Gjykata Speciale shkakton trazira dhe zgjedhje të reja në Kosovë!

Politika

Gjykata Speciale shkakton trazira dhe zgjedhje të reja në Kosovë!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 15 qershor 2017 Në ora: 07:39
Krerët e koalicionit PAN, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Të dielën në Kosovë u organizuan zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat erdhën si rrjedhojë e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë nga opozita,  e i përkrahur edhe nga deputetët e PDK-së. Opozita duke i bashkuar forcat me PDK-në, e rrëzuan qeverinë e udhëhequr nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  kryeministri Isa Mustafa. Pas shpalljes së zgjedhjeve, frika nga humbjet bëri që partitë politike të ‘thyejnë’ fjalët e dhëna e të formojnë koalicione befasuese. Kështu, PDK bashkoi forcat me AAK-në e Nismën, duke ia besuar pozitën e kryeministrit Ramush Haradinajt, koalicion ky që doli fitues në zgjedhje, edhe pse nuk arriti te sigurojë shumicën që të formojë qeverinë.

Por, sipas analistëve, përveç panikut nga humbja e zgjedhjeve,  bashkimi i këtyre partive politike qëndron tek frika nga Gjykata Speciale. Pasi që, shumë herë është përfolur se anëtarë të këtyre partive mund të përfundojnë si të akuzuar nga kjo Gjykatë, analistët vlerësojnë se ata kanë bashkuar forcat për penguar atë.

Nga ana tjetër, sipas tyre se vendi mund të shkoj sërish në zgjedhje nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma merr pushtetin. Kjo pasi të akuzuarit në Gjykatën Speciale sipas tyre  janë pikërisht nga këto parti. Por a do të shkaktohen trazira në vend me fillimin e punës së Gjykatës Speciale, zyrtarë nga partitë politike hezitojnë të përgjigjen.

Image
Nait Hasani

Luftë politike

Kandidati nga ky koalicion, Nait Hasani, thotë për “Bota sot” se komentet se Gjykata Speciale mund ta dërgoj vendin sërish në zgjedhje, janë luftë politike.

“Vendi nuk shkon në zgjedhje me, a pa Gjykatën Speciale. Vendi do zhvillim ekonomik, arsim e shëndetësi cilësore. Këto komente për Gjykatën Speciale se do të ketë zgjedhje tjera të jashtëzakonshme, janë luftë politike e nëntokës politike që nuk ia duan të mirën vendit”, thotë Hasani.

Image
Tomë Gashi

Vetëvendosje ftuese e zgjedhjeve

Nga ana tjetër, avokati Tomë Gashi thotë se ata që do të akuzohen nga kjo Gjykatë, kanë dalë humbës në zgjedhjet e 11 qershorit.

Sipas tij, ata do të zëvendësohen me udhëheqës të rinj.

“Fituese e zgjedhjeve është lëvizja Vetëvendosje dhe nuk ka asnjë arsye dhe asnjë indicie se dikush nga Vetëvendosja do të akuzohen në Gjykatën Speciale në Hagë, nuk do fitojnë zgjedhjet ato parti që i kanë prijësit e tyre potencialisht të akuzuar në Gjykatë Speciale, kështu që me arrestimin eventual të tyre, nuk ka arsye për zgjedhje vitin e ardhshëm, sepse ata do të zëvendësohen me të tjerët edhe nëse arrijnë të bëhen deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës si opozitë”, thotë Gashi për “Bota sot”

Image
Blerim Burjani

Protesta ndaj Speciales

Ndërkaq sipas njohësit të çështjeve juridike, Blerim Burjani ende nuk është e qartë se a do të mbijetojnë këto koalicione pas rezultatit zgjedhor të 11 qershorit, ndërsa sipas tij Gjykata Speciale është sfida më e madhe e shtetit.

“Pra vështirë Kosova po përjeton probleme të padrejta dhe qytetarët të gjithë ata që kanë bërë vepra të ndryshme penale nuk duhet të qëndrojnë në pushtet as të mbajnë parti politike dhe të mbrohen me politikë kundër shtetit, pra këta njerëz janë të papërgjegjshëm. Por ka gjasa që mund të ketë protesta ndaj punës së Gjykatës Speciale, këta njerëz do të akuzohen nga gjykata, pra jo stabiliteti mund të përfshijë shtetin”, thekson ai.

Image
Hajrullah Tërnava

Paralajmërohen trazira nga Gjykata Speciale

Mundësinë që vendi të shkoj në zgjedhje të reja për shkak të arrestimeve nga Gjykata Speciale këtë nuk e mohon eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava. Sipas tij, nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma merr pushtetin, situata në vend mund të dal jashtë kontrollit.

“Gjithherë kur zgjedhjet i fiton, koalicioni fitues e krijon qeverinë si në këtë rast PDK-AAK-NISMA. Nëse Gjykata Speciale i ka në shënjestër Kryeministrin, Ministra dhe funksionarë të lartë mundë të ndodhë që situata politike të del jashtë kontrollit dhe të krijohet gjendje kaotike politike dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nëse ndodhë që situata të eskaloj në përmasa të mëdha Kryeministri jep dorëheqje, dhe në këtë rast mund të krijohet një qeverisje teknike deri në zgjedhjet e radhës që vendi mos të ballafaqohet me situata të pakëndshme si luftë qytetare e të ngjashme”, thotë Tërnava.

Ai duke e krahasuar situatën aktuale me atë të vitit 2006,  kur Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, thotë se sot është krejt situatë ndryshe.

“Tani situata është krejt ndryshe sepse parashihen njerëz të shumtë të partive në pushtet, që janë të përfshirë në aktakuza të Gjykatës Speciale, gjë që munde të eskaloj situata politike dhe të krijohen kushtet për zgjedhje të reja. Mund të ketë  edhe skenar nga PDK-AAK-NISMA qe me trazira ta pengojnë Gjykatën Speciale nëse këta individ që janë në shënjestër të Gjykatës Speciale, postohen në vende të larta të funksioneve në këtë qeverisje. Mbetet për tu parë a po përfshihen në poste të larta të qeverisjes, nëse nuk përfshihen në poste të larta ka gjasa që Gjykata Speciale ta e kryej punën e vetë sepse më në fund vet Parlamenti i Kosovës e ka votuar këtë Gjykatë në fjalë që duhet ta kryej punën e vetë”, përfundoj Tërnava për “Bota sot”.

Image
Naim Miftari

Gjykata e padrejtë ndaj Kosovës

Ndërkaq ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari e quan Gjykatën Speciale si të padrejtë ndaj Kosovës, e që nuk do të merret me ‘peshqit e mëdhenj’.

“Po gjykata ndaj shqiptarëve është e padrejtë e madhe që i bëhet vendit tonë, personalisht nuk mendoj se kjo gjykatë do merret me peshkaqenët e mëdhenj, pasi si procese të gjitha janë politike edhe kjo gjykatë është një pazar politik. E vërtetë se PDK dhe AAK do të dëmtohen, por kjo s’do të thotë se këto paparti do dobësohen. Sa i përket a ka mundësi këto parti me destabilizu situatën, jo nuk ka mundësi askush as me pengu as me ndalë Gjykatë Speciale’, thotë Miftari.

Ai thotë se kur kjo gjykatë të filloj punën protesta mund të ketë, por jo eskalim, pasi të gjitha partitë shumicë kanë votuar vet për Gjykatën Speciale.

“Kjo Gjykatë, sipas mendimit tim nuk do të zgjedh pothuajse asgjë dhe është gjykatë selektive, ku amnistohet shteti serb dhe kriminelët serbë që vranë mbi 14.000 civilë shqiptarë, dhunuan, ndoqën mbi 1 milionë civil shqiptarë për plaçkitje, djegie, as që bëhet fjalë të merret kjo gjykatë me këto krime të organizuara të luftës kundër Kosovës”, thotë Miftari për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat