Njohësi i Kushtetutës: Lista serbe e merr postin e kryeparlamentarit të Kosovës vetëm me këtë kusht

Politika

Njohësi i Kushtetutës: Lista serbe e merr postin e kryeparlamentarit të Kosovës vetëm me këtë kusht

Nga: BOTA SOT Më: 16 qershor 2017 Në ora: 22:31
Lista serbe

Subjekti politik Lista Serbe është duke planifikuar që të kërkojë postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të japë votat e saj për të formuar Qeverinë e re.

Jozyrtarisht është bërë e ditur se kryetari i këtij subjekti, Slavko Simic, ua ka bërë të qartë të gjitha koalicioneve të partive shqiptare në vend, që nëse duan të kenë votat e Listës Serbe kur të votohet Qeveria e re e Kosovës, serbët do ta marrin postin e Kryeparlamentarit.

Si argument për këtë, përfaqësuesit e Listës Serbe e kanë marrë zgjedhjen e një shqiptari në krye të Kuvendit të Maqedonisë. Ata mendojnë se nëse shqiptarët kanë të drejtë ta kenë postin e Kryeparlamentarit në Maqedoni, të njëjtën të drejtë mund ta kenë edhe serbët e Kosovës.

Në nenin 67, pika 2 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, por nuk specikohet nëse ai mund të jetë nga komunitetet.

Sipas njohësit të Kushtetutës së Kosovës, Muhamet Kelmendi, për zgjedhjen e kryeparlamentarit të Kosovës, duhet bashkëpunimin i partive politike shqiptare.

Image
Muhamet Kelmendi

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Kelmendi ka theksuar se serbëve jo vetëm që nuk duhet dhënë pozitën e kryeparlamentarit, por sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet themeluar me Listën Serbe.

“Koalicioni fitues kërkohet të gjejë, në bazë të Kushtetutës, subjektin politik me të cilin mund dhe ka mundësi për të ndërtuar Qeverinë. Subjektet politike duhet të bashkëpunojnë mes vete, si në raundin e parë, kur subjektit fitues dhe të nominuarit i jepet mandati, ashtu edhe në raundin e dytë”, ka shpjeguar Kelmendi.

Ai ka thënë se në rast se nuk arrihet të formohet Qeveria e re, duhet të organizohen zgjedhje të reja që duhet të mbahen brenda 40 ditëve.

“Unë besoj se më mirë qështë të shkohet në zgjedhje të reja, se sa të bëhen pazare me Serbinë përmes Listës Serbe. Çdo mandatar në raundin e parë dhe të dytin, duhet të mbështetet me votat e partive politike shqiptare. Lista serbe bashkohet në koalicion në bazë të dispozitave kushtetuese”, ka shtuar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Ndryshe, nga gjashtë subjektet politike serbe, sa kanë garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Lista Serbe, besohet se ka fituar 9 vende, kurse Partia e Pavarur Liberale një ulëse në Kuvend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat