalicioneve parazgjedhore ku nuk përjashtohet as  “blerja” , e partive të vogla për t`u bashkuar koalicionit fitues të zgjedhjeve.

Gecaj: LDK vija të kuqe PDK-së, e hapur për partitë tjera

Image
Bajram Gecaj nga LDK

Skenarin për përsëritjen e mos formimit të menjëhershëm të Qeverisë, nuk e ka përjashtuar, kandidati për deputet i koalicionit LDK- AKR- Alternativa, Bajram Gecaj.  Ai e ka përjashtuar mundësinë për një koalicion pas zgjedhjeve për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës, por ka treguar se LDK është e hapur për partitë tjera.

“Skenari ndoshta edhe mund të përsëritet, por një gjë është e sigurt se me PDK-në nuk hyjmë më në koalicion”, ka thënë Gecaj për “Bota sot”.

Nitaj: Qeveria me Ramushin do të formohet në afat rekord

Ndërsa, kandidati për deputet i koalicionit PDK- AAK dhe Nisma, Muharem Nitaj ka thënë se nuk ka gjasa të prishet koalicioni PDK-AAK-Nisma, pasi që sipas tij, qeveria do të formohet në afat rekord.

Image
Muharrem Nitaj

“Qeveria do të krijohet në afatin rekord. Po ashtu nuk do të ketë kurrfarë prishje të koalicionit dhe Qeveria me Ramush Haradinajn, kryeministër do ta qeverisë vendin për 4 vjet”, ka thënë Nitaj për “Bota sot”.

Krasniqi: Bashkimi LDK-VV pas zgjedhjeve

Duke folur në lidhje me këtë, analisti Faik Krasniqi është shprehur i sigurt që asnjëra palë nuk do të arrijë të fitojë shumicën për të qeverisur e vetme.

Image
Faik Krasniqi

Ai ka thënë se Vetëvendosje ka më shumë mundësi që  t`i bashkohet koalicionit LDK, AKR dhe Alternativa, nëse kjo e fundit do t`i fitonte zgjedhjet.

“Nëse LDK, AKR dhe Alternativa i fitojnë zgjedhjet, atëherë VV me shumë gjasë do t’i bashkohet këtij koalicioni për krijimin e Qeverisë. Nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma del fitues dhe nuk arrin të marrë përqindje të mjaftueshme për të krijuar qeverinë, atëherë do të bëhen pazare të mëdha për transferimin e deputetëve nga partitë e tjera”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që mund të ndodhë bashkimi i dy koalicioneve LDK-AKR-Alternativa si dhe PDK-AAK-Nisma.

“Por nuk bën të befasohemi nëse ndodh që koalicioni LDK-AKR-Alternativa pas zgjedhjeve t'i bashkohen koalicionit PDK-AAK-Nisma, sepse këta nuk e kanë problem që të bëhen prapë bashkë, dhe arsyetimi i tyre do të jetë i njëjtë: ”U bëmë bashkë për hir të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Duhanaj paralajmëron: Mund të ketë bllokadë politike

Ndërkaq, analisti Leon Duhanaj ka thënë se në kontekstin e Kosovës, nuk ka edhe një "vaki" që s'mund të ndodhë.

Image
Leon Duhanaj

“Kjo rrjedhë si pasojë e papjekurisë politike në përgjithësi në vendin tonë. Ne nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë nënkupton koncepti shtet për ne. Shteti nuk është mjet për pasurim të shpejtë, siç është perceptuar në masë të madhe nga skena politike”, ka thënë Duhanaj për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka theksuar se edhe bllokadat politike, në thelb nuk janë të arsyetuara,  pasi që krejt qëllimi është pushteti me çdo kusht.

“Natyrisht që mund të ndodhë teorikisht çdo lloj bllokade. Por nuk besoj që ka ndonjë arsye të kemi pengesa. Tani që subjektet politike, janë ndarë në dy blloqe, duhet vetëm të shikojnë si t'i fitojnë votat e jo të mendojnë për skenarë tjera. Edhe nëse ka nevojë për koalicion eventual pas zgjedhor, mendoj që duhet të ketë gatishmëri që pa vonesa të ndodhë”, ka thënë Duhanaj për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se nuk e kemi luksin të bëjmë lojëra politike në kurriz të vendit dhe qytetarëve

Përsëritet skenari i zgjedhjeve të kaluara?

Kurse, analisti tjetër, Islam Krasniqi mendon se ka mundësi që të përsëritet skenari i zgjedhjeve të kaluara.

Image
Islam Krasniqi

“Ka shumë mundësi që të përsëritet skenari i njëjti i zgjedhjeve të kaluara, sepse LVV-ja  i ka dhënë vijë të kuqe koalicionit të PDK-së dhe zero janë mundësitë që t’i bashkohet, gjersa LDK-ja është djegur dhe shkatërruar nga PDK-ja, dhe s’mund  t’i futet nën ombrellë përsëri”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, mund të ketë prishje të koalicioneve parazgjedhore, pasi që mund të ketë blerje të partive të vogla, të cilat janë së bashku me koalicionet tjera.

“Është e mundur që të prishen koalicionet parazgjedhore pas zgjedhjeve, sepse asnjë parti politike nuk do të mund  t’i bëjë numrat për ta formuar qeverinë, dhe nëse kjo ndodhë gjasat janë shumë të mëdha duke i blerë partitë e vogla, të cilat janë bashkuar koalicionit tjetër ose të përsëritet skenari i zgjedhjeve të kaluara”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat